Home

Lajme

Haris Dukagjini – LUANI TJETËR, TË CILIN NUK E NJOHTËT

No Comments Kulture

Disa prej jush mund ta kenë njohur Luan Hajrën si këngëtar darsmash. Por, ai nuk ishte njeri as këngëtar i darsmave. Luani ishte njeri i sfidave. Në darsma e futi jeta, dhe nevoja për të mbijetuar. Luan Hajra nuk e filloi as mbaroi jetën në darsma. Ai e filloi karierën me një muzikë të vertetë, të cilën në akoma nuk e njihnim mirë në vitet e 60-ta. Mund të quhet shansonjer i parë shqiptar i Ballkanit. E solli edhe muzikën spanjole e meksikane, në Kosovë.
Në vitet e 60-ta një fëmi 10-vjeç i quajtur Hoselito (Joselito), u bë yll i filmit dhe muzikës spanjole në tërë botën. Luan Hajra na i solli e këndoi këngët tij, dhe u bë një Hoselito- shqiptar. Disa vite më vonë, shansonjeri francez Enriko Masias pushtoi Europën. Luan Hajra i solli këngët e tij të kënduar në gjuhën shqipe, nga të cilat posacërisht njihet “Solenzara”.
Në Festivalin “Akordet e Kosovës”, Luani lansoi tri këngë emblemaike. Në kohën kur mbrëmjet e maturës i kishim modeste e të thjeshta, kompozitori dibran Musa Piperku komponoi, e Luan Hajra e këndoi – hymnin e parë shqiptar për mbrëmjët e maturës. Kurr më parë nuk i kishim kënduar maturës, sepse nuk kishim këngë për te. Më këngën”Mbremja e maturës” Luani maturoi mija herë. Në kohën kur nuk kishim ushtri, Musa Piperku e komponoi e Luan Hajra e lansoi ” Këngën e ushtarit”. Ishte kjo kënga e parë më ritem të lehtë ushatarak për ushtrinë të cilën nuk e kishim. Gjatë Luftë së Kosovës, ushtarët e UÇK adaptuan e kënduan këngë të huaja ushtarake. Çuditemi, si nuk i shkoi ndermend askujt për ta përpunuar “Këngën e ushtarit”të kënduar aq bukur nga Luan Hajra në vitin 1973 ?
Luani u ngritë edhe më lartë më këngën “Arabella” e cila fitoi 5 çmime në Festivalin “Akordët e Kosovës 74”. Kënga u komponua nga, tani i ndjeri, Gjergj Kaçinari. Një këngë më ritem valsi, e bazuar në melosin shqiptar. Duket sikur autori u inspirua edhe nga k;nga e njohur “Baresha”. Severin Kajtazi, Musa Piperku dhe Gjergj Kaçinari ishin të parët që eksperimentuan suksesshem më muzikën e lehtë, duke e stolisur më ngjyra shqiptare.
Edhepse Luan Hajra jetoi në Kosovë, ai bëri një jetë sekrete edhe në Shqipëri. Emocionalisht ai kishte një lidhje që e mbante midis Kosovës e Shqipërisë. I ati i tij, kishte qenë ballist, të cilin e ndoqi regjimi jugosllav, ndaj heret emigroi në Shqipëri. Luani me vëllëzërit, u rritën pa babain. Familja e Luanit u nda më murin i cili i ndante ashpër shqiptarët. Për këtë arësye Luani percjellej e mbikqyrej në Kosovë, kurse i ati në Shqipëri. Babë e bir, të dytë, të dyshuar nga dy sisteme të ndryshme. I ati, e dëgjonte zërin e të birit në Shqipëri, nga valet e Radio Prishtinës, kurse Luani i fliste babait, vetem më këngë. Në vitin 1974 filloi hapja e kufirit, dhe Luanit ju mundsua një udhëtim në Shqipëri, mirëpo në vend të gëzimit, perjetoi një zhgenjim. Takimi më të atin zgjati vetem disa minuta pasi ishte i kufizuar e kontrolluar nga Sigurimi. Disa vite më vonë Luani shkoi serish në Shqipëri, tani më një grup artistësh dhe Ansamblin Muzikor të Radio Prishtinës, për turne të parë në këtë vend. Me vehte solli në Shqipëri një televizor për të atin. Gëzimi zgjati vetem një ditë, pasi të nesermën, Sigurimi ia konfiskoi televizorin babait. Por, nuk arrijtën të ia konfiksojnë Luanit, zërin as këngën.
Koncertët e Radio Prishtinës u pritën kudo me emocione, por ai në Berat, u shëndrua në koncert pikllimi, për shkak të takimit të Luan Hajrës më të atin, i cili ishte ulur në rreshtin e parë të sallës. Luani këndoi këngën “Lulzoi fusha” dhe i emocionoi të gjithë…
“Ah lulzoi fusha, ah lulzoi mali,
bukuri na i ra dunjasë,
ku je biro se m’ ka marr malli
e sytë e mijë në lot janë tha…”
Pas këtyre vargjeve, Luani dhe Orkestra shpërthyen… Lot në skenë e lot në audiencë. Qau i ati, e u perlotë gjysma e sallës. Shfaqja e artistëve kosovar u shëndërrua në koncert vajtimi, jo vetem për Luanin, por edhe për fatin e kombit të ndarë. Ishte ky vetem një nga shumë episoda të dhëmbjve të Luan Hajrës. Djaloshi modest, të cilit gjithnjë i qeshte fytyra, e i këndonte goja, kishte një jetë të dytë të vuajtur brenda vetës, por askujt nuk ia zbulonte. Jetën ja bëri edhe më të hidhur vdekja e hershme e bashkëshortës. Pastaj atij ju shfaqë sëmurja e veshkëve, dhe shok të fundit e bëri mjekun e vetminë…
Megjithëse bëri jetë me vrragë, Luani, më këngë e krijoi një jetë tjetër, për ne. Në fillim të karierës na solli hitet e huaja botërore, kënduar – shqip, kurse më vonë u bë mbledhës i pasionuar i këngëve të rralla qytetare shqiptare. Këndoi këtu, e deri në Amerikë e Australi. E shpërndau këngën tonë edhe atje ku nuk ishte dëgjuar kurr më parë. Më stilin e tij të t’ këndurit, na e kujtonte pakëz Rudolf Stambollën e famshem. Këndoi muzikë të lehtë, shansona, balada, kancona, dhe vonë hyri në muzikën popullore.
Ne nuk do ta mbajmë në mend si këngëtar darsmash, por si shansonjerin e parë të Kosovës, pranë të famshmit Muharrem Qena, i cili, ashtu si edhe Luani ishte nga Mitrovica. Luani ishte edhe i pari këngëtar i Kosovës që bëri turne me koncerte solistike. Sot, kjo nuk duket gjë e madhe. Mirëpo, në vitet e 70-ta asnjë këngëtar shqiptar nuk kishte mundësi për turne solo. Sepse, nuk mund të përballonin shpenzimet. Mungonte edhe publiku, pasi që muzika e lehtë akoma ishte në burim. Megjithëkëtë, Luani, sëbashku më grupin muzikor “Modestët” të prirë nga Tomorr Berisha, bënë tuneun e parë të muzikës zbavitëse nëpër Kosovë. Në atë kohë, turne të tilla solo, nuk bëheshin as në Shqipëri, pos në grupe. Kudo u prit si yll.
Nën vershimin e muzikës “tallava”, Luani në vitët e fundit u harrua nga shteti e nga rrethi. “Komisarët” kulturor të shtetit të ri, menduan që bota filloi prej tyre. Sikur më heret të mos kishte egzistuar asgjë në kulturën tonë.. Jeta e Luan Hajrës nuk ishte darsëm, por sfidë. Mirëpo, Luani dhëmbjen e mbante brenda, kurse neve na dha këngën, humorin, sharmin e optimizmin në një kohë të zymë, kur këto na mungonin. Sot ai takohet në qiell, me kompozitorët e tij Gjergj Kaçinarin, Musa Piperkun, Krist Lekajn e të tjerët. Një koncert në Parajsë.
Haris Dukagjini
Foto djathtas nga Nysret Metarapi
Në foton majtas: Krist Lekaj, Vaçe Zela, Luan Hajra

Burimi/Facebook /Albumi Akordet e Kosoves

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *