Home

Lajme

Rudina Muharremi Beja – Themeli i vërtetë

No Comments Argëtim Letersi

Vera largohej me nxitim për t’ia lënë vendin Vjeshtës ndërsa i shoqi u rikthye sërish në mërgim.
Ajo, edhe pse e sapomartuar vijoi studimet me korrespodencë por edhe një kurs estetikë-parukeri thjeshtë për kënaqësi personale
Ende pa e përfunduar mirë kursin, e lutën që më pas të vazhdonte punë në sallonin e bukurisë por ajo, me buzëqeshjen karakteristike dhe falenderimin që s’i mungonte kurrë u tha se pas çertifikatës do të largohej me motivin e projekteve të tjera që i rrokulliseshin nëpër mendje.
Rrëzëllonte e tëra kur punonte e kënaqej me rezultatin dhe nuk harronte kurrë të shkruante çdo gjë në bllokun e saj të shënimeve duke i shoqëruar shpesh me vizatime të çrregullta që vetëm ajo mund t’i merrte vesh.
Udhëtonte përditë me autobuzin e linjës duke paguar fatorinon në hyrje e duke u kujdesur që ti lëshonte vendin gjithmonë ndonjë të moshuari apo ndonjë zonjeje që shpejt do të bëhej nënë, derisa beftas, në dalje të salonit një ditë iu shfaq i shoqi me një tufë lulesh të freskëta.
Fillimisht mbeti e shtangur dhe në mënyrë krejt spontane gati klithi e entuziazmuar.
-Suprizëëëëë, -iu hodh në qafë ai me rrëmbim.
Më në fund u çlirua nga ai mbërthim marrafrymës dhe mundi ta pyeste:
-Përse paske ardhur kaq shpejt?!
-Vetëm dy muaj ke që ke ikur.
Ai s’u mendua aspak dhe ia priti:

  • Të rri ca kohë me ty.
    S’të mori malli?!
    Nuk patëm mundësi as të njihemi mirë, tani mora dokumentat dhe erdha, ndërsa vijonte ta shtrëngonte në bel duke i përsëritur vazhdimisht se ishte shumë e bukur.
  • Mirë bëre, ia priti ajo,-veçse unë do të jem e zënë, deri nga mesi i dhjetorit sa të mbaroj kursin.
    -E di,-tha ai,-e diskutuam në verë këtë.
    Ngutën hapin për të marrë autobuzin e linjës që pas pak nisej.
    Zuri vend në stolin ku ulej përherë dhe ndonëse në kahun paralel kishte të shoqin qëndroi e kompozuar në sedilen e vet.
    Mjeti ishte plot me njerëz që i njihnin dhe të dy ndienin përmbi vete vështrimet dashamirës të tyre.
    Tek-tuk ndonjëri bënte ndonjë batutë për të qeshur.
    Vuri re se i shoqi kishte lidhur njërën dorë me fasho të bardhë që aty për aty s’e kishte parë pasi e kishte fshehur poshtë buqetës me trëndafilë dhe desh u mbyt prej pështymës së vet tek nxitoi ta pyeste
    -Çfarë është, ç’të ka dora?!
    -Asgjë -tha ai, -asgjë me zarar, e vrava pak në tornon ku punoj, punë hekurash…
    U çlirua disi.
    Të nesërmen ishte e dielë, e diela e fundit e Tetorit. Pushim!
    Bënë vizitat e rastit, ku bisedat ishin pothuajse monotone:
    Kur erdhe? Pse kjo vizitë e papritur? Sa do rrish?
    Ai përgjigjej me buzëqeshje teksa ajo sodiste natyrën përqark.
    Retë ngjanin sikur zgjasnin krahët në forma të ndryshme duke u gërshetuar me mantelin e horizontit mbrëmjeve të freskëta të fundtetorit.
    Të hënën vijoi të shkonte në kurs si gjithnjë duke marrë me vete pashaportën dhe tërë kursimet e tij. Do të paguante kursin privat dhe sasinë tjetër të parave do ta vendoste në llogarinë bankare të familjes së re të sapokrijuar.
    Ai ishte i pari ndër djemtë e familjes e i duhej me doemos të ndërtonte një shtëpi diku tjetër
    Merri,- i tha ai në mëngjes, -i kemi pothuajse gati paratë për themelin e folesë sonë, duhet vetëm të vendosim ku duam ta ndërtojmë.
    Ajo qeshi e gëzuar dhe iku me çantën e përditshme më dorë.
    Kapërceu pragun e shtëpisë duke e përqafuar përzemërsisht.
    Në sallonin e bukurisë u përshëndet me shoqet. Grupit i ishte shtuar edhe gruaja që punonte në pastiçerinë përballë e cila e ngacmonte me pyetje qesharake:
    “Hë mi, si vajti mbrëmë?
    Ç’të solli yt shoq?” – dhe qeshnin mes tyre.
    Ajo uli kokën, ndjeu faqet ti skuqen dhe zuri vendin e saj.
    Pyeti për aktivitetin e ditës për të devijuar temë e më pas i njoftoi se do të largohej pak më parë për në bankë. Pagoi paratë e kursit për muajin e sapopërfunduar dhe vazhdoi të bënte një prerje flokësh një gjimnazisteje, që kishte ardhur enkas ta kërkonte.
    Punuan rregullisht dhe në pushimin 10 minutësh morën byrekët e zakonshëm dhe nganjë kafe.
    Pa qiellin nga përtej xhamave dhe brofi në këmbë.
    -Është vonë, më duhet të iki, -foli dhe u ngrit me ngut pasi në orën 12.00 bankat do të mbylleshin.
    Futi dorën në mobiljen ku qëndronin gjithmonë çantat por nuk e gjeti. Rrëmoi përsëri dhe përsëri e më pas gremisi të tëra shpresat.
    Diçka iu shkul në gjoks.
    E humbi toruan dhe një dridhje e fortë i përshkoi trupin.
    -Vajza ku janë çantat, ku i keni vendosur ato sot?!
    Ajo punonte në një cep të godinës nga ku kurrësesi nuk do kishte mundur ta mbante nën kontroll çantën. Ato ngritën supet, panë njëra tjetrën në sy dhe thanë me një gojë:
    -Ua, s’e dimë…!
    Dëshpërimit, rrokullisi një lot.
    Kuptoi se s’kishte për ta gjetur më kurrë.
    Ishte djersa e të shoqit, si mund t’i dilte përpara?!
    Doli nga ai prag e mërzitur shumë. Kthesës matanë dëgjoheshin ende të qeshurat e tyre që e gërvishtnin edhe më shumë në shpirt.
    Mori autobuzin e linjës duke njoftuar fatorinon që në derë se nuk kishte para me vete për biletën e se do t’ia jepte të nesërmen.
    Zuri vend ku përherë dhe kalonte nëpër memorie sekuencat e atij mëngjesi por nuk mundej kurrsesi të kuptonte se ç’kishte ngjarë,
    as fantazia e regjizorit më të çmendur s’do të mundej të ndërtonte një skenar kaq të pashpirt.
    Ndaloi tek e ëma që banonte disa stacione më parë dhe me faqet ngjyrëtrandafili prej të njelmëtës, i tregoi me një frymë çfarë kishte ngjarë.
    E pyeti nëse kishte para duke i premtuar se do t’ia kthente sapo të mundte. Donte me çdo kusht të zëvendësonte lekët e të shoqit.
    E ëma ia ndjeu dënesën deri në shpirt, fshehu disi fytyrën arratisur në një dhimbje të beftë por nuk lëshoi terren.
    -Jo bijë, tha,- nuk kam aq shumë para, por ti shko tek yt shoq e tregoi fije për pe çfarë ka ndodhur me paratë e themelit tuaj të brishtë -dhe ktheu vështrimin nga pragu
    i derës si për t’i treguar udhën.
    Ajo u çudit me ftohtësinë e saj dhe mori rrugën në këmbë teksa flladi i lehtë kujdesej t’i thante lotët.
    Ai, si gjithnjë e priste mbështetur tek porta e madhe e oborrit
    -Pse u vonove kaq shumë?-foli krejt i shqetësuar, -u tremba kur s’të pashë të zbrisje nga autobuzi.
    Ajo ngriti kokën e pa drejt e në sy dhe i tregoi gjithçka kishte ngjarë.
    -Mund t’i denoncoje,- tha ai, -pse s’e bëre?!
    S’ka gjë, -vijoi më pas dhe e shtrëngoi më fort në një përqafim të gjatë.
    -Do të punojmë prapë e do të fitojmë para të tjera sa të duash, mos u mërzit! Gjëra që ndodhin!
    Udhës që gjarpëronte, asfaltit të ftohtë shquajti siluetën e një gruaje që avitej me hapin e ngadaltë dhe me një çantë të zezë që shtrëngonte fort nën sqetull.
    Ishte nëna.
    U hoq sikur s’dinte asgjë dhe se kishte ardhur thjeshtë për një vizitë të zakonshme teksa iu afrua dhe i foli në vesh:
    Mbi këtë themel mund ta ndërtoni të ardhmen tuaj bijë!

Burimi/Facebook/Autorja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *