Në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut inkurajoj të gjithë qytetarët, në veçanti të rinjtë dhe të rejat në mbarë vendin të mposhtin indiferencën dhe t’i bashkohen kësaj kauze fisnike e humane duke u bërë dhurues të rregullt për të shpëtuar jetë dhe ndihmuar këdo që ka nevojë kritike për gjak.
Në këtë ditë të rëndësishme ndihem krenar për Aleancën e Dhurimit të Gjakut dhe kontributin e saj të qenësishëm për këtë kauzë, sidomos në kriza të vështira, si pandemia Covid-19. Falenderoj të gjithë vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak, institucionet qendrore dhe lokale, që kanë promovuar dhe nxitur në mënyrë të vazhdueshme dhurimin e gjakut, komunitetet fetare, Qendrën e Transfuzionit të Gjakut dhe mjekët e saj, që punojnë çdo ditë me pasion, për të siguruar gjak për të sëmurët në nevojë.
Mirënjohje të veçantë për Kryqin e Kuq Shqiptar, shoqatën më të vjetër humanitare në Shqiperi, që jep një kontribut të vazhdueshëm dhe që është gjithmonë e angazhuar në sensibilizimin për dhurimin e gjakut dhe përmirësimin e jetës dhe dinjitetit të njerëzve në nevojë!
Në vlerësim të kontributit 100-vjeçar të Kryqit të Kuq Shqiptar, vlerësova sot, Presidentin e parë të saj pas Luftës së Dytë Botërore, Dr. Elmaz Konjari, për angazhimin e vyer, të dhënë për ringritjen dhe veprimtarisë humanitare të kësaj shoqate.





Burimi/Facebook