Home

Lajme

Aleksandër Çipa – Vetmia pa boshësi

No Comments Argëtim Letersi

Në honin e brendshëm të vetes,
Ndjej si lëviz një flutur.
Tej,
e skaj më skaj, hedh dritë fluturimi,
Si në një rrugë eterne ku merr kuptim veç hija.
Ndërsa shkon ajo flutur…

Kohë e hapësirë tjetër brenda meje,
Ku bota përsëritet në formësi të pafotografueshme,
Shumë më e pamatë nga botët që shohim,
Shumë më e ndryshme nga botët që perceptojmë,
Në atë ajri me drita dhe natë,
Ndalesat dhe ikjet janë kotësi që nuk vlejnë dhe gjuhë të padëgjueshme,
Brenda vetes sime
Janë hapësirat në lëvizje,
Janë botët e pashkelshme, të paprekshme si qiejt,
Ku flutura të fantazueshme nuk kanë krahë, as sy.
Por enden pa përplasje në hapësira të epërme.

Në thellësitë e mia
prej nga vijnë e shkojnë mendimet,
Janë gjithë fshehtësitë e padëmshme dhe të bukura,
Sendërtohen në to adhurimet dhe ndjesitë,
ato që kanë vdekur dhe shfaqen si rite,
Ato që me dhimba ma gozhduan shpirtin,
në kurmin tim të vogël,…gjurmë pikëllimash.
Në thellësitë e mia janë dhimbjet që s’rreshtin,
mungesa në shtim dhe lutje të ardhme.
Asnjera prej tyre nuk rikthen të munguar,
As ditë që i jetova dhe do t’i doja sërrish.

Në atë thellësi që s’ka sy për ta matur,
Për ta çmuar,- çmimet nuk vlejnë,
Është koha dhe sytë e të tjerëve zhbirues,
Që as i panë e peshuan, as i çmuan dhe vranë,
Sepse në këtë thelli,
Zotëron rend i durimit dhe vetive,
Që ende i kam, si bricjap i janarit.

Kodikët e jetës janë shumë e të pambetur,
Mesharit tim i vjetërohen ditët në ikje,
Por thellë kujtesës, në atë arkiv padukshmërie,
Ndjek një flutur eterne dhe rizgjoj shumëçka,
ato kohë i rikthej në frizer të dëshirtë,
veç brenda thellisë sime natë-dritë.

Brenda thellisë sime është një gjuhë që vjen,
Me gjithë mundësitë që e folmja s’i pat.
Fjalët nuk vlejnë dhe zëri nuk duhet,
Flitet me shikim të ëndërrt mendimi,
Në atë pafundësi të fshehur në mish,
Ku vetëm vetmia nuk është kurrë boshësi,
Lëvrin jetë tjetër dhe shfaqen ata,
Që me lot dhe trishtim i përcjellim nën dhe,
Deri sa dhe ne, në atë galaksi,
do të na gjejë kërkueshëm,-
shpirti i gjallueshëm.

Qershor 2022

Piktura nga Meri File ( in my dream…)

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *