Home

Lajme

Bledi Dika – Mediumi është mesazhi

No Comments Lajme Opinion

Herbert Marshall McLuhan ka qenë filozof, sociolog dhe kritik letrar. Mendimi i tij mund të futet në atë rrymë që përkufizohet si determinizëm teknologjik1.
Në veprën e tij Galaktika Gutenberg, studiuesi rindërton historinë e njerëzimit sipas një këndvështrimi teknologjik. Në këtë vepër ai kërkon të tregoj se si përparimet në teknologjitë e komunikimit kanë ushtuar një ndikim vendimtar në ndryshimet organizative të shoqërisë, por gjithashtu edhe në përqasjet psikologjike të individëve. Në këtë kuptim McLuhan paraqet konceptin e “njeriut tipografik”, duke e vendosur vëmendjen në raportin ndërmjet shpikjes së makinës me shkronja të lëvizshme të Gutembergut dhe afirmimit të civilizimit modern të Evropës Perëndimore2. Pasojat e shpikjes së Gutenbergut ndjehen në të gjitha fushat e shoqërisë. Sipas McLuhan aq i madh është ndikimi i kësaj shpikje, sa që mund të konsiderohet si shkaku kryesor i çdo fenomeni të qytetërimit modern, nga rritja e nacionalizmit3 deri tëk afirmimi i metodologjisë eksperimentale në shkencë4.
Në veprën e tij, McLuhan, trajton historinë njerëzore të ndarë në katër periudha, secila prej të cilave, sheh, nga njëra anë risinë dhe afirmimin e një teknologjie komunikimi dhe nga ana tjetër efektet e kësaj në çekuilibrimin ndijor të njerëzve. Në këtë kuptim McLuhan dallon katër periudha:
Periudha tribale ose fisnore5 e përkufizuar ndryshe edhe si epoka e gojëtarisë, duke konsideruar faktin që medium kryesor në këtë kohë ishte fjala. Bëhet fjalë për një botë magjike ku marrëdhëniet ndërmjet individëve zhvillohen në një hapësirë gojore dhe zanore. Këto marrëdhënie konsumohen në mënyrë te njëhershme ndërmjet individëve, prandaj ka rezonancë midis tyre. Në këtë periudhë, shqisa e dëgjimit me atë të shikimit janë në ekuilibër . Njerëzit jetojnë sipas një organizimi fisnor dhe pjesëmarrja e tyre në komunitet është shumë intensive.
Periudha e shkrimit është pasuese e asaj tribale. Fillimi i kalimit nga periudha tribale në atë të shkrimit përkon me përdorimin e alfabetit nga grekët e lashtë. Për shkak të futjes dhe përdorimit të shkrimit fonetik, ekuilibri shqisor i periudhës fisnore fillon e kriset.
“Vetëm alfabeti krijon një frakturë ndërmjet syrit dhe veshit, ndërmjet kuptimit semantik dhe kodit pamor, prandaj, vetëm shkrimi fonetik ka kapacitetin ta zhvendos njeriun nga sfera fisnore në atë të ‘qytetërimit’, ti japi një sy në këmbim të një veshi” 6
Në fakt në këtë periudhë kemi një abdikim shqisor kundrejt një tjetri, nga mbizotërimi shqisor zanor kalohet në mbizotërimin shqisor pamor. Shkronjat e alfabetit bëhen kështu të lexueshme dhe për rrjedhojë të pazëshme, përderisa mund të lexohet me mendje. Në këtë kuptim kemi një shkëputje të lidhjes së mëparshme ndërmjet fjalës dhe zërit. Në këtë mënyrë një qasje tjetër vjen e bëhet më e dukshme, të menduarit në mënyrë abstrakte dhe analitike pa qenë e nevojshme përballja orale.
Periudha e shtypit7 përcakton momentin ku krisja shqisore e filluar gjatë periudhës së shkrimit më në fund thyhet. Në këtë periudhë mbizotëron shqisa e shikimi, Me shpikjen e shtypit me shkronja të lëvizshme ekuilibri i mëparshëm shikim-dëgjim shtendoset në favor të shikimit. Në përgjithësi, ndijimi bëhet i vazhdueshëm duke njëtrajtësuar në një farë mase edhe interpretimin e mesazhit nga ana e individëve.
Periudha e mjeteve elektronike përcakton fillimin e rënies së periudhës së shtypit. Teknologjitë e reja, duke filluar nga telegrafi deri tek televizioni kanë arritur përsëri ta zhvendosin ekuilibrin shqisor në favor të dëgjimit, duke riaktivizuar hapësirën akustike dhe duke bërë mbizotërues edhe njëherë ndijimin e përgjithshëm dhe të njëhershëm. Për këto arsye në kohët tona flitet për rikthim në periudhën fisnore. Sipas McLuhan ndodhemi tashmë në një Shoqëri, forma e të cilës, ka ndryshuar falë mjeteve të reja të komunikimit, në një komunitet me përmasa kaq zgjeruara sa që mund të flitet për një fshat global8.
Shprehja e famshme e McLuhan, “Mediumi është mesazhi”, përbën tashmë një paradigmë pa të cilën, studimet mbi komunikimin në përgjithësi por edhe mbi marrëdhëniet me publikun në veçanti, do të ishin të cenuara. Ky përfundim vjen si rezultat i interpretimit të efekteve të prodhuara nga komunikimi në shoqëri dhe në sjelljet individuale. Paradigma hedh hipotezën që mediumi teknologjik që përcakton karakteret strukturore të komunikimit prodhon efekte të përhapura në imagjinatën kolektive, pavarësisht nga përmbajtja e informacionit të transmetuar. Teoria e McLuhan, ashtu sikurse ndodh në përgjithësi për çdo teori të re, është debitore ndaj punës pararendëse të Harold Innis (1951).
Në konkluzion, mund të thuhet që teknologjia në vetvete, ushtron mbi njerëzit një tërheqje tejet të fuqishme dhe hipnotizuese. Nëse njerëzit nuk do të kishin imunitetin e duhur intelektual, atëherë sapo të hynin në kontakt me teknologjinë e re do të magjepseshin duke pranuar si të detyrueshëm çfarë të qenësishme teknologjia në cilësinë e mjetin ngërthen. Prandaj është e rëndësishme që, në mënyrë për ti kontrolluar eventualisht teknologjitë e reja, ato të përjetohen nga një distance e duhur vrojtimi dhe pjesëmarrje.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *