Home

Lajme

Bislim Ahmetaj – *Kujtesë: Kur nuk varroset, çvendoset.

No Comments Lajme Opinion

Leonora Jakupit – Komandanti

31 vite më parë Qyteti Studenti zugaste si një zgjua gjigand bletësh.
Komisioni organizator i protestave kishte vendosur të ngujoheshim në grevë urie, pasi kërkesa e tyre kryesore që ishte “Heqja e emrit të diktatorit Universiteti të Tiranës” kishte ra vesh të shurdhët.
Një ditë më parë me datë 17 Shkurt një përfaqësi e studentëve të Insitutit të Lartë Bujqësor ishte takuar me Adil Çarçanin dhe ky do të ishte takimi i fundit i tij si Kryeministër i Shqipërisë, pasi pas rrëzimit të bustit të diktatorit do të rrëzohej edhe qeveria e tij.
Në ILB ishin formalizuar edhe kërkesat e para për depolitizimin e shkollës ku spikasnin: -Mbyllja e Shkollës së Partisë Vladimir Iliç Lenin dhe dhënia e ambjenteve të saj ILB, që pas dt 17 Shkurt do të merrte emërtimin që ka sot Universiteti Bujqësor i Tiranës,
-Heqja nga programet shkollore e lëndëve Histori e PPSH dhe e Filozofisë ML.
-Heqja e emërit të diktatorit nga Universiteti i Tiranës dhe shumë kërkesa të tjera ekonomike që u premtuan dhe su realizuan kurrë.
Adil Çarçani ju drejtua përfaqësisë së studentëve të ILB- ç’punë keni ju me emrin e Universitetit të Tiranës, kërkesat tuaja u pranuan dhe do të realizohen 100%.
Gjysëm të kënaqur u kthyen në ILB dhe shpallën mbylljen e grevës që kishte startuar me 5 Shkurt të atij viti.
Atë ditë ra borë në Tiranë.
Shumica jonë u ngjitën në Qytetin Studenti ku bashkëmoshatarët tanë po kulmonin me kërkesat e tyre dhe në darkë vonë mësuam se kishin marrë vendimin ekstrem, ngujimin në një grevë urie kurrë më parë e dëgjuar dhe e provuar në kushtet e lirisë.
Kishim dëgjuar që greva urie ishin mbajtur nëpër burgjet e vendit, greva që ishin shpërblyer me ridenime të gjata, por në burgun e madh me emrin Shqipëri kurrë më parë s’ishte zhvilluar një grevë e tillë.
Ne s’kishim me se të ushqeheshim, pse u dashka ta privojmë vetën edhe nga ai pak ushqim mizerje që kishte tepruar nëpër depot e rezervave të shtetit të shpartalluar- nënqeshnin me ironi ata studentë që nuk ishin solidarizuar me urinë tonë të çuditshme por heroike.
Data 18 Shkurt ishte një ditë solemne, shumë prej studentëve që kishin vendosur të ngujoheshin në atë grevë drekuan në mencat e studentëve.
Në hyrje të Kino- Klubit sot Godina Liria puthnim Flamurin kuq e zi, tashmë pa yllin simbol të komunizmit.
Ndjeheshim si heronj dhe ishim të tillë, po shkruanim histori.
Ndjenim frikë dhe ishte e natyrshme, kishim prekur nuklin e diktaturës, simbolin e urryer të saj.
Sistemi kishte ndryshuar vetëm formalisht në Dhjetor të 90-s, po nga presioni i studentëve duke pranuar pluralizmin, por nga ana tjetër bustet e diktatorit zezonin çdo shesh kryesor të vendit duke u nisur nga Sheshi Skenderbej.
Emrin e diktatorit e mbanin akoma dhjetra institucione, organizata dhe njësi prodhimi në të katër anët e vendit.
Po jetonim në kohë absurdi, pluralizëm politik të dekoruar me simbolet e diktatures, demokraci hibride siç po na rezulton edhe sot pas 31 vitesh.
Studentët, një pjesë e pedagogëve dhe qytetarët e Tiranës nuk e pranuan këtë realitet të dyfishtë dhe me atë grevë që zgjati rreth 55 orë i dhanë fund pluralizmit fallso të Ramiz Alisë.
Unë dhe brezi im studentor ndjehemi krenar që i dhamë Shqipërisë pluralizmin politik dhe që e çliruam pluralizmin dhe vendin nga bustet dhe simbolet e komunizmit.
Por siç thotë përmes artit në këtë postër miku im Like Rehova “Kujtesë: ajo që nuk varroset, çvendoset” diktatura në Shqipëri u rrëzua por mentaliteti i njerëzve nuk u ndryshoj.
Ne i rrëzuam bustet nëpër sheshe dhe i hoqëm ato nëpër insritucione por njerëzit e zi të diktaturës i ndërtuan nëpër zemrat dhe shpirtrat e tyre të krimbur.
Ne e depolitizuam shkollën dhe e çveshëm atë nga dogmat, por po të njëjtit pedagog që jepnin Historinë e PPSH dhe Marksizëm- Leninizmin u “specializuan” për lëndët komunikimit, marketingut, të shkencave sociale dhe atyre juridike.
Ndaj edhe sot pas 31 vitesh vazhdojmë të kemi pluralizëm fallso, opozitë fasadë, shtet totolitar, zyrtarë servilë dhe të korruptuar nga njëra anë.
Dhe përballë tyre një popull të varfër, një popull të përçarë dhe të trembur, një popull që i ik atdheut të tij si të ishte vet ferri dhe jo parajsa në tokë.
Unë dhe bashkëudhëtarët e brezit tim të Grupimit “Dhjetor ’90” akoma besojmë që mund t’ja dalim “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” ndaj edhe s’kemi reshtur kurrë së punuari në këtë kahje.
Të vetëdijshëm që me idealet tona janë tallur dhe pasuruar horat dhe batakçinjtë e politikës, veçse po kaq të qartë dhe inspiruar që çdo sakrificë dhe punë të mirë që e bën për vendin tënd ja vlen.
Ndaj premtojmë që nuk do të ndalemi së punuari dhe së vepruari që “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”
*Slogani dhe posteri mbajnë për autor Like Rehovën
Tiranë me 18 Shkurt 2022

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *