Home

Lajme

Kujt i’a kemi borxh hapjen e negociatave?

No Comments Lajme Opinion

Pas 32 vitesh pritje, Shqipëria hyri në një tjetër rrugë. Nga ky moment nuk ka më kthim pas, ka një rrugë të sigurt përpara, sado e ngadaltë të jetë. Hapja e negociatave është një lajm i jashtëzakonshëm, tashmë funksionimi i vendit, i ligjeve, i barazive, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, do të jenë nën një monitorim të rreptë të BE-së.
Por kujt i’a kemi realisht borxh hapjen e negociatave?
Dëshira e shqiptarëve për të qenë pjesë e Europës ka ardhur që më lindjen e shtetit shqiptar, dëshirë kjo e vazhduar nga Gjergj Kastrioti që luftoi dhe kërkoi që Shqipëria të ishte gjithmonë e më tepër drejt Perëndimit. Më tej rilindasit, u munduan të shtronin rrugën për një Shqipëri europiane, përpjekje që kulmoi dhe u konkretizua me Shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali. Pra, borxhin e parë i’a kemi atyre që i dhanë Shqipërisë gjithçka, e mbi të gjitha lirinë dhe dijen.
Shqipëria do ishte bërë pjesë e Bashkimit Evropian përpara të gjitha vendeve të tjera të rajonit. Ne do ishim në BE në fillim të viteve 1990, kur në 1989-ën Gjermania na ofroi një mundësi të artë, por Ramiz Alia ishte gati që edhe nëse bar të hanim, nga izolimi komunist të mos dilnim.
Shqipëria do ishte bërë anëtare e BE-së në vitet 2000, pasi në fillim të viteve ’90 i gjithë rajoni ishte në flakë dhe ne shiheshim si kampionët e integrimit. Nuk ndodhi, pasi Sali Berisha e kishte mendjen ta shtrydhte pushtetin deri sa e çoi vendin në greminën e vitit 1997, duke na kthyer në pikën zero.
Shqipëria do ishte pjesë e familjes Evropiane në vitin 2013, kur Krocia i’u shtua listës së vendeve të tjera të bllokut lindor, që megjithëse po aq të vogla dhe të varfra sa Shqipëria, kishin progresuar mjaftueshëm. Nuk ndodhi, pasi Edi Rama kishte në plan ta mbante vendin peng, duke refuzuar të votonte tre ligjet që kërkoheshin nga Bashkimi Evropian, se kishte hallin e këshillit bashkiak të Fierit në zgjedhjet e asokohe.
Pra, Ramiz Alia, Sali Berisha dhe Edi Rama, na kanë borxh 32 vite, duke na mbajtur larg Perëndimit, e duke na shtyrë gjithmonë drejt Lindjes.
Po sot, kujt i’a kemi borxh hapjen e negociatave dhe nisjen e rrugëtimit pa prapakthehu?
Nuk i’a kemi borxh as qeverisë aktuale e as qeverisë së shkuar. Ata janë përgjegjësit kryesorë të 32 viteve izolim. Bashkë me vitet e diktaturës, janë 77 vite larg një dëshire që nisi që me lindjen e shtetit shqiptar. Këtyre nuk u kemi asnjë borxh, por i’a kemi borxh administratës së shtetit shqiptar, punëtorëve, profesionistëve dhe Diasporës që janë ambasadorët tanë më të mirë kudo në botë.
Ua kemi borxh gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm, të cilët qëndruan të palëkundur ndaj korrupsionit, në bërjen e Reformës në Drejtësi. Ua kemi borxh mësuesve dhe pedagogëve të ndershëm, të cilët rritën cilësinë e arsimit dhe kontribuan në forcimin e dijes për brezat që u arsimuan. Falë tyre, qindra studentë shqiptarë kanë shkëlqyer në shtetet e Europës dhe nderojnë kombin tonë.
Ua kemi borxh punonjësve të ndershëm të administratës, të cilët nuk mbyllën sytë përballë korrupsionit dhe vendosën t’u shërbejnë qytetarëve. Ua kemi borxh fermerëve që punuan tokën pa u ndalur për të dërguar në vendet e BE-së prodhimet e tyre, për të promovuar Shqipërinë. I’a kemi borxh çdo shqiptari brenda dhe jashtë kufijve që kontribuoi sadopak për të promovuar vlerat dhe traditën e një vendi që e do demokracinë e do Perëndimin dhe që nuk e lidh asgjë me diktaturën e vendeve të Lindjes.
FALEMINDERIT!
Ata na vonuan për 77 vite, u sollën më keq sesa qeverisja komuniste me këtë vend. Nga ky moment çdo gjë nuk është më në dorën e tyre. Mund të vijojnë të na vonojnë në përmbushjen e pikave që BE ka vendosur, por Shqipëria nuk kthehet më në pikën zero. Padyshim çdo parti politike do të marrë meritat e saj dhe mund të kemi sërish vonesa, por kthim mbrapa nuk ka. Çdo proces në Europë ka marrë kohë por ka ndodhur. Çdo proces në Shqipëri ka marrë kohë por ka ndodhur. Këta nuk e mbajnë dot më peng Shqipërinë!

Burimi/Facebook/Nisma #Thurje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *