Home

Lajme

Mark Simoni – NJERIU I ÇUDITSHËM dhe FRIKA

No Comments Argëtim Letersi

Ka aq miresi, aktualitet dhe krahasime apo paralele me veprat e klasikeve ky tregim, sa e ben shume te vecante narracionin…

Mark Simoni – NJERIU I ÇUDITSHËM dhe FRIKA
Kam qenë fëmijë, kur i sëmurë nga apendisiti, më dërguan urgjent në spitalin e Shkodrës për operim. (Nuk e di përse mungonin kirurgët e Lezhës).
Kur më doli narkoza, pashë veten në një dhomë të madhe dhe me burra të shtrirë, që bënin muhabet me njëri tjetrin.
Diku në koridor dëgjova se dikush luante me top. Papritmas topi hyri në dhomën tonë, kërceu dy a tri herë dhe shkoi e u fut poshtë shtretërish. Pas topit pashë të vraponte një fëmijë pothuaj sa unë, që u shtri barkas poshtë krevatëve për ta marrë topin. Kur u ngrit, qe fare pranë meje. U ndal dhe më pa. Unë u tremba. Ai nuk kishte as buzë dhe as hundë, por dy zgavrra të mëdha në fytyrën e tij të vogël.
(Kur kam lexuar “Njeriun që qesh” të Viktor Hygoit, me Guinplenin dhe Kompraçikozët, fytyra e djalit të spitalit më ka dalë para syshë).
-Zef, vene njat napë në fytyrë, se na e shpife!- i tha një sanitare që po fshinte. Ai futi dorën në xhep dhe nxori një pecë, që e vuri mbi buzë dhe hundë si maskë. Ajo ka qenë maska e parë që i kam i kam parë një njeriu.
(Më vonë mësova se Zefi kishte ardhur qyshë një vjeç në spitalin e madh. I kishin dhënë një shtrat diku nëpër pavione, dhe sillej prej dhjetë vitesh atyre dhomash e koridoresh. Mes pacientësh, sanitaresh, infermierësh. Qe rritur në spital. Patjetër që një të ngjashëm të Zefit ka patur parasyshë Alesandro Barico, kur ka bërë skenarin me njeriun që lindi e u rrit në traget, tek filmi “Legjenda e pianistit mbi oqean”).
Në ditët e Covidit shpesh më është kujtuar Zefi i fëmijërisë sime me maskën prej nape, që e pata lënë dikur në spitalin e Shkodrës. Më janë kujtuar njerëzit e pandemisë, me buzët dhe hundët e mbuluara me maska. Dhe do të kishte qenë e tmerrshme sikur epidemia te zgjaste pa fund. Atëherë ne kurrë s’do të mund të shihnim më, as fytyra të plota, as fytyra të bukura me buzë e hundë të rregullta. Një nga pjesët më të hijshme të njeriut do te ishte një herë e përgjithmonë nën maskë.
Një piktori italian, i cili hapi ekspozitën e tij këtu në Tiranë kur i tregova portretin e Motrës Tone, të Kol Idromenos, i pëlqeu shumë shamia e kapur me cepin e buzës. “Shumë fin ky gjest. Sikur pak më shumë shamia të mbulonte buzën, do të ishte e tmerrshme, mbasi do ta linte Motrën pa bukuri”.
Akoma dhe sot e kësaj dite, pas kaq e kaq vitesh, sillet vërdallë në kujtesën time, (si dikur koridoreve të spitaleve), Zefi i fëmijrisë sime, me napën mbi fytyrë.

Burimi/Facebook/Gegnisht/Denata Rroji

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *