Home

Lajme

Miranda Haxhia – Iku edhe Meri Lalaj, u nis ‘Çajka’ fluturim drejt ‘Pogradecit’ te saj te perjetshem.

No Comments Argëtim Letersi

Vdekja nuk ekziston, njerezit vdesin vetem atehere kur ne i harrojme. Nese do dime ta kujtojme Merin tone te dashur, do te jete gjithmone mes nesh.


Per ta kujtuar Merin, nje cope nga romani i jetuar, ‘Vaji i gurit’.
…..

  1. A vriten ëndrrat?
    Një shtrim i beftë në spital e njohu me një paciente trupvogël nga Pogradeci, gojëmjaltë e që fliste mjaft bukur. Ishte Meri Lalaj, mësuesja e anglishtes. Për ata të dy spitali nuk kishte as mure, as kampe internimi, as paragjykime. Zbuluan vetminë e njeri- tjetrit e morën e i bashkuan në një ëndërr të bukur.
  • Çfarë është kjo histori? – iu vërsulën njerëzit Merit. – Ti je për bukuri mësuese, të mpleksesh me një njeri me ‘damkë’?! Të martohesh me një njeri të cilit pushteti i ka varur të atin dhe pushkatuar gjyshin? … Çfarë të lidh me atë njeri?… Punë e madhe se flet anglisht ai… Punë e madhe se është i lexuar… E kupton që ai përfiton nga ty? … E kupton që po shkatërron familjen tënde?… Ku do jetosh me atë njeri? Çfarë dashuria, dashuria!… Lëre, mos fol gjëra të tilla! Nuk është gjë e këndshme të dëgjosh nga goja jote, edhe sikur të ishte një shaka.Pse, çfarë kujtove ti, do shërosh plagët e Alizotit me dashurinë tënde?
    Por njerëzit nuk e kuptonin. Ata që flisnin për dashurinë, ishin ata që nuk e njihnin. Meri dhe Xiko duheshin. Ishin njerëz prej gjaku.
    Ata që i flisnin apo e paragjykonin ndjenjën e e dashurisë, e patën ndërtuar jetën e tyre duke përzierë bashkë pak simpati, një farë keqardhjeje, llogaritnin leverdinë nga martesa. Kush ka provuar se çfarë do të thotë të duash, siç e dinte Meri dhe Fejziu, do të ishte i pazoti për llogari e dhimbshuri frikacakësh.
    Nga spitali, ia mbathën të dy për te streha e Xikos. E çoi nusen te mamaja. Mes asaj humbëtire, ku Vera gdhihej e ngrysej e ngjyer me dheun e punës së vështirë me kazmë e lopatë, lajmi i martesës së tyre ishte si një lule që çelte mes pllakash të rënda betoni. Vera qau fshehurazi për lumturinë e të birit. Doli jashtë e iu lut hënës në qiell që t’i mbronte. Ajo grua, më mirë se kushdo e dinte çfarë të ndodh, kur të arrestojnë burrin.
    Meri e Fejziu, po aq vrullshëm sa u deshën, po aq shpejt sollën në jetë një vogëlushe të bukur. Oh sa e bukur ishte Manjola, mbesa ime! Si Mund të ishte ndryshe? Kishte ardhur nga dashuria.
    Me Manjolën në krahë, Xiko e Meri mbërritën në Manzë, e të vetëdijshëm se nuk erdhën në qytezë përrallash, futën kokën në barrakën e internimit. Meri erdhi në Manzë me gjithë librat e ëndrrat e saj. U përpoq shumë të gjente punë, por damka e të shoqit e përndoqi keq e më keq.
    Gjysmën e barrakës e mbushën me libra, pjesa tjetër e mbushur me zërin e njomështirës Manjolë. Manjola njohu barrakën si shtëpinë e saj magjike, aty mama Meri i lexoi përrallat e para, i mësoi dritaren, qiellin, botën, e njohu me fluturat e lulet. Kishte edhe shumë gjëra që Xiko e Meri nuk ia thoshin dot bijës së tyre. Duke u rritur, nga viti në vit, me sytë e fëmijës ajo vajzë e bukur dhe e zgjuar, filloi të dallonte trishtimin e mamasë, lodhjen e rraskapitjen e të atit që punonte si minator.
    Në përrallat që krijoi Manjola, nuk kishte fund të lumtur.
    Vetminë dhe izolimin e tre njerëzve që duheshin fort e shkallmoi, përveç mohimit të punës si mësuese, përbuzja e njerëzve ndaj martesës së pazakontë të një njeriu me ‘damkë’ dhe Merit, që ishte e shkolluar, mësuese, e anës së tyre. Njerëzve të pushtetit iu dukej se ishin tradhtuar, apo ishin mundur nga një njeri i dëbuar. Si mund të ishte i lumtur ai? Si mund ta bënte të lumtur i deklasuari një vajzë të pastër e të pafajme. E ka mashtruar, me siguri. T’ia bëjmë të pamundur jetesën së bashku.
    Pa erdhi edhe një shi i tmerrshëm që zgjati tre dite e tre net, që hyri e përpiu në barrakën e tyre çfarë gjeti: tesha, libra, sende, fotografi, dorëshkrime. Litarët e çurgjet e ujit i kthyen në baltë të ngjeshur qindra faqe librash që Meri e Fejziu i kishin si frëngji për të parë çka të tjerët mezi e dallonin. Çfarë kanë më tepër ëndrrat, kur i prish zgjimi i mëngjesit? Po, ëndrrat kishin shpresën. Në jetën e tyre, shpresa po jepte shpirt. Nga përmbytja e barrakës, shpëtuan vetem Manjolën.
    Merit nuk i dhanë asnjë punë. Shkolla e saj nuk pinte ujë. Jeta ishte si një libër me fletët e ujosura nga balta e shiu. Ndaj, jo gjithmonë zemra e përballonte realitetin që u përpoqën ta fshehin ata që shërbenin dogma e bënin propagandë për jetë të lumtur në Shqipërinë socialiste.
    Tash e tutje, ata nuk kishin nevojë as për librat.
    Do shkruanin librin e jetës dhe të vuajtjeve të tyre. Meri e Manjola ikën nga ai vendth e u strehuan në Pogradec. Manjola filloi shkollën, Meri u fut mësuese.
    Xiko mbeti vetëm, ashtu si unë, babai i tij, mbeta vetëm, pasi u ktheva nga Anglia, ashtu si mamaja e tij mbeti vetëm, kur më ekzekutuan, ashtu si nënë Ismihani mbeti qyqe, kur pushkatuan babuin, ashtu si vetë ai kishte mbetur vetëm në krahët e gjyshërve për tre vjet në kampin e Tepelenës.
    Jeta e atyre njerëzve nuk kishte asnjë ngjashmëri me historitë e librave. Por ja që ngjashmëria gjendet në fatin e atit e të birit.

Burimi/Facebook/Autorja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *