Home

Lajme

Miho Gjini – GRUAJA E FORTË PIQERASIOTE EFTIHIA ZAHO

No Comments Lajme Opinion

Kujtime

 Dy gra të forta patëm në Piqeras dhe , që të dyja ishin nga fisi i Zahe: Athinaja dhe Eftihia. Prej një "DERE", nga më të ndriturat që kishte  fshati ynë, nën Mbretërinë e Zogut. Eftihia ishte e motra kryeplakut të asaj kohe Sokrat Zaho, që e vranë gjermanët te "Guri i Plakës", buzë detit, së bashku me Josif Qëndrin, ndërsa Athinaja qe e motra e tij. Që të dyja dolën partizane qysh në ballin e luftës dhe rrojtën me nder e të forta si gra, veç në "udhë e jetë të ndryshme": Athinaja, stoike gjer në fund të jetë së vet, besnike deri në vdekje, ashtu sikundër i kishte dhënë fjalën burrit të saj HERO, Mitro Xhanit, para se ai të vdiste nga plumbat gjermane, në duart e saj, si edhe Eftihia, intelektuale në zë, besnike e idealeve të saj, një nga personalitetet e intelektualeve të para Shqiptare, në Bregdet, në Gjirokastër dhe në Tiranën e pas luftës, që zgjodhi si veprimtari të mëvonshme të saj, misionin human:"udhën e dijes", të përkushtimit e të sakrificave për emancipimin  rinisë e të gruas shqiptare...Po edhe vdekur në kohë të ndryshme: Eftihia, 25 vite të shkuara në Tiranë,kurse Athinaja, 8 vite më parë, pa lëvizur as edhe një ditë nga Piqerasi e varrosur pranë të shoqit HERO, të cilit i trashëgoi nderin, idealin dhe pushkën.

Vite të tërra nuk e dija se ku ndodhej kjo grua e fortë, Eftihia e Zahe, e kohrave më të stuhishme që ka njohur Shqipëria… Por, kur më emërruan të punoja në Tiranë, në një dikaster qëndror të arsimit e të kulturës, si edhe për mësmdhënie në Akademinë e Arteve të Bukura, befas do të “zbuloja” se jetonim në të njejtin oborr (të Kinema “Agimit”), karshi pallateve “Shallvare”. Aty ku pata si komshinjë të nderuar: Ing,Anastas Shetin nga Vunoi (në të njejtën hyrje), si edhe me dy dyer përball, me gazetarin Hamit Boriçi e me Zooteknikun Shkodran Petrit Dizdari, pranë të cilit errdhi më pas edhe i vëllai, gazetari sportiv Besnik Dizdari. Po, do të emocionohesha kur mësova që në disa hyrje më tutje banonte shkrimtari Jakov Xoxa e në shtëpiat dy katëshe, pas meje, shoqia ime e klasës Edi Luarasi, e martuar me profesorin tim, regjisorin Mihal Luarasi. Dhe do të mrekullohesha, tek mësova edhe që,nga ana e përparme, jetonte edhe Eftihia, në katin dytë a të tretë, mbi Kinema. Që për mua ishte si një legjendë e gjallë!Nuk e mbaj mënd tani se si u afrova e u njoha me kushërirën e nënës time dhe ajo menjëherë më ftoi në apartamentin e saj, ku jetonte me burrin nga Libohova (që merrej me ndërtimet) e me dy vajzat e tyre.
Dhe nga goja e saj do të mësoja një histori të ndritur, që kishte nisur që në shkollën fillore të fshatit e do të vazhdonte në normalen e Korçës, ku do të takohej edhe me kushëriun e saj Kolë Llaçi që merrej më grupimet komuniste të asaj kohe, më pas edhe me Vasil Llaçin që zjente nga urrejtja për pushtuesit italianë. Po perfeksionimi i Eftihisë, si një karakter i stabilizuar dhe i stërmbushur me romantikën e idealizmave “për një botë të rë”, do të ndodhte kur ajo vazhdoi Institutin “Nëna Mbretëreshë” që përforcoi edhe më tepër bindjet e saj politike…Kthimi i saj në fshatin e Lukovës si mësuese dhe ece-jaket Piqeras-Lukovë, do ta afronin atë edhe me “BILBILIN”, sikundër e quanin Mustafa Matohitin,-Kryetarin Komunës me qendër në Piqeras dhe me Zaho Kokën nga Vunoi që e njihte i gjithë Bregu për trimërinë e tij, i cili e bënte shpesh rrugën gjer në Piqeras, se ia donte puna…
Qe pikërisht koha kur shtëpia e Zahe u bë si epiqendra e gjithë të rinjëve të fshatit, djem e vajza bashkë, ku roli i Mitros, i Mustafait dhe i Zaho Kokës qenë parësore. Po në ketë mjedis Mitrua u dashurua me Athinan që,-sikundër thamë,- ishte vajza e të vëllait të saj. Mirëpo ata rranë në sy për aktivitetin e tyre klandestinë e detyrohen të dalin në mal, fillimisht me çetën e Bregdetit e më pas me bataljonin e Brigadës, ku ndodhej edhe Miho Xhani e Neço Konomi…
Po, është për të shënuar qe rruga e saj me atë të Athinas, nuk qe e njëllojtë dhe kishte marrë një zhvillim krejtë tjetër, gjersa Luftëtarja e Lirisë Eftihia Zaho, afirmohet edhe si njera nga aktivistet më të gjalla të terrenit, po edhe si personalitetet shqiptare të asaj kohe ndër rradhët e grave. Partizania e guximshme dhe e pa epur e kohës së luftës, pranohet ne rradhët e partisë në 44-ën dhe , si e tillë merr pjesë ne kongresin e parë të Rinise, në Helmës të Skraparit…Ajo mbeti konseguente e kësaj “vije”, edhe pse rrethanat e jetës ndrronin përherë e “gotat merrnin krricje” njerapastjetrës…
Me vendosjen e pushtetit të ri ajo do të jetë përsëri aktive në forumet e grave të Gjirokastrës e të Tiranës më pas. Në vitin 1952 mbaron fakultetin e Gjuhës Ruse, si dhe më mbrapa, atë të Letërsisë e Gjuhës Shqipe, duke përfunduar si pedagoge e Gjuhës Ruse, po edhe si antare e kolegjiumit të revistës së grave “Shqiptarja e Re”. Duke e mbyllur karrjerën pedagogjike në Institutin e Lartë Bujqësor si Shefe Katedre e Gjuhëve të huaja…Eftihia Zaho kishte oferta dhe për të bërë karrjerë politike, po ajo vendosi të ndiqte më mirë karrjerën e dijes. Me një pasion të veçantë. Si një grua aktive, e pa lodhur, shtat lartë, e shëndetëshme dhe e bukur, me një vullnet të jashtzakonshëm për të mësuar e ngjitur shkallët e dijes…Po, sa herë që veja në shtëpinë e saj, vija re re se diçka qe “thyer në zëmrën e saj qelibar” që i ngjante tërheqjes, nga idealet e mëparshme, nga romantika e fillimeve revolucionare. Si edhe prej atyre zhvillimeve të mëpastajme me gjyqet partizane spontane, kur pushkatoheshin luftëtarët e luftëtaret e lirisë, për “një jetë të re vëllazëruese”, për hiçmosgjë, vetëm për një gjest, veprim a fjalë goje e thashemnaje të rrezikshme , sikundër i ndodhi shoqes së saj partizane Ramize Gjebreja, duke e shtirë edhe shokun e tyre të idealeve të mëdha, Zaho Kokën, trimin e çartur, Komandantin e Jugut, mikun e shtëpisë së Zahe e të Xhane, drejtë një përfundimi tragjik! Edhe pse fliste e rezervuar për kësi ngjarjesh kobzeza, ndërkohë që edhe bashkëshorti i saj ngjante, më së tepërmi, si një “burr memec”, i heshtur e fisnik, gjer në ballin që i ndriste, si aristokratët e njëhershëm dhe që, nuk ndërhynte kurrë në bisedat që ajo bënte me miqt e mysafirët e saj…
Eftihia Zaho qe një grua me dinjitet njerëzor. Gjithmonë krenare dhe me buzëqeshjen në buzë, me fjalën e mënçur e vështrimin e ëmbël, duke rezatuar kulturë, etikë qytetare, mirësi e dashuri. Po kaq e thjeshtë, sa dhe impozante.Të tillë njerëz i takoje fort rrallë në atë kohë, kur edhe për çdo fjalë “të prisnin gjuhën” e pa asnjë gjyq, Ato gjyqe që bëheshin ndërkohë qenë formale, të njëanshme dhe përfundonin shumë herë në “grrykën e pushkës”! E dëgjoja në heshtje , me admirim dhe sikur merrja “krahë” , jo vetëm nga e folura, po edhe nga prezenca e saj, që të imponohej aty për aty e të jepte siguri e shprese në rrugën që duhej ndjekur, me shumë kujdes e me “syrin hapur”!…
Shumë vite me vonë, pasi më ndëshkuan nga lartë (edhe mua!) e do të krryeja kalvarin e vuajtjeve të mia të pasosura dhe absurde, më shkonte gjithmonë mëndja tek kjo grua, që mu bë si nëna ime, e cila u bë edhe ajo me “frikë në zemër”paskëtaj!…. Dhe nuk dija asgjë për ketë grua të fortë e kaq mbresëlënëse, veç kur do të takoja rastësisht njerën prej bijave të saj, gjatë periudhës së Demokracisë, në Komunën e Lukovës, tek kërkonim të dy bashkë të njejtën gjë:pronat e dikurshme të familjeve tona, të cilat qenë “zhdukur” prej një ligji absurd, me numurin 7501, ku thuhej se , të gjithë ata qe ishin shpërngulur nga fshati para shpallje së këtij ligji famëkeq, nuk mund të përfitonin asnjë pëllëmb tokë, qoftë edhe nga toka e dikurshme e familjeve tona… Mjerrë ne si e pësuam kështu! Vajza e Eftihisë u pezmatua, si kishte rendur zyrë më zyrë e, si ishte orvajtur për tu takuar edhe me të afërmit e saj. “Vallë, për atë Kryplakun e dikurshëm që e vranë gjemanët kotmasikoti, nuk kishte mbetur as edhe një pëllëmbë tokë për të motrën e tij që mbeti maleve, me partizanët bashke, për besimin e saj të verbër se e sotmja do qe më ndryshe?! A thua që nëna ime luftoi e punoi tërrë jetën e vetë për këto ditë të zeza?”,-tha ajo me dëshpërimin më të thellë. Dhe kishte qëlluar mandejë që, vetë Zonja EFTIHIA ZAHO, të ikte nga jeta, kur mbi kokën e saj vërshëllenin përsëri plumbat e 97-ës, si dikur?!…Oh! Pas katër ditësh, ajo mbush 100 vite nga ditëlindja e saj e vitit 1922, si edhe plotë 25 vjetë nga koha e vdekjes! A e dinë vallë njerëzit që e rrethonin këtë grua, si dje maleve, po ashtu edhe SOT, në auditoret e dijeve, pse jo, edhe nëpër shkallaret e pushtetit, që nganjëherë harrohet NJERIU a bëhet sikur e harrojnë?! , Ndofta, edhe për ndonjë kurorë lulesh tek varri ku e ka, pa e thënë për ndonjë dekorim të vonë, kur ato thuajse e kanë humbur vlerën e tyre, kthyer tashmë si distriktivat që vinte në xhaketën e tij të vjetër, Veseli i Gjirokastrës,-ndjesë pastë i gjori!

Piqeras, më 11 korrik 2022

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *