Home

Lajme

Gresë J. Krasniqi – Vedat, ajo video gjithçka mund të jetë tjetër perveç art e humor.

No Comments Lajme Opinion

Vedat, je arsyeja numër një pse asnjëherë s’më ka pëlqyer humori kosovar, kjo për faktin se qysh në shkollën fillore, të mesme e besa edhe në fakultet jemi bullizuar si pasojë e humorit tënd të pashije.
Figurat historike është vështirë të imitohen, duhen shkathtësi të veçanta të cilat ti nuk i ke.
As në imitimet e më parshme e hiç se hiç në këtë të fundit, as për së afërmi ske arritur të imitosh Jakup Krasniqin. Kjo sepse babi ka vlera aq të larta njerëzore të cilat për ty e shumëkënd janë të paarritshme, e shumë herë edhe të pabesueshme. Prandaj në çdo imitim të babit ti cdo herë dështon.
Nëse përmes asaj videoje ke dashur të shprehesh mirënjohjen tënde për figurën e Jakup Krasniqit dhe solidarizim për të burgosurit në Hagë, më lejo të tregoj që është huqje totale.
Më shumë se huqje, është një skandal.
Ke një milion forma për të treguar mirënjohjen dhe mbështetjen tënde ndaj seciles figurë çlirimtare, ajo video me ato pamje do të duhej të ishin të fundit.
Ato imazhe janë turpi më i madh që një qytetar i Kosovës mund të bëjë për një njeri që sakrifikoi vitet më të mira të jetës, prandaj për ne është e papranueshme që sot pseudokomedian të tillë nga rehatia e shtëpisë së tyre të thellojnë plagët tona.
Nuk dua mirëkuptim, nuk dua keqardhje as mëshirë nga mosmirënjohësit dhe ata që perbuzën vlerat më të larta të shoqërisë.
Nuk kerkoj keqardhje, nëse nuk mund të bashkëndjeni me ne atëhere më mirë na injoroni siç bëjnë politikanët por assesi nuk lejojmë të thelloni dhimbjen tonë.
Më lejo Vedat të tregoj se Jakup Krasniqi luftën për çlirim dhe shtetndërtim nuk e bëri për falenderime në foltore të parlamentit, e aq më pak për kujtime të tilla poshteruese si kjo e jotja, por e bëri sepse nuk duronte shtypjen e popullit të tij.
Më lejo të tregoj që nuk është përbuzje me qenë mësues, madje as mësues fshati siç ju tentoni të godisni këtë profesion fisnik, por babi më shumë se mësues, ishte rilindas i kombit.
Ato pamje janë te ulta, por më i ulët jeni ju.
Me humor pashije, pa sens dhe aspak njerëzor ti smund të paraqitesh asgjë të mirë a njerëzore.
Unë jam krenare që babi im pati guximin të luftoj pushtuesin më të eger të shqiptarëve.
Jam krenare qe babi im pati guxim të luftoj, të çliroj Kosovën dhe të formoj shtetin e republikën e Kosovës.
Kjo video është turpi më i madh që dikush mund të na dhuronte për pavarësi. Kjo video nuk arsyetohet dhe kërkim falja nuk pranohet.
Mendoj që arsyeja e vetme pse babi është protagonist i vetëm në atë video është mungesa e guximit për të përfshirë edhe çlirimtarët tjerë, e kjo të bënë shumëfish më të ligë.
Nëse qëllimi yt ka qenë përfitimi përsonal, ndjej keqardhje për ty.
P.S. Me keqardhje sot e pranoj se ka shumë “shqiptarë” që do të donin ta shihnin babin të thyer moralisht e shpirtërisht, e di, do të ju zhgënjej kur t’ju tregoj sa i fortë qëndron babi dhe sa i buzëqeshur është çdo ditë.
Lirinë mund t’ia mohojnë, por kurrë meritat e tij për bërjen e shtetit të Kosovës.
Babi është i fortë e ju vazhdoni të mbesni njerëz të ligë.
Me mosrespektin më të madh,
Familja e Jakup Krasniqit

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *