Home

Lajme

Sulejman Abazi – ISHULLI I PERENDISE

No Comments Argëtim Letersi

Sazan, ishull perëndie,
Me historinë tënde me nure,
Mijëra vjet të përkund deti,
Shkëmb gjigant, kurrë s’u tunde!

Hedh vështrimin në dy anë,
Mbi Jonian me jugë shumë,
Në veri Adriatiku,
Me butësi, të përkund.

Retë mbi vete freskojnë ballin,
Dielli, kur prek horizontin,
Një magji e perëndisë,
Buron hirshëm, dritë nga kozmosi.

U rrita rërës së Vlorës,
Në Skelën e djalërisë,
Hidhja sytë nga Sazani,
Pulëbardhë e perëndisë.

Dy krahë gjigandë shikoja,
Ulur fëmijë te Turizmi,
S’dija shumë, veç ëndërroja,
S’dija, pse më digjej shpirti!

Molin i heshtur kundroja,
Njerëz zbrisnin nga anija,
Si milingonat në radhë,
Sa dhe syve s’u besoja.

Atje jetonin njerëz,
Histori dëgjoja shumë,
Ku ta dija unë fëmijë,
Atje do të isha dhe unë.

Kur ngjisja Përroin e Hijes,
Dilja vrap nën Kaninë,
Shikoja gjirin e Vlorës,
Dorë e Zotit, bukurinë.

Hyja në kala me droje,
Mure të lartë e të sertë,
Nga bedenat e vështroja,
Sazanin, shkëmbin mbi det.

Vitet iknin unë u rrita,
Skënderbegas i gjimnazit,
Shkollën e blertë mbarova,
Atje e kisha fatin.

Erdhi dita, atje të shkoja,
Në ishull të Sazanit,
Të jetoja, të punoja,
Në këtë pjesë të vatanit.

Eh, kjo fëmijëria ime,
Nga Skela në Ujë të Ftohtë,
Lindë e rritur ballë Sazanit,
Tani ishim bërë tok.

Një ditë mbi truallin tënd,
Do të vija, si të tjerë,
Më prite si brin tënd,
Më fale ditët në verë.

I rritur me kripë deti,
Nuk mendoja më çudira,
Hidhja sytë në histori,
Të mësoja emra trimash.

Dimrit ulërinte deti,
Erë e ftohtë e Adriatikut,
Verës vapa përvëlonte,
Çante gurin, në mes të pikut.

Më mundonte shumë mërzia,
Në ishull s’kish nga të vejë,
Si hardhia në furkaçe,
Ik andej, hajde këtej.

Sazan, ishulli me derte,
Prite e përcolle shumë,
Sofër bujare ilire,
Bëre emër, bëre punë.

Legjenda e Robinsonit,
Me llagapin e Kruzosë,
Të shkonte për shtat me hije,
O gjëmëmëdhi në shqotë!

“Sazani e Karaburuni,
Janë vatanet e mia,”-
Kështu thosh Smail Qemali,
Pas, i vate historia.

E dinte plaku me mjekër,
Patrioti zemërbardhë,
Si Sazan s’do kishte tjetër,
Roje shkëmbi, për vatanë.

Gjurmët skalitur në gurë,
Gjurmë lotësh të tharë,
Pika gjaku dhe mjerimi,
Të burgosur dhe të vrarë.

Pushtuesit të kthyen në burg,
Për djemtë e Mëmëdheut,
Por s’ta shuan dot lavdinë,
O diamanti i Mesdheut!

Fanari poshtë në bazë,
Ndizej, fikej për anije,
Kishe jetë, kishe shpirt,
Hijerëndë kërcënoje.

I doje detrat të pastër,
Nga ata, që të vrojtonin,
Të të gjenin të përgjumur,
Të vrisnin, shkatërronin.

Se mbylle synë në gjumë,
Shqiponjat i kishe brenda,
Nga majat vigjëlonin,
T’i shihje, ta kishte ënda.

Synë ta vuri moskovi,
Të donte bazë për vete,
Thonjtë të vinte në grykë,
Të na shuante, të na treste.

Të quajtën gur i detit,
Të bënë vendin e piratëve,
Të falën çelsin e Otrantos,
Nam e nder, sofër labe.

Pas 25 vite të shkuar,
Erdha prapë të të vështroja,
Vërtet, më kish marrë malli,
Vura këmbën, e kuptova.

Nur i mirë të kishte rënë,
Mbi kodrat e majat lart,
Gjelbërimi, si kurorë,
Luleverdhat, bojë artë.

Bëmë shumë për jetën tonë,
Ç’të kishte dhënë natyra,
Nxorëm ujë e mbollëm pemë,
Të rrethuar nga të gjitha.

E dinim, se në rast lufte,
Do të luftonim të rrethuar,
Mblodhëm mendjen, u betuam, Historinë, për të shkruar.

S’të preku dora dhe spata,
Nga ujqërit me dy këmbë,
Shpëtove, nderin e gjënë,
Të lënë rehat, mirë do bëjnë.

O, bëhu nuse me drita,
Për Vlorën e Shqipërinë,
O, të lënë rehat, siç je,
Në heshtje, me historinë.

Brezat që jetuan vitet,
Gjirit tënd të bekuar,
Do të flasin, të kujtojnë,
Sazanin, në kohë të shkuar.

Si vizitorë do të zbresin,
Në tokën tënde bujare,
Me mall shumë do të puthin,
Shpirtin, zemrën plot me halle.

Pak vargje, unë të shkrova,
Gjashtë vjet të jetës time,
Brenda teje burrërova,
Mësova shumë ligjërime.

Për shumë burra dhe gra,
Plot fëmijë që përcolle,
Të parin vend vatani,
Shpirtin në dashuri ua mbolle.

Sazani me derte shumë,
Hijerëndë e fjalëpak,
Ktheje buzëqeshjen tënde,
Fytyra në dritë të dalë.

Në dritën e diellit të jetës,
Të flasësh për historinë,
Brezat në gjenerata,
Këngë të thurin, për lavdinë.

SOLOTHURN 09.06.2022

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *