Home

Lajme

Frano Kulli – NË KISHËN MESJETARE TË BALLDRENIT… ME FLAUT DHE KITARË

No Comments Argëtim Histori

Botuar sot në PANORAMA
Dy instrumentistë nga Kosova, Nina Shala në flaut dhe Drilon Cocaj në kitarë, të shkolluar lakmueshëm në Konsevatorë emërmëdhenj si “Giuseppe Verdi” në Milano e “Luca Macarenzio” në Brescia, prej pak vitesh pedagogë në instrumentet respektive, në Prishtinë, po edhe koncertdhënës në Itali, Zvicër, Francë, Spanjë, Suedi, Kosovë, Maqedoni … dhanë këtë fundjavë një koncert edhe në Shqipëri… “Duo Koncert” e kishin thirrë paraqitjen e tyre me pjesë simfonike klasike, që dhanë fundjavën që shkoi, në një kishë të vogël, mesjetare, në Balldre të Lezhës.
Kisha, në të cilën, pas restaurimit të parvjetçëm është ruajtur e paprekur çdo shenjë e vlerë e trashëgimisë e shpëtuar prej rrëmeteve të kohës së largët fort. Kisha e Sh’na Prendes është e ndërtuar në fundshekullin e dymbëdhjetë. Në përkujdesjen e fundme ripërtëritëse nga dom Nikë Ukgjini, amanetqari i rrallë i mirëmbajtjes së kësaj trashëgimie, personazhi i njohur e nismëtar e prijës i këtyre punëve të vlefshme sa vetë idenditeti i Shqipërisë sonë. Më shumë se vjetërsia e saj, interesante është shpërfaqja në apsiten e saj e një afresku: “Darka e fundit”. Piktura murale aty mendohet të jetë realizuar, jo më pak tre shekuj përpara se të vinte në botën tonë Leonardo da Vinçi (1452-1519), i famshmi i përbotshëm. Arrijmë në këtë përfundim simbas kumtit të arkeologut françeskan At Flavio Cavallini: “…mbështetur në disa të dhëna që zotërojmë, mund të hedhim një hipotezë datimi. Ka mundësi që mjeshtrit e afreskeve, me shumë gjasë me prejardhje dalmate, të kenë lënë në gjysmën e dytë të shekullit XIII këtë gjurmë me shumë vlerë të artit të tyre në peshtafin (këtu: elterin, altarin) e vogël të Kishës së Shën Prendjes.” …”Duo”-ja luajti pjesë si: Cafe 1930 – Astor Pazzolla, Cavatina-Stanley Mayes, Siete canciones populares espanolas, por edhe “Kur më vjen burri nga stani- Tefta Tashko, etj., Kurse ata që e shijuan mbrëmjen qenë jo më shumë se 60 a 65 veta, shqisat e të cilëve , dukshëm shfaqnin ndjesi paqtije e njëheri ndezullie emocionale që të jep muzika e mirë, e përcjellë gjithashtu mirë e me virtuozitet. Muzika, në një sintoni të përqasun me “odeonin” ku luhet…

  • * *
    Edhe në Kukël, në fillimgushtin e verës së vjetshme u pat luajt një koncert me piano.
    Robert Bisha pati dhanë koncert me piano në patalogun përpara qelës e Kishës së Kuklit. Bukur sa s’ka. Roberti, i shkolluar mirë në Itali, po edhe me karrierë të lavdërueshme e të shënuar artistike atje, vinte për koncert me piano këtu, në vijim të një turneu që sa e kish mbyllur në Italinë e Jugut.
    Dy net më parë kishte luajtë në oborrin e Katedrales së Rrëshenit, ftuar prej Mons. Gjergj Metës, pastaj këtu… E të pasnesërmen në Shirokën piktoreske. Me një repertor krejt të zgjedhur, me pjesë simfonike klasike po dhe me krijime të vetat muzikore, të improvizuara; një ngjizje e bukur e folkut të veriut kryesisht, me muzikën klasike.
    Një teknikë krijuese artistike, të cilën tashmë e ai ka konsoliduar dhe jo pa sukses. Pjesë të luajtura më parë edhe në të tjera koncerte në Itali e gjetkë. Pianist, por edhe mjeshtër interpret në shumë instrumente të tjerë, Roberti, përpos se tashma është i njohur në mjaft qytete të Europës, sidomos të Italisë, ka shënuar koncerte tepër të mirëpritura edhe në Shqipërinë e tij.
    Aso here, nën zë, si mos me dashtë me zhurmue sado lehtë tingujt e pjesëve simfonike, njeri prej organizatorëve të koncertit, Marjani, Marjan Lukani, megjithatë nuk e pati lënë pa e përcjellë te shikuesit e vëmendshëm e seriozë të koncertit se, kur kishin shkuar të kërkonin pianon në Shkodër për koncertin, dikush nga zyrat përgjegjëse atje u kishte thanë se pianoja nuk mund të nxirrej prej institucionit… Në Shkodër, vjet kështu…
    Në Shkodrën që, “…në vitin 1835, kemi dokumente që provojnë blerjen e 28 pianove, ashtu siç kemi informacion se në fshatin Bërdicë [5-6 km nga Shkodra] në vitin 1842 kishte rreth 30 violina që përdoreshin në muzikën popullore ” – kumton akademik Vaso Tole. (https://wwwkultplus.com/…/ishte-viti-1845-kur-shkodra… 14 dhjetor, 2017) Duke dëgjuar kumtin e pakëndëshëm, sesi m’u pat përzie ajo shija e athtë që vjen nga vitet tridhjetë prej koncertit asokohe të dy zonjushave artiste; Tefta Tashko Koço e Lola Gjoka, përmes filmit “Koncert në vitin 1936”.
    Edhe atëherë, atje, në njërën prej qyteteve baltovike të Myzeqesë, ku artistet e kultivuara, kthyer nga Parisi, kishin shkuar për të dhënë koncert, njeriu i zyrës, komik po i dëmshëm sa s’ka, u fut “stërkëmbësha”, duke zhurmuar me ca çengie të porositura tingujt e meloditë oksidentale të artisteve idealiste.
    Ngjashëm shumë me atmosferën konsumiste muzikore sot, ku “tallavaja” çan turrin. Në dasma e në zijafete, në rrugë në plazhe e nëpër hotele, në pritje e në synetllëqe…dhe një pakicë e njerëzve detyrohen ose të ndryhen në shtëpi, ose të vënë pambuk në veshë, kur “per forza” ndodhen aty pranë.
    Nejse…, po meq rasti e solli në përmendje, Kukli, një fshat mbështetur në faqen lindore të Malit të ultë të Kakarriqit, ndërmjet Shkodrës e Lezhës, prej ku kundrohet si prej një ballkoni të gjatë natyror krejt fusha e Zadrimës deri në Kallmet, me kund njëqind shtëpi, po a jo, zor se do të njihej më përtej kufirit sa të kap rrethi i syrit, sikur aty të mos kishte jetuar gati gjysmën e jetës së vet, kund nja tridhjetë vjet, Ndre Mjeda.
    Prift famullitar aty, poeti i “Juveniljes”, gjuhëtari, atdhetari, politologu, veprimtari i iluminuar i prosperitetit tonë kombëtar. Me një formim të thelluar e të shumanshëm të marrë përreth 16 viteve (nga viti 1979-1895) të pandërprerë në auditorët universitarë prestigjiozë të Europës, në Valencia-Spanjë, Kraljevica-Kroaci, Universiteti Gregorian në Romë, në Kremona-Itali e Krakovas Poloni. Me një talent krijues aq shumë të spikatur…
    Por edhe me dhunti e kualifikim të lavdërueshëm muzikor… E duhet kujtuar, se përmendet pak e ka kaluar thuajse në heshtje fakti se: nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha mësime muzike në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Po, po, mësime pianoje…
    Po në auditoriume si këto të Kishave të vogla e të Katedrales së madhe të Shkodrës së gati një shekull më parë, zë fill kreatyra muzikore e mjeshtrave themelues të muzikës së kultivuar në Shqipëri; At Martin Gjoka, dom Mikel Koliqi, Prek Jakova, Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Pjeter Gaci… Kurse Avni Mula do t’ia dedikonte “zbulesën” e dhuntisë së vet muzikore një prifti të katundit, dom Nikoll Dragusha në Beltojë, afër Shkodres, duke u ushtruar në pianon që prifti kishte në qelen (banesen) e vet aty në katund. Në agun e viteve ’40 të shekullit të shkuar.

Koncerte e veprimtari të tjera artistike si këto, janë edhe një motiv e thirrje më shumë për t’u larguar nga rrëmuja e rrëmeti i qyteteve ditëve të verës me të nxehtë avullues. E me zatetë këtu në oborrin e vogël të Kishës së herëshme të Balldrenit. Ase në oborrin e qelës së Kuklit të Mjedës së ëmbël, ndërtuar me aq shije e sharm plot 116 vjet më parë e kthyer sot, në një unit kulturor shembullor, falë hobit të dom Nikës. Faleminderit Nina Shala në flaut dhe Drilon Cocaj në kitarë, falemnderit mjeshtër Robert Bisha në piano…, falemderit ju të treve për zgjedhjen e fisme e të dobishme!
Ju mjeshtërve të Teatrit Kombëtar të Operës …pushime të mbara !

Burimi/Facebook/Frano Kulli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *