Ti e di, kur më mer malli
mermerëve trokas, e vij të flas…
Vetë më premtove se aty do të jesh,
në mos aty, në grep të hënës
në tingull t’kambanës
apo në dritën e një vetëtime
që plaguar, bie diku…
Ah, ndoshta në këtë çast,
vetëm rrokullisesh nën gardh t’qerpikëve
Kanë rendur vitet, At
por shiu i verbër që krahët thyente,
tjegullave të kuqe,
e me duf rrëzohej xhadesë së vjetër,
zbrazdësia e tmerrshme e atyre ditëve
kujtimeve, gjatë do të mbetet
Edhe shtëpitë tashmë kulmrrëzuara
që s’di në e ruajnë më erën tënde,
oborret gjurmën a ta kanë ruajtur,
kanatet e mbyllura,
e trëndafilët pikëlluar shprese…
Ka rendur koha At,
që kur erërat më morën me vete,
e më dërguan andej nga trishtojnë stinët
lodhja ku është kthyer në vuajtje
për të rënduar gjithmonë,
fundit të errët të memories,
e shpatullave, poshtë të cilave,
krahët e mi të brishtë
presin të shpalosen n’fluturim.
Burimi/Facebook