Home

Lajme

Idajet Beqiri – Shoqata Atdhetare Kulturore Mallakastra , takim urgjent…

No Comments Aktualitet Lajme

Sot në orën 18.00, të datës 12 qershor 2020, te Hotel DORO, Tiranë, Shoqata Atdhetare Kulturore Mallakastra, thirri në një takim urgjent pune intelektualë, arkeologë, akademikë, profesorë të fushës së historisë, të kulturës, të arkeologjisë, të jurisprudencës etj, me të cilët diskutoi rreth “bajgës” që lëshoi Vittorio Sgarbi, se gjoja “Bylisi është kulturë greke”!
Megjithëse në kushte pandemie, ku një pjesë e pjesmarrësve ishin të detyruar të komunikonin në skype, ndërsa pjesa tjetër ishte e pranishme në sallë, ku u respektua me rigorozitet distancimi fizik, interesimi për këtë diskutim “të nxehtë” ishte i madh.
Vittorio Sgarbi është një kritik arti i mirënjohur në Itali dhe është pritur dhe konsiderohet në vendin tonë si mik i Shqipërisë.
Lëshimi prej Vittorio Sgarbit i kësaj “mufke” të pavërtetë, absurde, dashakeqe dhe provokative, vlerësuan diskutantët e shumtë që morën fjalën në këtë takim të rëndësishëm pune, nuk është një rastësi e rëndomtë.
Ky incident provokues u bë pikërisht tani, në kohën që BE, pasi ka miratuar një fond prej 6 milion euro për të bërë punime dhe ristrukturime në Bylis, te kjo kryevepër historike, kulturore, arkeologjike, turistike dhe ekonomike e Mallakastrës dhe e gjithë Shqipërisë.
Në mënyrë jo transparente, duke mbajtur larg faktorin kryesor ku bëhet ky investim, në një kohë që mendohet se ky faktor duhet të përfitojnë drejtpërdrejtë prej tij, sikurse është komuniteti i madh mallakastriot, po përgatiten “letrat” që ky fond t’i kalojë për menaxhim Koperacionit Italian dhe 6 milion eurot e BE të bëhen siç thonë mallakastriotët “dhëntë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres”!
Shoqata Atdhetare Kulturore Mallakastra dhe intelektualët e saj, në datën 16 shtator 2019, përmes një letre zyrtare, i kanë kërkuar Ambasadorit të BE, Zotit Soreka, i cili për hirë të së vërtetës është shtetas italian, që të merrte në konsideratë faktorin Mallakastër dhe mallakastriot në menaxhimin e këtij investimi, faktorin shkencor shqiptar, posaçërisht të profesorëve tanë të shquar të arkeologjisë që e kanë zbuluar dhe e kanë nxjerrë në dritë BYLISIN. I kemi kërkuar që të merrnin në konsideratë faktin që shteti shqiptar ka investuar për 40 vjet me radhë rreth 20 milion euro në Bylisin që kemi sot, dhe të mos e kthejnë këtë supervlerë, në një “mollë sherri” mes qytetërimit ilir të Bylinëve, me kulturën shoviniste e grabitqare greke!
Për fatin e keq, për 9 muaj me radhë, nuk morëm asnjë përgjigje, çka është e papranueshme dhe e patolerueshme për një mision kaq të rëndësishëm diplomatik të BE në Shqipëri! “Përgjigjen” e morëm nga Vittorio Sgarbi para pak ditësh, por që nuk ju “kursye” kundërpërgjigja shkencore e profesorëve tanë të nderuar Neritan Ceka dhe Auron Tare, me të vërtetën absolute të të qënurit 100 përqind kristal i pastër, pa asnjë njollë, të Bylisit kulturë e lashtë ilire, në zemrën e Shipërisë, sikurse është Mallakastra.
Nuk po e kuptojmë dot qëndrimin “heshtje varri” të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë…
Paralajmërojmë se Mallakastra dhe mallakastriotët, nëse vjen puna që të zbatohet kështu, i dyshimtë dhe me prapamendime, në dëm të historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, duke nxjerrë “jashtë luftimit” Bashkinë e Mallakastrës, Shoqatën Atdhetare Kulturore Mallakastra, Institutin e Arkeologjisë pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, Arkeologët Neritan Ceka dhe Skënder Muço, që kanë dhënë shpirtin e tyre në këtë supervlerë të kombit shqiptar, do t’i themi “vafsh në djall” këtij fondi 6 milion euro të BE, sepse do t’a sigurojmë prej vet komunitetit mallakastriotë kudo që ndodhen…
Për hapat që do të hedhim dhe masat që do të marrim në vazhdimësi, do t’ju mbajmë të mirinformuar…

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *