Home

Lajme

Robert Shkurti – DIELL PAS DIMRIT

No Comments Argëtim Letersi

Dimër. Ftohtë. Dielli fshihet kushedi se ku.
Ndoshta, pas maleve, ndoshta, në ndonjë pyll.
Mund të jetë mbytur në det
ose, ndoshta, zvarritet diku në ndonjë shtrat lumi.
Ndaj dhe lumi është i fryrë
dhe nga padurimi mori fushave,
i përmbyti pa mëshirë.
Inat të madh paska pasur.
Aty ua nxorri zemërimin.
Mbytur në det?
Ndoshta, por dallgët ngrihen të xhindosura,
zemërimin shkarkojnë mbi direkë e kuverta anijesh
dhe i përplasin shkëmbinjve të thepisur.
Oh, ç’zemërim!

Fshehur pas maleve?
Ndoshta, por e shoh të tkurrur,
mbuluar nga bora e rëndë dhe qan nga dhimbja. Lotët e shkrirë të borës
ia hedh trupit të kalbur të lumit që zvarritet.

Fshehur në pyll,
mes drurëve të lartë?
Ndoshta, por nuk dëgjoj melodinë e cicërimave.
Dëgjoj ulërima kafshësh të uritura
nga dimri në të ikur.

Mbaron stina e ftohtë.
Diell, pak diell. Oh, sa ngrohtë!
Lumi rrjedh i qetë në shtratin e vet.
Ngadalë përcjell dhimbjet e dimrit
drejt deltës në det.
Dhe deti dallgët i shndërron në valë.
Pulëbardhat fton mbi pistën e tij,
kapur për dore të luajnë vallet ngadalë.

Mali drejtohet, krekoset si më parë,
i lumtur që qilimin nga krahët ia kanë marrë.
Çlirohet nga pesha, merr frymë,
tek thith ajër të bardhë.
Pylli bëhet tjetër, vesh këmishë të gjelbër.
Dielli si kurorë tek ia zgjat rrezet me dorë.
Degët e pemëve bëhen violina
dhe zogjtë ia mbajnë simfoninë me cicërima.

Shkëputur nga vëllimi poetik
“Ajër shprese” Robert Shkurti

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *