Home

Lajme

Dom Gjergj Meta – Çfarë ka dhe pse ka diçka përtej malit?

No Comments Lajme Opinion

Përfytyroni një mal të lartë. Në këmbët e tij shtrihet një luginë e gjërë e banuar nga njerëz që jetojnë çdo ditë jetën e tyre. Për të parë e ditur se çfarë ka pas atij mali, nga ku çdo ditë lind dielli, ka së paku tri mënyra. (Ndoshta ngaqë në perëndim gjithmonë kam pasur detin, malin e kam përfytyruar gjithmonë në lindje).
E para është ajo e barinjve. Ata dalin e kullosin grigjën në anën e këtejme të malit dhe gjithë jeta e mundi i tyre janë ato dhen. I kullosin e kujdesen për to, pasi janë të rëndësishme për jetën e familjeve të tyre. Atyre nuk u intereson se çfarë ka përtej kreshtës së malit, por mund ta marrin vesh se çfarë fshihet pas gjigandit nëse grigja iu prin për kullota më të mira. Ata do të vazhdojnë të shkojnë atje vetëm e vetëm që të kullosin bagëtinë. Nëse ti i pyet, apo në biseda të rastësishme, ata do të tregojnë çfarë ka përtej, por nuk është qëllimi i tyre kryesor.
Ka një mënyrë të dytë për të ditur se çfarë gjendet pas atij mali të lartë. Është ajo e udhëtarit që do të takojë mikun e tij i cili gjendet në pikën B apo ka synim të bëjë ndonjë ujdi tregtie në atë vend. Për të shkuar aty i duhet të kalojë malin. Pikësëpari i intereson të takojë dashamirin e tij ose të kryejë ndonjë tregëti. Edhe ai mund të tregojë se çka ka parë, por qëllimi i tij është tjetër e jo eksplorimi i malit.
Mënyra e tretë është ajo e njeriut që menjëherë, kur arrin në moshën e arsyes, edhe pse është rritur në të njëjtin vend me bariun dhe tregtarin-udhëtar, bën pyetjen: “Çfarë ka përtej malit dhe pse ka diçka përtej malit?”. Ai do të niset, me habinë e të gjithëve, duke marrë në trastën e tij një bllok shënimesh, ndopak bukë dhe epitetin e të marrit e do të shkojë me të vetmin qëllim për të shuar kureshtjen e tij e për të gjetur përgjigjen e pyetjeve të tij. Ky udhëtim mund të kthehet në synimin e jetës së tij e nuk do të ndalet kreshtë pas kreshte.
Ky është filozofi!
Ditë të bukur!
D. Gjergji

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *