Home

Lajme

KËTU AS LULET S’MUND TA ZGJEDHIN NGJYRËN…

No Comments Argëtim Letersi

Mirënjohëse për botimin dhe prezantim e librit tim më të fundit i nderuar Z. Rexhep Shahu! Respekte gjithmonë!

KËTU AS LULET S’MUND TA ZGJEDHIN NGJYRËN…
(Doli nga shtypi libri i ri dy gjuhësh “Volevo Scrivere” i poetes Rudina Muharremi Beja, botim i Shtëpisë botuese e promovuese Klubi i Poezisë, Tiranë.)
Miq, Rudina shkroi, u shpreh, i shkroi letër botës edhe ne dhe sot doli libri i saj i ri, shqip – italisht, i dhjeti në radhë “Volevo Scrivere”.
«Zoti im,
më thuaj ku jam?
Këtu as lulet s’mund ta zgjedhin ngjyrën!…»
Lexoj këto vargje dhe them, po, e ka gjetë, i ka vu emër poetja kësaj që ndodh me jetën tonë, i ka vu emrin kohës tonë, ditës tonë, jetës tonë, ia ka bërë portretin me gjithë ngjyrat. Kaq vargje dhe nxitesh të bësh pafund komente.
Si botues i librit Volevo Scrivere të Rudina Muharremi Beja, me krenari mund të pohoj se kjo autore eshte nder ato raste të pakta në poezinë e letërsinë e sotme që i njihet zëri, ka veçantësi zëri i saj, është e pangatërrueshme me të tjerat poete, ka kufijtë e saj, fytyrën e saj, ka ngrohtësi, ëmbëlsi, ithtësi, ka befasi.
Vargjet e saj nisin qetë, dhe sa mendon se do të hysh në ndonjë monotoni, befas shpërthen dallga, nëse do të shpreheshim me dallgë, det e lumë.
Sot në maratonën e poezisë rendin mijëra poete drejt Everestit. Në këtë rendje dikush shfaq talent dhe di me u shitë në gazeta, portale, dikush din me fitue like dhe famë likesh nëper Fb e rrjete sociale, dikush din me hy në ekrane televizionesh e me u ba poet televizioni në tre vakte e dikush din me mbete poet në poezi e në vetmi. Në fakt poezia është ajo që kërkohet, që njerzit e kërkojnë si ujin e paktë në shkretëtirë, si grimcat e diamantit që nuk humbasin asgjë pse janë të fshehura në tokë. Njerzve u mungon diamanti jo njerzit diamantit që bën edhe pa njerëz.
Kam besuar gjithmonë se poezia nuk është ajo që recitohet e deklamohet para turmave qoftë edhe virtuale, poezia mendoj se psherëtihet, pëshpëritet, thyhet në gishta, pikon me lotin, prish ritmin e rrahjeve të zemrës, çel shtigje ëndrrash, të rrëmben në krahë fluturash, të dridh mjekrën, të përvëlon nga malli, të bën t’u thuash njerzve fjalë pa lidhje e kuptim, të ngatërrosh emra, fytyra e njerëz, të bën të thërrasësh në heshtje atë që do e të mungon rëndë e të shtangesh, të shkakton harrimin e vetes e të vendit ku je, të hedh diku tjetër në një vend pa emër…
Asnjëherë nuk është vonë për asgjë pasi koha ka gjithmonë kohë, por kur gjen vargje e poezi të bukura si të Rudinës, thua, pse nuk i paskam ditur e nuk i kam lexuar më parë. Kështu më erdhi të them për mjaft poezi e vargje të Rudinës.
Libri Volevo Scrivere ka vargje e poezi që do të doje t’i dije përmendësh, t’i bëje pjesë të ligjërimit poetik, t’i rrëfeje e t’i dhuroje si lule për dashurinë.
Askush nuk do të qëndronte indiferent para kësaj poezie :
«GJËRAT E RRALLA
Në fund
të mëdhenjtë mbetën të mëdhenj,
të vegjlit – njëlloj!
U thelluan humnerat,
avionët – krahët thyen,
direkë anijesh thërrmuan stuhitë,
u trembën dallëndyshet…
Lavdia udhëtoi mbi shputa ere
pajtonëve imagjinarë,
ndërsa gjërat e rralla arna qepën bërrylave
e mbetën ashtu si një far,
nën vetullën e hënës!»
Dy vargje nga poezia për babanë janë poezi e fshehur në fjalë
«At
s’kam mundur kurrë të shërohem
prej mungesës tënde që më rri lak…»
Ky është një libër që të bën të besosh se autorja ka folur me ne të gjithë dhe din shqetësimet e fshetësitë e dhimbjeve tona të shpirtit.
«Përmes fotosh udhëtoj në të shkuarën…
Humba dhe u harrova mes tyre
në kërkim të një pamjeje të pashkrepur kurrë!»
Unë nuk po bëj asgjë tjetër vecse po shkëpus vargje të bukura nga libri i Rudinës dhe po ua bëj të lehtë t’i lexoni :
«Malli im,
mos vallë kthehesh në fëshfërimë
erashkave të pemëve
që kyçin krejt trishtimin e dimrave,
malli im
që zemrën ma mbush me mungesë…
Përhumbem madhështisë së perëndimeve,
ku flladiten kujtimet…»
Në zgjedhjet e mia janë shumë vargje e poezi, por një prezantim urimi nuk duron më shumë.
«Dhe kur krahët e mi
Te ty të mos mbërrijnë
sepse treni yt larg do të të dërgojë,
me lutje do të të përqafoj
e do të të gjej…
në petalet e buta të një trëndafili…»
«Një kujtim mbjell dhimbje –
jetë mbart një kujtim…»

Dhe kujtimet janë pjesë e orëve të jetës tonë, «Largësi që tkurren e zgjaten pa mbarim… shenjtëri shpirti që me majë gishtërinjsh prek akorde të panjohura, shfleton shënjtërinë e një shpirti që s’mbërrij/të syve që më flasin përmes një vështrimi… ndërsa kërkon një pranverë, ndjen trishtimin tek zbret mbi vetull, atje ku flenë dhimbjet nën një psheretimë… ku fshehet shpirti nën gërmadfhat e fatit».

Dhe si fund, në heshtjen që ndërpritet nga bisedat e zogjve, poetja thotë :

“Po shkoj nënkateve të shpirtit
të rrëmoj mes rrëmujës time
e të vesh sërish një buzëqeshje…”

dhe thërret :

«Eja,
Eja, o Zot, na bëj bashkë të shpëtojmë…»
Sa bukur që poetja flet me Zotin, i lutet Zotit, i kërkon ndihmë, i beson Atij.
Urime Rudinë, pastë jetë të gjatë sa poezia e dashuria libri i ri dhe pasoftë librin e radhës.
Rexhep Shahu, botuesi i librit

Burimi/Facebook/Rudina Muharremi Beja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *