( kur politika zgjedh presidentin)
Rënë pa rënë drit’e yllit,
Në një shesh në mes të pyllit,
Mblidhen kafshët në Kuvend
Për të zgjedhur President
“Mirë do ishte -thotë një ujk,
President të vemë një bujk
Se do priste ai çdo ferrë,
E kjo tokë, s’do rrinte djerrë!”
“Jo or jo -ia kthen Ariu,
President, të jetë Bariu
Të na shtohet gjë e gjallë,
Hamë e pimë e bëjmë pallë!”
Në çast çohet një kastor:
“Presidenti qoftë punëtor..!
Të punojë nat’e ditë,
Korrupsionit t’i verë pritë!”
“President – thotë kau plak,
Më mirë vemë një ushtarak.
Të verë popullin në rresht,
E çdo kafshë t’i rruaj lesht!”
“Presidenti – thotë një skile,
Të jetë i shoqërisë civile…
Të dijë radhë, të njohë sërë,
Të jetë për vete e për të tërë.!”
“President- thotë qykapiku,
Të jetë një farë akademiku…
Ta ketë kokën plot me dije,
Kur të flasë ti ketë dhe hije!”
Qeni, qenit i shkel synë:
“Do ta vëmë nga soji ynë
Të dijë të bëjë dhe puçe,
Presidente vemë një buçe!”
Nje sorkadhe zgjati shalët:
“Kryetari të jetë mbi palët
Për këtë punë e sjellka fati,
President të jetë veshgjati
Veç ai plotëson kriteret,
Ne shyqyr kemi “menderet”.
Bëhuni gati, kohë mos humbim,
Të gjithë vithet bashkë t’i tundim!”
Nga: Ymer Nurka
Burimi/Facebook