Home

Lajme

Rudina Muharremi Beja – KUSURI

No Comments Argëtim Letersi

Ç’më sheh ashtu,- kishte folur zonja me fytyrën vrenjtur e një palë sy të errët fshehur pas qeleshes gati sferike që mbante mbi kokë nga ku shquheshin ca pendë të gjata boj hiri.
Burri që përditë luante melodi tingujsh të gjallë, paqtues e të ëmbël pranë portës marketit për të grumbulluar diçka në fund të ditës, u ngurtësua për një çast.
Gjeti një fije forcë e me një drojë të lexueshme në fytyrë pyeti zonjën nëse dëshironte që t’ia sistemonte karrocën e ushqimeve ashtu siç bënte me të gjithë klientët, dhe natyrisht, në këmbim gjithmonë me mirëkuptimin e palëve, do të mbante për vete monedhën një euroshe që gjendej në të.

  • Mund t’ ju ndihmoj zonjë? – kishte pyetur ai duke lënë për një çast mbi një pëlhurë të bardhë instrumentin muzikor
    Ajo me një indiferencë të qartë, tipike e zonjave të rëndomta që shtyjnë kohën “kuvendimeve” , dhe me një vështrim përbuzës, kishte vërshuar një breshëri fjalësh të nënzëshme pothuaj të paperceptueshme
    Burri kishte tkurrur krahët në shenjë paqartësie e me zemrën e tejlodhur dhe një mirësjellje të jashtëzakonshme kishte folur sërish:
    -Urdhëroni zonjë, blini diçka dhe kishte zgjatur vështrimin mbi tezgën e drunjtë duke i ofruar asaj ca byzylykë të fildishtë të krijuar nga duart e buta të fëmijëve të tij.
    -Një euro kushton njëri zonjë, vetëm një euro e kishte vijuar t’i trazojë për të vënë në dukje bukurinë e tyre duke i ofruar kështu një zgjedhje më të mirë
    Ja sa të bukur këto me ngjyra, si shenjë për mbërritjen e pranverës zonjë, – kishte folur ai, – dhe këtë vit nuk ngurroi të vijë, e zhvendosej trotuarit ngadalë.
    Dukej se athtësia e dimrit që sapo kishte shkuar i kishte mbetur e tërë nëpër kocka, pasi mezi dyndte hapat…
    Zonjës i kishte pëlqyer ajo kapicë stolish dhe kishte shtrirë dorën me gishtërinj të gjatë e thonj të lyer me manikyr të errët që mbërthenin një kartmonedhë të zhubravitur pesë euroshe
    -Dhjetë copë do më japësh në do,
    më kuptove, dhjetë byzylykë, -kishte folur zonja pothuajse duke këmbëngulur në pazarin e saj.
    Ai e kishte parë në dritë të syrit dhe me zërin gjithnjë të butë i ishte përgjigjur pa asnjë lloj polemike
  • Merr sa të duash zonjë, zgjidh,
    merr kë të duash…!
    Ajo kishte zgjedhur dhjetë byzylykët më të bukur punuar prej duarve të njoma të fëmijëve të tij dhe ishte larguar me hap të shpejtë e gëzuar prej blerjes me leverdi
    Pak metra më tutje kishte takuar drejtorin e bankës së saj të cilit i kishte folur me një përzemërsi të madhe ndërsa fytyra tashmë e kishte braktisur atë mermer të akullt…
    -Do të dëshiroja t’ ju ofroja një kafe i nderuar po të keni pak kohë. Këtu ngjitur është një bar ku kafenë e bëjnë vërtetë shumë të mirë, do të qe kënaqësi për mua. Drejtori kishte vërejtur orën si për t’i thënë se vërtetë koha në dispozicion ishte e pakët por kishte pranuar gjithsesi në shenjë mirësjellje.
    -Dy minuta mundem, kishte folur ai duke rrufitur kafenë në këmbë para banakut ndërsa zonja e ngazëllyer kishte paguar me një kartmonedhë jeshile duke i lënë peshqesh kamarierit kusurin e majmë!

Burimi/Facebook/Autorja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *