Home

Lajme

Anton Xanoni ( 1862 – 1915)

No Comments Argëtim Histori

RUBRIKA RRAJËT
( PËR MOS ME HARRUE RRAJËT)
Anton Xanoni ( 1862 – 1915)
NR.47
Anton Maria Xanoni i njohun edhe Ndoc Zanoni (Durrës, 12 janar 1862 – Shkodër, 16 shkurt 1915); prift jezuit, poet e novelist shqiptar me kontribut në fushën e teksteve edukative, gramatologjisë e publicistikës.
Jeta e vepra.
Qysh fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u arsimua te etnit jezuitë. Tue pa talentin e tij, e dërguen me krye shkollën e naltë në manastirin Kartusian në Porta Coeli në veri të Valencias, Spanjë (1883), në nji institucion jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat (1884), në Cremona – Itali (1886) si dhe në Kolegjin Gregorian në Krakov (Krakóë) – Poloni (1890-1892). Me 1892 u shugurue prift jezuit në Krakov e mbas dy vjetëve u kthye në Shkodër për me dhanë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte krye studimet edhe ai vetë trembëdhetë vjetë ma parë. Më 1896 dha mësim nji vjetë në kolegjin Gregorian në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos në Itali, para se tu kthente në Shqipni.
Bashkë me poetin Ndre Mjeda e me të vëllanë e tij Lazrin, Xanoni ishte anëtar aktiv i shoqnisë letrare “Agimi”, të themelueme me 1901, e cila punonte për nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në letërsi, sidomos me anë të nji alfabeti të ri.
Ishte Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës e të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi te libri “Prîsi në lâmë të letratyrës”, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qendrim purist në shkrimin e shqipes, ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve prej italishtes, turqishtes e sllavishtes me rrajë fjalësh të lashta shqipe. Ai nuk ishte vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyem për kohën kur jetoi, ishte autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë,
Prej vjetit 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit “Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit “me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurta e me vjersha të tijat apo përkthime që pëlqeheshin shumë, si Ungjilli i Jezu Krishtit mas Sh’Matheut, përkthim, 1915.
Ka mbetë në histori edhe për veprat “Gramatika shqyp”, Shkodër 1909, e “Shkurtorja e historis së moçme”, 1910, si dhe në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes “Rrnoftë Shqypnia”, kushtue shpalljes së pamvarësisë. Nji pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetë e pabotueme edhe sot e kësaj dite. Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915 , ai çmohet si nji veteran i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

Burimi/Facebook/Pro Gegnishtes/Filip Pjeter Guraziu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *