Home

Lajme

Sulejman Abazi – ELEGJI PËR VËLLEZËRIT JASHARAJ!

No Comments Argëtim Letersi

(Ne pervjetor te clirimit)

Vëllai gjak i shkruar,
Thellë thellë në damarë,
Vëllai për vëllanë jep jetën,
Ashtu si në kohë të parë.

Të dy bashkë në dheun mëmë,
Erdhën në kohë të vështirë,
Të përgatiteshin për luftë,
Më të fortë e më të mirë.

Hamza, njeri epik,
I matur e mendjemprehtë,
Ademit i rrijë pranë,
Me merak, e me siklet.

Siç s’ndahet toka nga qielli,
Det e lumenj të bashkuar,
Ecnin krah njeri-tjetrit,
Bashkë në rrugë të bekuar.

Dashuri vllazërore,
Të dy gjak të Kastriotit,
Me shpirt të përcëlluar,
Si zhegu, në mot të motit.

Burri urtë shtronte fjalën,
Mendjen kishte të qetë,
Zjarri brenda përcëllimës,
Si prushi nën hi, që djegë.

“S’kena, ku me shkue na,
Këtu do ta bëjmë dekën”,
Fjalëurti Hamz Jashari,
Respektonte amanetin.

“Dhe Evropa me hap dyert,
Na trojet s’i lëshojmë,
Nga Pellazgët e ilirët,
Këtu jem denbabaden”.

Në Durrës, në mes të shokëve,
Ademi vrik në këmbë,
I drejton gishtin “Plakut”,
Tjetrën dorë përmbi zemër.

“Na shihni mirë, profesorë,
Na këtu nuk do të jetojmë,
Për Kosovën do të japim jetën,
Koha do ta tregojë”.

“Liria është e shtrenjtë,
S’ka rrugë tjetër, veç pushkës,
Ju do të rroni për ne,
Të tregoni histori të luftës”.

“Kadal, kadal, bre vëlla,
Leri budallakitë,
Ne do të bëjmë ç’ka duhet,
Rrugën bashkë kemi nisë”.

“Qyre, qyre, mos i flisni,
Ai s’di ç’ka po ban”,
Hamza me humor të lehtë,
Qetësonte të vëllanë.

Fjalëurti Hamzë Jashari,
Hapte krahët si shqiponja,
Shokët përreth qetësonte,
Si zogjtë te këlloçka.

“Jemi në Shqipërinë nanë,
Ajo na ka munguar,
Do të luftojmë e do të rrojmë,
Në Kosovën e çliruar”.

Mes bulevardit një ditë,
Iliaz e Sandokan në krahë,
Ademi plisin në kokë,
Me shqiponjë në ballë.

Ndihej në vend të tij,
Mes vëllezërish shqiptarë,
Bulevardit të Tiranës,
I dhanë nur atdhetarë.

Vëllezër lindur një gjak,
Hamzë e Adem Jasharë,
Shpresë për djem të tjerë,
Të gjithë të bërë bashkë.

Histori kemi dëgjuar,
Me Abel e me Kainë,
Kanë vrarë njeri-tjetrin,
Për egoizëm, për cmirë.

Dy vëllezërit shqiptarë,
Ishin shpirti i njeri-tjetrit,
Pranë kishin Sandokanë,
Iljaz Kodrën, nur lezeti.

Ideali i bashkonte,
Mbështetën kokën te nëna,
Edhe pse ajo lëngonte,
Shpirti ndriste porsi hëna.

Në gji të saj kish djalërinë,
Të ardhur nga viset bashkë,
Betimin bënë për luftë,
Shkjaun ta shporrnin tej, larg.

Dramë dhimbje mes vëllezërish,
Dhanë besën për jetën,
Ideali s’donte emra,
Shpirti, zemra, donte veprën.

Kish trokit lufta në prag,
Të bënte ndarjen e madhe,
Ajo kërkonte armë,
Të ndizte tërë istikamet.

Mendje kthjellët po vepronte,
Thyen kufirin sa herë,
Nën hundë të armikut,
Rreziku s’ishte qederë.

Spiunët çakenj,
Dhëmbckërmitur të vrerosur,
Kur shikonin vëllazërinë,
Të lirë e të vendosur.

Kjo bishë e mallkuar,
S’kurseu gra e fëmijë,
Duar me gjak n’bërrylë,
Krime kundër njerëzisë.

“S’kemi, ku me shkue,
Këtu do të vdesim,
Do ta çlirojmë Kosovën,
Të ndrijë amaneti”.

Ju panë, kur u betuat,
Mbi varr të Tahir Mehës,
Drenicën bëtë kështjellë,
Të pushkës, të besës.

Në Front të Rezistencës,
Dhatë kushtrimin e lirisë,
Kishte ardh orë e madhe,
Dhëmbë për dhëmbë me hordhitë.

“Sa yjet në këto troje,
Jemi e do të jemi mbarë,
Ardhacakët t’i shtyjmë tutje,
Andej nga kanë ardhë”.

U trondit Prekazi rëndë,
Në rrethim komandanti,
Ushtri e polici në këmbë,
Në vorr po dridhej Knjazi.

Morën këngën e Çerçizit,
Plumba derdhën mbi armikun,
Bënë Epope të Madhe,
Sa dhe botën e tronditën.

Epopeja vrau frikën,
Shkjaut kufirin te thana,
Hapën shtigjet e lirisë,
Nder lavdi në vorre të bardha.

Në çdo mars do të vijmë,
Me dorë në zemër shqiptare,
Çdo herë do përkulemi,
Para Legjendës së Madhe.

Solothurn 13.06.2022

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *