Home

Lajme

Krismat në Krajë

No Comments Argëtim Histori

“Ec djalë se nuk na e falë historia,
Mos me i krye punët tona”
Prof. Zekeria Cana

Zhegu i verës më 22 qershor 2022 thyhet nga një cingërimë e mikut tim Fatmir Markashi: “Sami, përgatitu për një rrugëtim në Kraujen (Krajën) time, do rikthehemi në kohë…”
Mjaftoi të më nxisi kureshtjen Kraja, me gjithë atë histori, për mua vend mitik i ngjarjeve dhe njerëzve bujarë.
Historia e Krajës (Kranja / Krouja / Kraja) përmendet qysh në shekullin V dhe viti 670 si Carnium -Karnium (dhe si via Chreinariorum më 973, actum Kreine in 1050–65 dhe Chreina in 1065–77). Ashtu si trajta latine, emri i krahinës Carnia vjen nga fiset kelte të njohura si Carnī, që përkthehen edhe si Bri, greqisht Κάρνοι. Ka mundësi nga ky konfiguracion i terrenit vjen dhe emri, nga rrënja kelte kemi *karno – ‘majë, big, grumbull gurësh’. Kështu gjatë kohës, me rotacizëm kemi sot emërtimin e Krajës.
Fatmiri nuk zbulon asgjë, por mbas gati 30 minutash vozitje nga Ulqini, liqeni i Shkodrës shpaloset para nesh që e shijojmë këtë pamje me ca çiklistë të huaj, të cilët i kishte zënë vapa e fillim verës te ne.
Tabela e cila tregon se duhet të nisemi kah lagjja e Curajve, kalon mu përtej kishës së Shën M’risë:
“Gërmadhat e Kishës së vjetër Shën Mëria e Krajës paraqesin një monument historik të rëndësishëm për Krajën dhe banorët e saj. Ky tempull i lashtë ka një histori të bujshme, të gjatë dhe mjaft interesante. Kisha e Krajës është ndërtuar në vitin 1001. Ndodhet në Ostros të Madh. Ndarja e Kishës së Krishterë, në atë të Lindjes dhe të Perëndimit, u bë në vitin 1054. Në atë kohë, ngjarjet e ndryshme civilizuese u reflektuan edhe në Kuvendin e Shën Mërisë në Krajë, e cila u ndërtua nga murgu Pjetër në shekullin X, në gërmadhat e Kishës së vjetër. Veçanërisht për Kishën e Shën Mërisë është e lidhur legjenda e princit Gjon Vladimirit (Shën Gjonit). Në vitin 1446 Shën Mëria e Krajës kthehet në argjipeshkvi katolike, ku dhe si argjipeshkëv i parë përmendet Teodozia. Në literaturën historiografike përmendet e dhëna që në Krajë, në një kohë të caktuar, që nga viti 1445, ishte edhe selia e Mitropolisë së Zetës.”
Duke i parë këto rrënoja, vëmendjen ma tërheq një grafit dashakeqës, ku një vendas me shkronja të mëdha e kishte zhgarravitur mbiemrin e vet të sllavizuar nga Cura(ej) në Curoviq… Injoranca ka emër, prandaj kjo marrëzi nuk më befason, sepse sot kudo i kemi këto njolla të civilizimit, kah do që sheh monumente të trashëgimisë, mbase edhe shteti pak kujdeset për to.
Dhe papritmas, një plak brof çohet në këmbë, me një uratë mikpritjeje: ”Mirë se ju ka prua Zoti e kjofshi faqebardhë”, dialekti melodik i Gjon Bdek Buzukut (autorit të Mesharit 1555) ende jehon në Krajë, pa diskutim i bukur në formën e bukur të gegërishtes së Mbishkodrës.
“Jam Musa Cura, 84 vjeç. Edhe pse i lodhun nga jeta, kam dëshirë t’madhe të ju drejtoi tek dy varreza të hershme që kanë të bëjnë me origjinën e emrit tim dhe luftërat ballkanike, shumë pak të përfolura te ne”.
“Po, i kuej je o çun?”
Plakut ia thyej kureshtjen kur i them se jam djali i Flamurit dhe nipi i Xhemal Ramës nga Milla e Anës së Malit! Musait të zgjuar i rikujtohet gjyshi im Xhemali dhe tregon se nga i gjashti brez jemi gjak, pasi gjyshi im i ka rrëfyer prejardhjen e tij krajane, nga fisi i Kacajve…
Bota e vogël, por Fatmiri insiston të nisemi te varrezat e dy dëshmorëve që ishin vrarë mu në kufirin malazezo-shqiptar, duke mbrojtur me mitraloz pozitën dhe detyrën e tyre si kufitarë të Perandorisë Osmane, te pika e quajtur “N’puticë”.
Mu tek udha e cila të çon për Gjenashaj, nën hijen e trungut të gështenjave qindravjeçare, e parkojmë veturën, kurse nga kjo pikë nisemi udhës nga Vanali, nje rrugë me shkalla të gurta përtej fushave apo fushëgropave që vendasit i quajnë “sinjore”, që janë toka bujqësore të cilat shërbejnë për kultivimin e bimëve të ndryshme (duhanit, grurit, misrit, pemëve dhe perimeve), si dhe për kullosa.
Plaku Musa e ka kujtesën fotografike. Edhe pse i moshuar, hapat i ka të sigurt, sikurse dëshira për t’i gjetur varrezat. Na rikujton se dikur kishte gjallëri, tash vegjetacioni i një shpopullimi të tmerrshëm e kishte bërë të shkretë.
Mbas gati 25 minutash ngjitjeje, me disa pushime të shkurtra, mbërrijmë tek një ubël. Jemi mu pranë saj, por Fatmiri na shfajësohet se emrin e saj nuk e din, por t’i referohemi Xhelalit (Mujës), i cili në librin e tij “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” këtë ubël e quan “Ma Dacash (Me Dacash)”. Më bën përshtypje edhe lugu i drurit. Nga këtu varrezat s’janë larg.
Fatmiri fillon ta ngjisë dronin e vet, ta shohim se sa larg jemi. Nga ky vend duket në madhështinë e vet edhe Matgushi, fusha e Ostrosit, fusha e Qyrjanit dhe doemos i pashmangshëm liqeni i Shkodrës, mbase edhe toponimi Malësia e Mbishkodrës.
Musa, i urtë, tani fillon të mallëngjehet, sepse jo larg ishte vrarë axha i tij vetëm 22-vjeçar, Musa Bajram Cura, nga i cili edhe Musai e ka marrë emrin. Ishin Krismat e Krajës që paralajmëruan tmerrin e Luftërave Ballkanike. Le ta rikujtojmë lexuesin se çka ka ndodhur:
“Salih Zenuni i fisit të Hardojve, por që jetoi ne Curaj Poshtë, gjatë ikjes së popullatës së Krajës për në Shkodër, më 9 tetor 1912, djalin e tij të vogël 13 muajsh Adem Salên, e la në Skje dhe kapi Taraboshin për të luftuar kunder malazezëve. Para se të mbërrinin në Tarabosh, malazezët u dhanë zjarrin shumë shtëpive dhe vranë e masakruan shumë njerëz. Vlen të përmendim Veli Nilën (Berjashin), të cilit ia prenë hundën dhe veshët për të jetuar kështu gjithë jetën që i kishte mbetur.
Emrat e kranjanëve të rënë në këtë luftë (1912) kundër malazezëve: Sali Markashi, Salë Dushi (Tukemani), Musë Bajram Cura, Salih Nurja (Qyrjan), Mulla Ahmeti (Gjeçbritaj), Zenun Bajraktari (Verliq), Taip Berjashi, Sulejman Cuka, djali i Meha Nasufit (Verliq), Nezir Sulejmani (Gjeçbritaj), Ramë Zeka etj.”
Pas një rruge tejet sfiduese me shkurre dhe çuba, nën majën e Puticës janë dy varreza të ndërtuara në vitin 1963 nga Idriz Mujeziqi i Qyrjanit, të cilin plaku Musa nuk e harronte. Pa dyshim, rrëfimi rrëqethës i Musait tregon tmerrin e asaj dite. Edhe pse në moshë të thyer, fjalët që i ka dëgjuar nga të parët e tij janë një dëshmi të cilën nuk e ka zbehur as koha dhe as mosha:
“Dikush u kishte treguar malazezëve se shqiptarët janë mobilizuar për rezistencë. Forcat malazeze tërhiqen për në Kështenjë,dhe në drejtim të Matgueshit u tubuan në Zelesredë, nën majë të Puticës.
Aty i pritën Salë Dush Tukemani, 17 vjeç, dhe Musa Bajram Cura, 22 vjeç, të cilët edhe pse ishin kundrejt forcave superiore të një lufte të pabarabartë, ranë si trima gjer në fishekun e fundit të mitralozit, ku krahas tyre ra në betejë edhe ushtari turk, ishte ‘borizan’, më 9. 10. 1912”.
Plaku Musa, më në fund e gjeti fuqinë dhe guximin të na shpalosi këtë ngjarje e cila la pasoja shumë të mëdha te popullata vendase e pambrojtur.
Vendosëm në një shtizë të improvizuar edhe flamurin kombëtar, ku për hir të martirëve që ranë atë ditë bëmë një lutje që sadopak shpirti i tyre i lirë sot pas më shumë se 100 viteve vetmi, dikush po i rikujton me mallin dhe nderimin e merituar.
Urata e plakut Musa na përcolli gjatë gjithë rrugës, ku ndoshta kënga e rapsodit shqiptar më së miri e mbyllë edhe këtë rrugëtim të radhës:
Krajl Nikolla me sy n’Shkoder:

Krajl Nikolla me sy n’Shkoder:

Nal, ku je o, Kraja vogel!
Ktu na ke Nikollë t’vraftë buka,
Nuk isht shua Osa Kuka.
Në Lesender, në Vraninë,
Lufton Kraja me Cetinë.
Gjimon qielli, dridhet toka,
Joj, serdare – Kasem Gjoka.
Tym e flakë u ndez Muriqi,
Aty u vra Pop Vujoviqi.
N’luft’ të Krrics kush ra i pari?
Ali Brahja, Bajraktari.
Kush e vrau n’Shkoder valinë?
E vrau Kraja zemerzinë.
Has Lik Doda, ezhderbaja:
Yryç, djelm! – He, u pastè Kraja!
Hoxhë Lani me t’anè e vet,
Mirë pa qet, ma mirë pa vret.
Ka Shingllija po vjen zani,
Ç’po lufton Dush Tukemani.

Burimi/kohajavore.me/Sami Flamuri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *