Home

Lajme

Kremlini: E vendos Putin se kur do të ndalojë sulmi ndaj Ukrainës

No Comments Aktualitet Lajme

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka caktuar objektiva për sulmin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të jetë ai që do të vendosë se kur do të përfundojë operacioni, bazuar në rezultate dhe pritshmëri, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Operacioni ka qëllimet e veta dhe duhet të arrihen”, tha Peskov kur u pyet nga gazetarët se kur do të ndalojë sulmi ushtarak, raporton RT.

“Rusia është e vendosur që të neutralizojë potencialin ushtarak ukrainas, i cili është rritur në mënyrë të konsiderueshme kohët e fundit, kjo për shkak edhe të ndihmës së shteteve të tjera”, vijoi Peskov, duke shtuar se “Ukraina duhet të pastrohet nga ideologjia neo-naziste”.

Por zëdhënësi i Kremlinit hodhi poshtë teorinë se Rusia po pushton Ukrainën, duke thënë se operacioni i trupave ruse ka synime të kufizuara për të mbrojtur Rusinë dhe rajonet separatiste pro-ruse në Ukrainën Lindore. Ai u shpreh se e ardhmja e Ukrainës do të përcaktohet nga populli ukrainas.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës mëngjesin e së enjtes. Putin tha se kishte urdhëruar trupat ruse të sulmonin Ukrainën për të çmilitarizuar vendin.

Putin tha më tej se Rusia ishte e detyruar të mbronte rajonet separatiste të Donetsk dhe Luhansk. Moska i njohu si të pavarura këto dy rajone në Ukrainën Lindore. Sulmet e Rusisë kanë shkatërruar disa depo ushtarake kudo nëpër territorin e Ukrainës.

Burimi/tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *