Home

Lajme

Dibran Fylli – “I KËNDOJME LIRISË ”

No Comments Aktualitet Lajme

Urime datëlindja Komandant – dëshmorët kanë vetëm datëlindje
KËSHTU FILLOI FESTIVALI FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR
“I KËNDOJME LIRISË ”
Të kthehem para 22 viteve, që ta kujtoj themelimin e Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, nuk mundem të mos e kthej kujtesën edhe më tej, shumë më përpara. Nuk mund të mos e kujtoj paraqitjen artistike dhe angazhimin maksimal të Mujë Krasniqit, në programin artistik me Trupën Artistike “Zogjtë e Shqiponjës”, të themeluar në vitin 1995, në Likofc. Nuk mund të mos e kujtoj këngën e bukur “Thërret Prizreni…”, të kënduar, me aq përkushtim e mjeshtri, nga i madhi Mujë Krasniqi. Nuk mundem edhe shumëçka pa thënë!
Dëshmorët kanë vetëm datëlindje!…”, ishte thënie e Mujë Krasniqit, bashkë me krismat e pushkës: “Ooooo, prite Adem Jasharin, more, o, heeeej!”…
Këtu, nga kjo thënie e Mujës, i ka rrënjët edhe ideja për themelimin e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”. T’i këndojmë lirisë me Mujën e për Mujën. Ta kujtojmë Mujë Krasniqin-KAPUÇIN, duke kënduar me Të e për Të, dhe, hapja zyrtare e Festivalit bëhet pikërisht, në datëlindjen e MUJË KRASNIQI, më 06 qershor, sepse Ai vet e ka thënë “Heronjtë-Dëshmorët, kanë vetëm datëlindje!”. Dhe, kështu, në vitin 2000 nisën fillet e para për themelimin e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar.
-Ishte mesditë. Moti ishte i mirë, njerëzit kalonin rrugës sikur atë ditë, të mos kishte ndodhur asgjë. Unë, ecja udhës, me sy të përlotur, gjë që rrallë herë më ndodhë. Ecja dhe mendoja: Athua, e di Muja, për këtë që po ndodhë në Klinë… Jo, jo, nuk është e mundur, se, Ai, do të na thoshte: “Hej, mos keni gabuar, a e dini ju se më 6 qershor e kam datëlindjen?”.
Ecja, si të isha i humbur, pa e ditur se para Pallatit të kulturës, në Klinë, isha takuar me Idriz Berishën. Flisja, e s’e dija që po flisja me dikë; fliste, e s’e dëgjoja se më fliste dikush. Edhe kjo më ka ndodhur, është e vërtetë, por, ndoshta?, edhe mund ta besoi ndokush! Atë ditë, me Idriz Berishën biseduam gjer e gjatë . Biseda zhvillohej, kryekëput, për idenë time, që të themelohet Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, në Klinë, aty ku vetë Mujë Krasniqi kishte dhënë kontribut të pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare. Me Idrizin, u dakorduam që t’i hedhja në letër të gjitha idetë, ta bëja një skenar, me qëllim që ta shohim sesi do të dukej, në aspektin teorik ky manifestim. Dhe, kjo ndodhi.
Dy ditë më vonë, në lokalet e Pallatit të Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, dyert e se cilës, pas largimit të forcave okupuese serbe, ishin mbyllur me “myhyr çetniku”, kurse më 19 qershor 1999, ato dyer dhe ai “myhyr çetniku”, i hoqëm me kazmë, pa ndihmën e askujt tjetër, përveç Hazir Racit, tani të ndjerë. Aty, një vit më pas, po bëheshin diskutime, analiza e po përgatiteshin programe artistike… Në një zyrë të vogël, mbi tavolinë, i hodha të gjitha, që i kisha përgatitur për dhe rreth Festivalit. Tanimë, ishte prezent, përpos Idriz Berishës, edhe Ismet Krasniqi, e, më vonë, e ftuam edhe Gani Morinën, që të na ndihmonte për përgatitjen e një rregulloreje të punës, sipas rregullave, akteve e normave juridike.
Më vonë, në fillim vitin 2001, me iniciativën time, është thirrur një takim pune në Pallatin e Kulturës, që kishte të bënte me organizimin e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar“I këndojmë lirisë”, në shenjë kujtimi për Komandantin e lavdishëm të UÇK-së, Mujë Krasniqi – KAPUÇI.
Në takimin e parë ishin të pranishëm: Idriz Berisha, Ismet Krasniqi, Prend Buzhala, Rrahim Gashi, Hysni Raci, Hashim Haliti, Ramadan Selimi, Gani Morina, Halit Gashi, Zef Prenaj dhe Skënder Gashi. Pas përfundimit të takimit, u mor vendim që të ftohen të gjithë ata që me dëshirë do t’i bashkëngjitën karvanit të organizimit të kësaj feste të bukur kombëtare, si dhe u caktua takimi i radhës.
Në takimin e dytë, u caktua Këshilli Organizativ, u ndërtuan grupet punuese dhe u ndanë detyrat e secilit grup dhe individ që do të ishte në organizimin e këtij festivali.
Këshilli i parë Organizativ e kishte këtë përbërje: Dibran Fylli, kryetar, Idriz Berisha, skenograf, Ismet Krasniqi, zëvendës, Skënder Behramaj, dizajner, Rrahim Gashi, Hysni Raci, Hashim Haliti, Ramadan Selimi, Gani Morina, Zef Prenaj, Skënder Gashi, Halit Gashi, Prend Buzhala, Kamer Raci, Refki Krasniqi, Xilaje Hyseni, Skënder Raci, Brahim Fylli, Enver Marmullaku, si dhe u caktua grupi i gazetarëve që do ta njoftonin opinionin me atë që po ndodhte në Klinë; Prend Buzhala, Enver Maloku, Skënder Raci, Agron Gashi, Daut Gashi, Sadri Haxhaj e të tjerë. Me propozimin tim dhe me miratimin e KO, u vendos që vendi i parë të nderohet me Çmimin “MUJË KRASNIQI”, si dhe të disenjohet Emblema, vula dhe Flamuri i Festivalit, pastaj, me propozime, sugjerime e ide të ndryshme, u vendos për ndarjen edhe të shpërblimeve të tjera, si: Vendi i dytë dhe Vendi i tretë, Grupi më i kompletuar, Veterani i festivalit, Teksti më i mirë, Veshja më autentike, Çmimi i publikut dhe Instrumentisti-ja më i-e mirë.
Puna intensive, e palodhshme dhe plot entuziazëm, e këtyre aktivistëve të kulturës, bëri që Festivali të mbahet pa pengesa, si për nga organizimi, pjesëmarrja e grupeve konkurruese, financimi e punë tjera, që u kryen dhe zgjatën plot pesë muaj, deri te fillimi i mbrëmjes se parë garuese. Festivali i parë u mbajtë nën patronatin e Akdemisë së Mbrojtjes, Komandant i së cilës ishte Gjeneral Rexhep Selimi nga i cili kishim përkrahjen maksimale morale.
PUNA DHE ANGAZHIMI VAZHDUAN
Në Festivalin e dytë, të vitit 2002 u bënë ndryshime pozitive. Në janar të atij viti, të gjitha vendimet e Këshillit Organizativ, Flamurin, vulën, skenarin dhe dokumentet zyrtare, i dorëzuam në Zyrën Komunale për Kulturë, te zyrtari i atëhershëm, z. Idriz Berisha, dhe, me një kërkesë, iu drejtuam Kuvendit Komunal të Klinës, për zyrtarizmin e Festivalit, gjë që, më 8 prill 2002, Kuvendi Komunal, në seancën e III-të, të rregullt, mori vendim për Zyrtarizimin e mbajtjes se Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, në Klinë. Pas zyrtarizmit, u caktua takimi i radhës dhe u raportua për punët organizative të grupeve punuese.
Dy ditë më vonë, u mbajt takimi, në zyrën e z. Asllan Krasniqi, për zgjedhjen e Drejtorit, Sekretarit dhe Arkëtarit të Festivalit. Me kundër kandidat, me vota të fshehta dhe me shumicë votash u zgjodhën organet zyrtare të Festivalit, në këtë përbërje: Dibran Fylli, Drejtor, Ramadan Selimi, Sekretar dhe Xilaje Hyseni, Arkëtar. Pastaj, nga drejtoria e Festivalit, u vendos që të zgjidhen organet tjera, në përbërje të KO.
Në krye të Këshillit Artistik u zgjodh Ismet Krasniqi si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Artistik: Rrahim Gashi, Zef Prenaj dhe Nysret Kadriu, po ashtu u ngritën edhe komisione e grupe punuese, si: ai për grumbullimin e mjeteve financiare, për pritjen dhe përcjelljen e mysafirëve, për ndërtimin e skenës që do të ndërtohej para Pallatit të Kulturës, për vendosjen e publikut gjatë mbrëmjeve garuese, si dhe shumë grupe të tjera punuese, dhe, që të gjithë e kryen detyrën me nder e me përkushtim të madh, ashtu siç do kishte dëshiruar edhe vetë Komandant Mujë Krasniqi, për Klinën e tij, që po frymonte lirshëm.
PËR FUND
Festivali u mbajt shumë vite, pa prezencën time fizike, në Klinë, (dihen shkaqet). U mbajt dhe u organizua falë përkushtimit të atyre që e dinin vlerën e festivaleve, të lirisë, të luftës çlirimtare dhe të komandantëve të saj.
Kështu, Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë” nisi hapat drejt sukseseve, ky është krejt historiku i tij, e vërteta, pa rrena! Këtu e ka datëlindjen, këtu është ideatori e themeluesi dhe këta ishin nismëtarët e tij, të cilëve u printe fryma e lirisë, të cilën ua dhuroi gjaku i Komandant Mujë Krasniqit – KAPUÇIT dhe i Dëshmorëve tjerë të kombit.
Sot, në vitin e 20 Jubilar të Festivalit isha në Çabiq. Po isha dhe pashë e çka nuk pash! Asnjë përshëndetje për ideatorin e themeluesin e Festivalit! U bë hapja e Festivalit, duke anashkaluar rregulloren që del nga statuti që Festivalin për çdo vit ta hapë një nga ushtarët e bashkëluftëtarët e Komandant Mujë Krasniqit.
Kjo do t’i bënte nder Festivalit edhe organizatorëve…nejse, unë jam këtu që t’ua sjelli ndërmend se ende jam gjallë.

KËNGË PËR FESTIVALIN

Sot e gjithë Shqipnia
U nisë për Çabiq
T’i kënoj festivalit
I këndojmë lirisë

Bash të kulla gurit
Mu në mes t’Çabiqit
Sot po jehon kânga
Pushka e Mujë Krasniqit

Tash kur Festivali
Po i mbushë 20 vjet
Kângë e Mujë Krasniqit
Armikun e vret

Sot po feston Klina
Po feston Shqipnia
Sot këtu po bashkohen
Krejt trojet e mia

Sot gjithë Dardania
Festën e ka nisë
Edhe gjithë Shqipnia
Po i këndon lirisë

Refreni
Beqa e Alia
Trimat e Shqipnisë
Asht vet Mujë Krasniqi
Simboli i lirisë.

Dibran Fylli ‘2020

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *