Home

Lajme

Stilistët e flokëve në Memaliaj gjatë sistemit komunist

No Comments Argëtim Histori

Nga Edmond Ismailati
Portret: Pamje e ish-veteranit të luftës, Hasan Hasani, përgjatë punës, në ambientin ku punonte në Memaliaj. (Punuar nga Artur Hasani)

Përgjatë diktaturës, përveç ndjekjes së modës, e cila ka qenë e ndaluar tek veshjet, për rininë dhe për burrat shqiptarë, ishte edhe ajo e mbajtjes së flokëve të stileve, që u ngjanin popujve të vendeve të lira.

Në Shqipërinë e atij sistemi, ndalohej të mbaheshin flokë të gjata, mbi vesh, barseta, mjekër dhe herë-herë edhe mustaqe të gjata.

Edhe memaliotët, si banorë të këtij sistemi me liri të diktuar dhe shumë të kufizuar, kanë treguar shumë kujdes në ndjekjen e modës, duke mbajtur një ekuilibër, midis veshjes, mbajtjes së flokëve dhe sistemit që të ndëshkonte deri me heqje lirie.

Ai sistem, i kushtonte më shumë rëndësi modeleve të mbajtjes së flokëve, pasi kushtonte shumë herë më pak se veshjet dhe liria e mbajtjes, e kombinuar me veshje të ndryshme brenda mundësive, qoftë edhe me rroba pune, do u jepnin aparenca me shprehje të natyrshme dhe të larmishme që do të ndikonin në zgjimin dhe rebelimin e emocioneve tek secili; që do i çonte drejtë përballjeve të panjohura, si popullin dhe shtetin, i cili do të ishte i pafuqishëm për të shtytur dhe mbajtur nën kontroll revoltat masive!

Pas çlirimit të vendit, e deri në vitin 1967-të, kur filloi ndalimi i besimit fetar, mbyllja e vendeve të shenjta ku predikohej fjala e Zotit dhe faleshin besimtarët, burgosja dhe pushkatimi i disa klerikëve, duke i vënë vulën edhe me shtetëzimin e pronës private dhe persekutimin e individëve dhe atyre familjeve që kundërshtuan këtë reformë, filluan reformën ndaj aparencës, që kërkonte t’i detyronte shtetasit shqiptarë, për t’u krijuar dhe rritur me një ndjenjë, atë të imazhit të ri, “…të shqiptarit të vërtetë, që edhe bota duhej ta kishte zili..!” Duhej të gjithë të vishesh dhe qetheshin, pak a shumë, njësojë, për të mos krijuar dallime..! Të dukeshin të gjithë njësojë; një uniformë; një kornizë; një ndjenjë, për të adhuruar dhe glorifikuar të vetmen parti, me në krye të vetmin udhëheqës së saj, Enver Hoxhën.

Të gjithë ishin në dijeni për jetën që këta bënin dhe lirin e fëmijëve të tyre, të cilët lëviznin të lirë nëpër botë dhe bënin jetën, më perëndimore se perëndimorët, por askush nuk guxonte të fliste, pasi ishte slogani: “Bëni siç them unë dhe mos bëni siç bëjë unë.”

Në Memaliaj, sistemi ka patur ndikimin e tij, duke u zbatuar me forma dhe organizmat e niveleve të ndryshme, duke filluar me mbledhjet e organizatave të Partisë, atyre të kolektivave nëpër qendrat e punës, lagjeve, shkollave, fletë-rrufeve dhe gjykimi nga gjykata e lartë e deri tek ajo vullnetare që përbëhej nga disa qytetar të zgjedhur nga ai sistem!

Ngaqë Memaliaj, ishte një qytet i formuar nga njerëzit e guximshëm, të cilët kishin marrë pjesë në LANÇ-re dhe vendosën të luftonin edhe me vdekjen nëpër thellësitë e nëntokës, natyrshëm, respektonin dhe donin njëri-tjetrin, sikur të ishin një familje e madhe. Si e tillë, presioni i shtetit ishte jo aq i madh sa në qytetet e tjera, përveçse në disa rate të rralla, tek disa individë dhe familje që shikoheshin me syrin e rrezikshmërisë së armikut, edhe pse tonet ndaj tyre ishin më të buta, pasi nëse një palë do ngrinte zërin, pale tjetër do i ulte tonet, duke gjykuar me arsyen dhe të guximshëm për t’i mbrojtur!

Janë të shumtë emrat e memaliotëve që mbanin mustaqe, të cilët ishin të moshave të ndryshme, po ashtu në mbajtjen e flokëve disi të gjata, ku disa prej tyre u është tërhequr vëmendja nëpër mbledhjet e kolektivave ku punonin, atyre të lagjeve ku jetonin e deri në paraqitjen në “Postën e Policisë” së qytetit!

Në fillimin e viteve’80, filloi moda me flokët lartë, i njëjti model mbahej edhe vite më parë pas çlirimit. Ky model quhej ballaboks dhe ai regjim e rekomandonte, pasi i ngjante atij të stilit kinez, por në perëndim ishte futur në valët e modës. Jo të gjithë memaliotët e mbanin këtë model, pasi u dukej sikur ishin qethur si komunistët, si kinezët, një shprehje e ngelur nga mentaliteti i asaj kohe, pasi në Memaliaj kane banuar për disa vjet edhe inxhinier kinezë, të cilët erdhën për të montuar makineri dhe mbikqyr avancimin e punimeve në minierë. Memaliotët ishin gjithmonë në korrent me modën bashkëkohore, pasi në Memaliaj, shumë nga familjet shikonin kanalet e huaja italiane, greke dhe herë-herë, mbërrinin edhe valët e kanaleve serbe, ku mirinformoheshin për modën përtej kufijve, plus nga pamjet që shfaqeshin nëpër kampionatet e futbollit europian dhe atij botërorë, që transmetonte RTSH-ja.

Ashtu si çdo qytet, edhe Memaliaj kishte berberhanen e saj, të cilët ishin në varësi nga Sektori Komunal, që mbulonte edhe këtë shërbim social. Për të mësuar se në kë vendndodhje ka qenë berberhania e parë, na ndihmon komenti i bashkëqytetarit, Tomorr Xhani, i cili shprehet: “Mbajë mend që nga fëmijëria ime se, berberana e parë e qytetit ku edhe unë qethesha, ka qenë tek një ndërtesë e ulët, nga ato të ndërtuara me kallamishte, e cila, në vitin 1991, doli e pabanueshme, si shumë të tjera. Ndodhej buzë rrugës automobilistike, përballë fushës së futbollit, pranë dusheve të punëtorëve. E gjithë ajo lagje, ishte me shtëpi të ulëta.”

Më vonë, berberhana zhvendoset në një godinë tjetër dhe atë e plotëson edhe komenti i bashkëqytetarit, Ahmet Deshiku, i cili shprehet: “Në krahë të godinës të Kinoklubit të vjetër, përveç disa shërbimeve të tjera sociale si: rrobaqepësi, këpucari, …etj, ishte dhe berberana, e cila më vonë u vendos në katin e parë të godinës dykatëshe, ku ishte selia e Këshillit të qytetit, banka e kursimeve dhe studioja fotografike.”

Dëshminë e bashkëqytetarit, Ahmet Deshiku, për berberhanen në krah të Kinoklubi i vjetër, e ka arritur edhe vegjëlia e brezit tim, të cilët jemi pak vite më të vegjël.

Ndërsa bashkëqytetari, Axhem Cana, shprehet se: ”Berberana e parë ka qenë, disa godina, në të majtë të këndit të Fletë-Rrufeve, ku e ka patur shtëpinë bashkëqytetari, Sulo Muka. Po kështu tregon edhe bashkëqytetari, Skënder H. Hoxha, i cili shprehet: “Më kujtohet, se berberana e parë, ka qenë tre godina në të majtë të Kinoklubit të vjetër. Në të majtë të kësaj të fundit, ishte këndi i Fletë-Rrufeve dhe në dy godina më tutje, ishte berberana. Për berber të parë, mbaj mend, Hasan Hasanin, i cili nuk mungonte asnjë ditë, qofshin me shi apo me dëborë dhe e hapte berberanën hapur nga mëngjesi, deri orët e vona të mbrëmjes. Tek ai qetheshim të gjithë. Kishte një natyrë të qetë dhe i komunikueshëm me të gjitha moshat, kur shkonin tek berberana. Më vonë erdhi Nuro Kora, i cili kishte pak kohë që kishte filluar të mësonte për të qethur në një nga berberanat e Gjirokastrës dhe kishte disa muaj që kishte filluar punën i lirë në profesion. Në ato vite, sa kishte filluar të ndërtohej qyteti i Memaliajt dhe e dërgojnë me punë në qytetin tonë, pasi kishte nevojë për berber. Po aty, pak më vonë, fillon punë si berber edhe Servet Hoxha. Prej andej, berberana zhvendoset për t’u lokalizuar tek dykatëshja, ku ishte Këshilli i qytetit. Aty nga fillimi i vitit 1974, vinë të internuar, dy nga djemtë e ish Ministrit të Mbrotjes, Beqir Ballukut, të cilët quheshin, Vladimir dhe Çlirim. Bashkëshortja e Çlirimit, e cila quhej Zana, folloi të punonte si arkëtare tek berberana, duke prerë biletat, pasi aty kishte shumë punë dhe qarkullonte para e madhe. Më pas, familjen Balluku, e transferojnë në minierën e bitumit, në Selenicën e Vlorës, ku ishte edhe e ëma e tyre. Pasi u bashkua e gjithë familja, Balluku, djali i tyre, Vladimiri, vendosi të vetëvritej duke i futur duart në energjinë elektrike!”

Një tjetër detaj, sjell bashkëqytetari, Memet H. Hoxha, i cili shprehet: “Tek berberana, përveç berberëve që kanë punuar aty, ka punuar edhe nënë Hava Meta, e cila kujdesej për higjenizimin e pajisjeve, pecetave, peshqirëve, përparëseve, …etj. Nënë Havaja،, kishte një humor të këndshëm dhe ishte një bejtexhesh e paparë! U krijonte bejte berberëve në moment, po ashtu edhe klientëve.”

Për më shumë të dhëna rreth këtij shkrimi, pyeta edhe piktorin, Artur Hasani, cili shprehet: “Unë si fëmija i Hasan Hasanit, mbaj mend berberanën e dytë, e cila ndodhej në katin e parë, tek dykatëshja e zyrave të Këshillit. Shprehem kështu, pasi kur babai ka filluar punë me krijimin e këtij qyteti, unë nuk isha lindur. Po ashtu, mund t’ju them se, ai ka filluar punë paralelishtë me kolegun e tij, Faslli Pashollari, i cili nuk ka punuar shumë gjatë, aty.

Tim atë, më vonë, vazhdoi të punoj me Nuro Korën dhe në vazhdim, kolektivit i’u bashkua edhe Servet Hoxha, Zyrako Sinallkaj dhe Zare Ruka. Së bashku, ata punuan shumë gjatë, derisa babai doli në pension. Po ashtu, mund t’ju them se, përgjatë gjithë kohës që ka punuar aty, Hasani ka qenë edhe përgjegjës i këtij reparti; megjitheatë mbaj mend të më ketë treguar se, kanë patur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me njëri-tjetërin, në punë. Në përgjithësi, ata i karakterizonte edhe një humor, ku dhe respektoheshin prej qytetarëve.

Nga bisedat me babain, më kujtohet se, aty ka qenë e punësuar si punonjëse e higjenës, një grua me emrin, Hava Meta. Nuk di rreth origjinës së saj, por ishte një grua me shumë humor, e cila i ndërtonte shumë shpejtë fjalët humoristike, ku herë pas here, brenda tyre kishte dhe një satirë. Kuptohet që këto, më së shumti, ishin bejte. Ajo, nuk i kursente këto, jo vetëm për punonjësit e këtij reparti, por dhe më gjerë në qytet, ku betja e saj përfshinte edhe kryetarin e Komitetit të asaj kohe apo zyrtarë të tjerë. Nëse do të gjej dhe më tepër informacion apo dhe foto të ndryshme, do t’jua dërgoj para botimit të punës suaj. Faleminderit!”

Ndërsa bashkëqytetarja, Elena Lumani, shprehet: “Fillimisht, tek shtëpitë me kallamishte buzë rrugës kryesore, ishin vendosur zanatet e domosdoshme. Edhe berberana e parë ka qenë, tek shtëpitë me kallama, afër agjencisë së udhëtarëve, ashtu siç e tregon edhe bashkëqytetari, Tomorrr Xhani. Më kujtohet shumë mirë, pasi motrat e mija çonin vëllan tonë, Rrapon, për të qethur dhe prej andej, na shoqëronin të dyve për në kopshtin me drekë. Berberët e parë që kanë punuar në të njëjtën kohë kanë qenë, Faslli Pashollari dhe Hasan Hasani. Në vitet ’60, berberana u zhvendos në krah të këndit të Fletë-Rrufeve, ku shërbeu për disa vjet dhe më pas, kaloi tek godina e Këshillit të qytetit dhe në mesin e viteve ‘80, u vendos në një nga katet e para të pallatit, që u ndërtua mbi truallin që u çlirua, pas rrëzimit të disa godinave të vjetra, siç ishin: Kinoklubi i vjetër, këndi Fletë-Rrufeve, disa shtëpi përdhése, …etj.”

Pra, në mesin e viteve ‘70-të, kur berberana u transferua tek godina dykatëshe, ku ishte edhe Këshilli Popullor i qytetit, punonin berberë: Hasan Hasani, Nuro Kora, Servet Hoxha, Zyrako Sinallkaj, Zare Ruka, Agim Skëndi nga Tepelena dhe të rinj si Natasha Velaj, Vladimir Goxhaj dhe Gëzim Muskaj, të cilët mësuan nga berberët veteranë të këtij qyteti. Shumë nga berberët veteranë, dolën në pension.

Në mesin e viteve ‘80-të, kaloi përsëri tek territori, ku ishte Kinoklubi i vjetër, të cilin e prishën, pasi ndërtuan një pallat katërkatësh, ku në katet e para, u vendosën një sërë lokalesh, si: floktore për vajzat dhe gratë, berberana e qytetit, këpucari, rrobaqepsi, zyrat e komunales, ..etj. Në këtë vendndodhje të re, punuan si bërberë: Natasha Velaj, Vladimir Goxhaj, Edmond Kondo, Gëzim Muskaj, Gëzim Hodo, Pajtim Çela, Neritan Mullaraj, Luljeta Ruka dhe pak kohë punoi edhe Vladimir Velaj. Në lokalet e katit të parë të këtij pallati, përballë farmacisë, ndodhej edhe parukeria e qytetit, ku stiliste ishte Xhemo Hoxha, e cila përgatiste, jo vetëm nuset e qytetit tonë, ato që vinin nga qyteti i Tepelenës, por edhe nga zona dhe fshatrat përreth. Në këtë studio, shkonin edhe vajza e gra memaliote, të cila ngjyrosnin flokët dhe i prisnin në modele të ndryshme, të cilat ato pëlqenin. Në atë sistem, parukiere punonte edhe Alketa Lamaj (Lila), e cila në moshë shumë të re dhe ishte shumë e suksesshme, pasi shume vajza të reja dhe nuse, e vlerësonin punën krijuese të saj. Alketa Lamaj, punonte në apartamentin e saj, ndërsa me punë si parukiere, ishte e punësuar në Tepelenë. Në disa raste, në Memaliaj vinte edhe parukierja, Anita Çela, e cila banonte dhe punonte në Tepelenë. Kjo stiliste mjeshtre në prerjen e flokëve dhe përgatitjen e nuseve, është me origjinë memaliote, e cila kishte fituar admirimin e shumë memalioteve, të cilat shkonin edhe në studion e saj në Tepelenë, për të përjetuar punën e saj krijuese!

Po ashtu, si shumë memaliotë, edhe unë kam shkuar për të prerë flokët në Tepelenë. Kjo ndodhte, jo vetëm kur nuk punonin stilistët e preferuar në Memaliaj, por edhe kur rruga merrej apostafat. Secili kishte stilistët e tyre të preferuar, ndërsa unë qethesha tek, Agim Skëndi, Arian Daci dhe Astrit Hyseni ku tek ky i fundit, qethesha më shpesh, pasi e njihja edhe jashtë profesionit të tij, ngaqë ishte bashkëmoshatar dhe shok me tim vëlla.

Në atë kohë, përgjatë sistemit të kaluar, pothuajse në pjesën më të madhe të rinisë, qethnin njëri-tjetrin, por më me famë, të cilët qethnin vetëm të familjes, të afërmit, miqtë, shokët dhe të njohurit, ishin, Sulo Malaj, Ferdinant Zhupa dhe Vladimir Lika. Mund të ketë edhe emra të tjerë, por unë, këta mbaj mend. Ishin të nivelit profesionist. Madje edhe për t’u qethur, qetheshin vetë, duke përdorur dy pasqyra. Ata qetheshin me aq përsosmëri, saqë askujt nuk u besohej, kur mësonin se ata qetheshin vetë.

Me ndryshimin e sistemeve, ku shënoi ardhjen e demokracisë, ndryshuan edhe ligjet mbi pronën private, ku ish punonjësit privatizuan njësit e shërbimeve sociale, ku përfshihej edhe berberana, e cila u nda në pjesë-pjesë, sipas numrit të berberëve që punonin deri në kohën që e privatizuan. Të gjithë nga berberët, punuan për disa vite dhe të tjerë ende punojnë.

Në vitet e para të demokracisë, parukiere kanë filluar të punojnë edhe memaliotet, Lavdije Cerepi, Edlira Haderi dhe Valbona Sala. Ndërsa berber nga brezi i ri, është Gerto Hoxha, i cili ende punon në Memaliaj.

Janë të shumtë memaliotët, që janë përfshirë dhe ushtrojnë këtë profesion në këtë industri fitimprurëse dhe shumë të kërkuar në çdo kohë. Po përmend emrat e atyre memaliotëve që jam në dijeni dhe atyre që më kanë plotësuar me anë të mesazheve, të cilët kanë më shumë se 20-vjet që punojnë parukiere. Emrat e tyre janë si: Marie Malka (Athinë), Enkelejda Zeqo (Tiranë), Rumjana Ismailati (Athinë) dhe Ilir Dosti (St. Louis, Missouri, USA). Besoj se janë të shumtë emrat e stilistëve të rinj, të cilët dolën pas vitit 1990-të dhe me t’i mësuar, do t’ia bashkangjis këtij shkrimi.

Kuptohet që ky shkrim, bëhet për të kujtuar dhe nderuar të gjithë këta stilistë memaliotë që kanë punuar në sistemin e kaluar, të cilët nuk kundërshtuan asnjëherë modelin e flokëve që u kërkonin memaliotët edhe pse në atë sistem ishte me rrezik, nëse policia do përndiqte punonjësit e këtij sektori social. Policis e asaj kohe me veglat e saj, merrej me ata që binin në sy me flokë dhe barseta të gjata, pasi për mjekër asqë kalohej ndërmend!

Më kujtohet berberi, Nuro Kora, me humorin e tij, që kur fitonte, “17 Nëntori”, zëri i tij gjëmonte, herë duke kënduar dhe herë duke qeshur e shoqëruar me fjalë të shpejta, si komentator ndeshjesh. Kishte edhe ditë, kur ai ishte i mërzitur, pasi humbiste ekipi që ai simpatizonte për të cilin bënte edhe tifozllëk. Të gjithë e dinin gjendjen e tij shpirtërore, në këto situata dhe mundoheshin që të qetheshin tek berberët e tjerë, pasi kishin frikë mos ndikonte edhe në cilësinë e qethjes. Më kujtohet që, sa herë mbaronte qethjen, të jepte me dorë edhe një fshikullim të lehtë mbi kokë, shenjë përshëndetëse, që të linte të kuptoje, “Me shëndet”. Kjo u ndodhte të gjithëve me njëri-tjetrin, kur qetheshin shkurt apo zero.

Në disa raste, drejtoria e shkollës së asaj kohe, merrte berberët edhe në shkollën fillore dhe atë 8-vjeçare, për të qethur masivisht nxënësit. Kuptohet për djemtë, pasi për vajzat nuk kishte kufizime për mbatjen e flokëve. Nuk e mbaj mend mirë se në kë klasë kam qenë, por më duket se në të VII-ën sportive. Ishte klasa e parë sportive me 22 djemë për futbollin dhe 12 vajza, për volejbollin. Mësues, V.B, na kishte vënë në dijeni, se të gjithë djemtë ishim bërë për të qethur dhe të hënën e javës në vijim, duhej të vinim të qethur shkurt. Vetëm kujdestari i klasës, G.D, ishte qethur. Mësuesi u mërzit që nuk i ishte zbatuar urdhëri dhe na kërkoi po atë ditë që të shkonim tek berberana, pesë e nga pesë, por kësaj here duhet të qetheshin zero. Ishte shumë e vështirë për ne, pasi do ishim klasa e vetme që do dukeshim si ushtarë apo të burgosur.

Filluam të ikim nga mësimi, derisa ditën e parë arritëm të qetheshim gjysma e djemve të klasës dhe pjesa tjetër që ngeli, u detyrua të qethej pasdite, pasi të nesërmen do ndiqej e njëjta rrugë. Nuk e di: ishte urdhër nga drejtoria apo një vendim i momentit prej mësuesit, por ne “Pionierët e Enverit”, siç na kishte pagëzuar qeveria e atij sistemi, dukeshim të persekutuar, pasi ngaqë ishim klasë sportive, në shkollë venim edhe me kostumet sportive dhe nga kjo dallonim edhe nga klasat e tjera!

Aty nga fundi i viteve ‘80, filloi në modë mbajtja e flokëve zero, pasi në Europë dhe në perëndim, preferohej në masivitet. Në Shqipëri, ishte vështirë të thyhej ky ligj i pashkruar tek shqiptarët, pasi kishin një jetë që përpiqeshin të mbanin flokët në modelet e ndaluara. I pari që qethi me dëshirë, flokët zero, ishte Krenar Gjoka dhe më pas Adriatik S. Shehu, të cilët tërhoqën vëmendjen, jo vetëm të e bashkëqytetarëve, por edhe të policisë në atë kohë.

Nëse do të sjellim historitë e secilit, padyshim që janë nga më të padëgjuarat, por edhe me kaq sa përfshimë në këtë shkrim, do të ndihmojë lexuesit e brezave që nuk e kanë përjetuar atë regjim, që kontrollonte dhe të impononte gjithçka që u dukej e dobishme, që i jepte jetë atij sistemi.

Edmond Ismailati

Burimi/americaneye.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *