Home

Lajme

Rudina Muharremi Beja – Një fjalë më pak

No Comments Argëtim Letersi

Ç’e mundon këtë njeri?!
Këto fjalë i erdhën ndër mend atë fillim të hirtë dite kur pa të kalojë si përherë atë burrë të imët, veshur me ca petka të lërosura.
Gjithmonë mbante kryet ulur me fytyrën vërenjtur e vështrimin ngrirë si të qe një hije në kërkim të shpirtit.
Çapitej skajit të trotuarit e kur dikush i afrohej pranë qoftë edhe për një përshëndetje, shterej i trembur e ndalonte frymën me dufin e rëndomtë të alkolit.
Pija e gërryente përditë, por ai nuk mund të jetonte ndryshe. Ndjehej shpesh fajtor për faktin se nuk mund të hiqte dorë, bile nganjëherë mendonte se ia kishte dalë pasi dehej më rrallë, por fenomeni përsëritej e përsëritej për gati gjysëm shekulli
Një ditë, një plakë e kurrusur më dysh e shau sa mundi e gati sa nuk e qëlloi me një shuplakë duke u larguar më pas midis rrëmujës së njerëzve kthinës ngjitur.
Tingujt e kambanave të kishës e ato të orës së madhe të udhëkryqit shponin qiejt duke lënë pas një ndjesi zbrazëtie të çuditshme ndërsa një tufë të rinjsh që e njihnin, talleshin me të.
Të dridhen leqet e këmbëve – i kish folur njëri, ndërsa të tjerët gajaseshin së qeshuri.
Shtyrë nga një kuriozitet që më tepër ngjante me një keqardhjeje pyes:
-Ç’farë i ka ngjarë këtij njeriu, përse talleni me të?
Ata qeshën duke e vështruar me një neveri të paparë dhe folën njëzëri;
“S’e sheh, tërë ditën tapë rri”
Burri mbylli sytë si për të dashur t’i fshihej rrebelimit të ndërgjegjes së tij e vijoi udhës për në shtëpi,
bëri disa hapa dhe ndjeu dhe më shumë të qeshurat e tyre; si ti shponin shpinën për një çast.
Të nesërmen djemtë u tallën sërish madje më i riu prej tyre i mori shallin nga qafa dhe e valëviste nëpër erë.
Për një çast ndaloi hapin si të donte të kërkonte brenda vetes pak kurajë e më pas guxoi të kthehej pas në atë tavolinë ku nëpërkëmbej përditë dinjiteti i tij.
-Ç’ dini për mua? – foli burri me vrull zemërimi dhe i ra tavolinës fort me grusht.
Mori frymë thellë, duke kërkuar një karrike dhe një pozicion të rehatshëm.
-Pa hë, çdo të na thuash mor i mjerë, nënqeshën dy bashkëmoshatarë të tij që e kishin parë shpeshherë të cekte fundin.
-Ju keni të drejtë, -kishte folur ai me ankthin e gabimit vizatuar në fytyrë që manifestohej me bulëza të ftohta djerse.
I vështroi drejt në sy dhe duke mbytur fundin e një frymëmarrje përsëriti;
-Keni të drejtë pasi ju nuk mund të dini …

  • Si mund ta dini ju që fëmijëria ime ka qenë një ferr i vërtetë. Ç’dini ju?! Bërtiti befas ai gjysëm burri, aq sa jehona e zërit të tij vuri një kapak të akullt heshtjeje.
    Të gjithë u tkurrën.
    Kam filluar të punoj që në moshën 14 vjeç me njerkun tim, punëdhënësi që më rrihte sa herë që diçka s’shkonte mirë,
    ndërsa nëna e trembur s’mund të bënte asgjë për ta ndaluar.
    Vetëm alkoli më shpëtonte nga ulërimat e tij dhe gjumi i vdekjes.
    Rrokullisi dy lot e vijoi;
    -Dhimbja që kam përjetuar nuk e ka braktisur për asnjë çast kurmin tim, as memorien time.
    Nuk fshehet ajo askund, ka mbetur si një njollë e verbër dhe vetëm një metamorfozë e ngadaltë mund të më ndihmojë ta harroj atje në një sfond të errët, për të jetuar sadopak pa peshën e atij mundimi ditët në vijim. Ajo, do të jetë gjithmonë e pranishme në plagët e prekshme por dhe në ato të padukshmet, -foli ai teksa prekte me gishtërinj një plagë të vjetër në ballë e mbi fytyrë zbriste ngadalë një vel trishtimi.
    Ngriti kokën duke kërkuar sytë e të tërëve e me një ton të prerë, vijoi:
    -Sjellja juaj sigurisht nuk më ndihmon, një fjalë më pak, ndoshta!…

Burimi/Facebook/Autorja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *