Valixhja është gati.
Oh sa e rëndë!
Ka brenda vetëm një grusht dhè;
aromën e bukës,
të ujit të pusit
Të kodrës së mallit…
Në xhepa, ca dhimbje.
Një muzg agimi,
Një zhytje dielli.
Lidhur me një fjongo të kuqe,
kujtimet.
I ruaj me kujdes,
si rripin bojëhini që kam në brez,
Gjallë frymën të më mbajnë
rrugëve të botës,
në kërkim të vetvetes,
të kafshatës pa shije,
të njerëzve të ftohtë,
e ditëve të shkurtra.
Fjalëve njërrokëshe,
apo verave të varfra, pa këngë e valle.
Dimrave kërrusur plot borë e halle,
Sakrificave që s’shihen,
Të afërmve që s’njihen…
Njëlloj valixhja, vit pas viti!
Asgjë s’ndryshon, veç ne plakemi,
Harrohemi fjalëve të kota,
mbi shpinë të tjera torba.
Nyjë e mallëngjimit lidhur për fyti,
mbi krye padronë,
e malli,
ah malli brenda brinjësh gjëmon.
Dita, muaji, viti, jeta,
sa hap e mbyll sytë shkojnë
E unë me to shuhem
brigjeve të një dheu të huaj…
Një ditë, tri vjeshta,
Mallin në valixhe ruaj.
Burimi/Facebook/Autorja