Home

Lajme

Nikollë Kaçorri (1865 – 1917)

No Comments Argëtim Histori

RUBRIKA RRAJËT
(PËR MOS ME HARRUE RRAJËT)
Nikollë Kaçorri (1865 – 1917)
NR.49
Dom Nikollë Kaçorri (Krejë, 1865 – Vienë, 29 maj 1917); Prelat katolik e figurë e shqueme e kryengritjeve kundër turqve, nënshkrues i Deklaratës së Pamvarësisë së Shqipnisë e zv/kryeministri i parë i Shqipisë në kabinetin e Ismail Qemalit.
Jeta
Leu në fshatin Krejë të Malësisë së Lurës me 1862. I ati i tij ishte katolik kurse e ama myslimane. Mësimet e para fetare i mori në shkollën e Troshanit, mbrapa u shkollue në Romë, ku dhe u dorëzue prift. Kur u kthye më 1895, nisi shërbimin si meshtar në Delbnisht. Në kryengritjen e Kurbinit, në bashkëveprim me Gjin Pjetrin i mundësoi kryengritësve 500 armë. Me 1909 u anëtarsue në klubin “Bashkimi”, me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën. Me 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vjetin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombtar të Elbasanit. Mbasi u morën prova që vertetojshin përfshimjen e tij në nji kryengritje, u arrestue e u gjykue me denimin me disa vjet burg e gjobë.
Gazeta “Dielli” e datës 8 nandor 1911 shkruente:”Me 15 të dhetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që patën ardh të prishuna preji temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjygji përsëri porë pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuen përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe. Avokati mbrojtes, zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kërkoji të zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit, dhe e bâni temiz (apel) për së dyti por gjygji nuk e liroji.”
Gazeta Dielli nr 89 shkruente:
”Nga gazetat e huaja mësuam sihariqin se të ndershmit prift katolik nga Durrësi z. Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit për dënimin që kishte dhën gjykatorja ushtarake. Përgëzojm nga thelbi i zemrës të shkëlqyerin atdhetar dhe i lutemi Zotit t’i falë pas këteji shëndet dhe prehje për të mirën e atdheut.”
”Në korrik të vitit 1911 ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i qonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaqorri kjé qitë në gjygjin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.
”Verën e 1912 qe ndërlidhës i kryengritjes që kishte ndërmarrë Maz’har bej Toptani, i cili lidhi besë me malësorët katolikë të Kurbinit, Kthellës e Mirditës dhe së bashku me disa myslimanë doli në mal. Në tetor së bashku me klerikë të tjerë shkoi në mision në Rubik, Mirditë, Kthellë, etj., me synimin që të bashkonte katolikët me forcat osmane kundër Malit të Zi që kish rrethuar Shkodrën.”
Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që mbrriti prej Trieste-s me datë 22 nandor 1912. Durrësi ishte parashikue prej atdhetarëve si qyteti ku do të bahej Shpallja e Pamvarësisë. Në nandor të vjetit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlonës e firmosi dokumentin e pamvarësisë me siglën “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë së dalun prej Kuvendit të Vlonës.
Mbas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit, imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut prej trazinave të ndryshme antikombëtare. Me shpërthimin e kryengritjes filo turke të Shqipnisë së mesme të drejtuem prej Haxhi Qamilit, qela ku banonte si dhe biblioteka e tij personale iu dogjën prej talebanëve shqiptarë kryengritës.
Me dekretin e 28 janarit 1916, Perandori Franc Jozef në Vjenë e dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit. Në kryeqytetin austro-hungarez qëndroi tre vjet, ku edhe u ekzaminue e u mjekue për sëmundjen e mushknive. Prej randimit të sëmundjes ndërroi jetë në sanatoriumin Würth, mbasi vuejti tre-katër muaj, me 29 maj 1917. Varrimi i tij u ba më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport Kviatorsski Vinter, e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt nji meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. U vorros në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19.
Riatdhesimi i eshtrave
Kishte kohë që kleriku shqiptar nw Vjenë, Dom Izak Dodara kishte ra në gjurmët e vorrit të Kaçorrit në kryeqytetin austriak, por vetem me 2011 falë iniciativës dhe interesimit personal të z. Pjeter Logorecit ( sigurimi i financimit të duhun, lejet ne ministritë përkatëse, zhvarrimi, percjellja per në Shqipmi etj.), që gjeti edhe mbështetjen e Misionit Katolik Shqiptar në Vjene me përfaqësues Dom Prend Kola, u ba i mundun riatdhesimi i eshtnave të Dom Nikoll Kaçorrit si dhe varrosja në kishën Shën Luçia, Durrës me 9 shkurt 2011. Mbrapa, Bashkia Durrës e nderoi Dom Nikoll Kaçorrin me vendosjen e bustit të tij në nji shesh në qender të qytetit të Durrësit. . Kujtojmë se në ditën e mbrritjes së eshtnave të patriotit të madh Dom Nikoll Kaçorri, në aeroportin ” Nanë Tereza”-Rinas, për turpin e institucioneve shqiptare, nuk ishte i pranishëm asnji përfaqësues i tyne, megjithëse ishin ma parë të lajmëruem, por kjo simbas protagonistit të evenimentit z. Pjeter Logorecit, shoqnues i arkivolit, nuk ra aspak në sy, sepse nji karvan i gjatë me makina e autobuza me flamur kombtar e te mbushun plot me familjarët e Dom Kaçorrit e me qytetarë të shumtë durrsake të kryesuem prej Dom Damian Kurtit, e priti dhe e shoqnoi arkivolin deri ne kishen katolike te Durrësit ku u varros me nderime.

  • Vetem në vjetin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pamvarësisë, u përmend për herë të parë qysh prej vjetit 1944 atdhetari i madh shqiptar Dom Nikoll Kaçorri që për veprimtarinë e tij u nderue “Për veprimtari patriotike e klasit të dytë.”
  • Në përmendoren e Pamvarësisë nuk u paraqit truporja e tij.
  • Në asnji vepër arti, aq të shumta për Pamvarësinë, nuk u pikturue ftyra e tij.
  • Në filmin “Nëntori i dytë”, kushtuae Shpalljes së Pavarësisë, del vetëm nji herë, por jo në
    balkonin ku u çue flamuri.
  • Në faksimilen e Aktit të Pamvarësisë, urrejta komuniste për priftin atdhetar katolik, mbrriti deri atje, sa ia fshiu edhe firmen !
  • Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Kaçorrit i kushtohen vetëm 27 rreshta!
    ( Materiali i bazuem te shkrimi i z.Pjeter Logorecit dhe Wikipedia )

Burimi/Facebook/Pro Gegnisht/Filip Pjeter Guraziu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *