Home

Lajme

ARDITA JATRU, FITUESE E ÇMIMIT “POEZIA MË E BUKUR” NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR “NETËT KORÇARE TË POEZISË”

No Comments Argëtim Letersi

Në mesin e 28 poezive konkurruese, në Festivalin Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë”, poezia “Nona” e poetes Ardita Jatru, u vlerësua me çmimin “POEZIA MË E BUKUR.“

Poezia “Nona”, u vlerësua me motivacionin për ndjeshmëninë dhe nuancat estetike që përçuan plot emocion dhe përjetim në “Netët korçare të poezisë 2022”.

Ardita Jatru u lind më 1972 në Tiranë. Në vitin 1990, emigroi në Greqi ku edhe jeton.

Ka botuar përmbledhjet me poezi: “Alter ego”, “66 kg vetmi” dhe “As terr, as dritë” si dhe romanin “Krahë prej letre”.

Ardita Jatru së fundmi është botuar në Antologjinë e poeteve shqiptare “Magma”, përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci dhe botuar nga SHB “Littera”, Prishtinë.

Në vazhdim mund të lexoni poezinë fituese të festivalit.

NONA

Paska ardhur Nona dje natën.
I paska rënë derës.
Kam dalë unë ta hap
dhe paskam thirrë nga frika
kur kam parë Nonën në prag
teksa mbante një shkëmb në krahë.

Ti ke vdek,
i paskam thënë.
pse ke ardh?

Por Nona paska qesh me të madhe
dhe nga goja i ka shpërthyer një ujvarë.
Më paskan ra ca pika fytyrës,
e m’i paska tharë me frymë,
pastaj më paska thënë me zërin e butë të saj,
“Ani çiko,
m’bane me kesh.
Ty veç deshta me t’thanë
se dhimbta asht gjall’.
Po e marr Nona ma t’madhen pjesë,
e tash po ik,
tek deka
tuj kesh me ty,
veç mos i thuj Fatit që erdha.”

Po lëre shkëmbin,
shkëmbin, me vete
pse e merr,
i paskam thënë
dhe Nona s’paska fol
ka kthyer kurrizin
është ngritur në ajër
me peshën e dhimbtës në krahë
si pendë
e më paska lënë të tronditur për vdekje
në derë.
Pastaj paskam rënë në shtrat
e më paska zënë një gjumë i thellë
si rrenë
pa peshë
pa dhimbje.

ObserverKult

Lexo edhe:

NUK KAM DITUR ASNJËHERË T’I MBLEDH SHTËPITË NËPËR KUTI… POEZI NGA ARDITA JATRU

Burimi/observerkult.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *