Home

Lajme

SOKOL SEJKO – Pushkatuar nga diktatura ne moshen 24 – vjecare

No Comments Argëtim Histori

Më 6 mars 1974, në moshën 24 vjeç, u pushkatua Sokol Teme Sejko. Është një ngjarje e rëndë, tepër tragjike dhe me akuza nga më absurdet për të.
Ai ishte vetëm 10 vjeç, kur i arrestuan babain dhe xhaxhain Taho Sejko; 11 vjeç kur pushkatuan dhe zhdukën varrin e Temes, 12 vjeç kur pa gjyq dënohet dhe pushkatohet pa u marrë vesh xhaxhai Taho dhe 13 vjeç kur vetëvritet për motive politike, xhaxhai tjetër Sulo Sejko. Përfytyroni një djalë të moshës së tij, ende fëmijë, ashtu si dhe i vëllai Mondi dhe në Shkodër djali i xhaxhait të Sokolit, Hektori, të rritej me imazhet e vdekjes dhe qenies pa varr të prindit. Ëndrrat e Sokolit fëmijë, të Sokolit adoleshent dhe të Sokolit të ri, ishin bërë copë e thërrime. E megjithatë Sokol Teme Sejko ruajti krenarinë dhe dinjitetin e të parëve të tij, siç ishin Sejkatët e Filatit dhe Çamërisë. Sokoli, Mondi, Hektori në tollovinë dhe egërsinë e viteve të diktaturës komuniste, nuk e ulën kokën. Sokol Teme Sejko, mendoj se ruajti deri në çastet e fundit të jetës së tij të shkurtër tri gjëra: krenarinë për prejardhjen e tij, dinjitetin dhe pastërtinë shpirtërore. Pas 45 viteve, në këto momente përkujtimi, unë them: “Lum ai djalë! Lum ai, që e mbylli jetën në kulmin e rinisë, me dinjitet! Faleminderit Sokol Teme Sejko, që sot i rikthehemi jetës dhe kujtimit tënd dhe na bën krenar”! Po të lexosh procesverbalin “Mbi ekzekutimin e Sokol Teme Sejkos”, që unë do ta quaja kronikë vrastare, shkruar me një gjakftohtësi kriminale, ndjen çuditërisht përveç krismave, edhe zërin e fortë, shumë të fortë, deri në ulërimë të Sokolit.
Procesverbali nis me vendin ku është mbajtur dhe ata që kanë kryer krimin: ”Në qytetin Berat, sot në orën 24:00 të datës 6 mars 1974, unë Orhan Frashëri, Prokuror i rrethit Berat, në prezencë të z/ kryetarit të Degës së P. Brendshme Berat Refat Nenaj dhe të mjekut ligjor Andon Koka…. etj, etj.
Pastaj vinë fjalët: “Për këtë, ju pyes juve Sokol Teme Sejko se cila është fjala juaj e fundit. I dënuari me vdekje Sokol Teme Sejko, tha:
“Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 11 vjeç me babain tim kur u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time. “ Dhe i dënuari Sokol Teme Sejko, duke ju drejtuar skuadrës së ekzekutimit tha: “Afrohuni dhe pak dhe shtini”.
Kur e lexon këtë procesverbal vrastar, befas të duket që ky djalosh 24 vjeçar, do të ringjallet për të rrëfyer atë çka ndodhi në orën 24:00 të datës 6 mars 1974. Dhe ne do të dëgjojmë zërin bubullimë të tij:” Afrohuni dhe pak dhe shtini”.

Burimi/Facebook/Jakup Gjoca

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *