Home

Lajme

Zhuliana Jorganxhi – KUR VRITESHIN POETËT

No Comments Argëtim Letersi

Martirëve të Demokracisë,
Poetëve të pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi

Lerëmi të vij tek ju sonte,
o shpirtëra të bukur, poetë të rinj!
Dhembja për ju këtu do më çonte,
nën hijen e hënës t’ju ndizja qirinj.

Vij para jush dhe bije në gjunjë…
Si plagë gjakoni paprerë në zemër.
Ku ishe, pyes veten, ku isha vallë unë,
kur varr nuk iu jepnin, ju linin pa emër?!

E deshët çdo lule, pranverën dhe vjeshtën,
mëngjesat sykaltër, qirinjtë kur ndez qielli…
Në fshatin e largët me emrin, Bërzheshtë,
Ju puthën nënat, për herë të pare, dielli.

Ja deshët çdo fjalë me tingëllim poeti,
kësaj gjuhës sonë, të lashtë arbërore.
Si bleta nektarë e mblodhi ky Gemci,
leksikun e rrallë në skeda, fletore.

E donte Vilsoni, shqipen aq shumë,
sa gjithë gjuht’ e botës i deshi prej saj!
Poet i mençur, s’mendoi, jo, kurrë,
si Krisht të dënohej fajtor i pafaj.

Poet ëndërrimtar, lirik i ëmbël Genci!
Mbi libra, ty Vilson, të perëndonin netët…
Po pse kaq përulur kjo jeta jonë eci,
ku ish zëri ynë, kur vriteshin poetët?!

“U fol për ta!”, thërrasin “ekspertizat”.
Çdo fjalë kanë plumb, sikur merrej hak.
Zukatin mbi vargje, si kërmave mizat,
ata “ekspertët tanë” , me duart me gjak.

Nga ç’gjirize vallë dolën “ekspertët”,
që shpirtra poetësh kafshonin si minj?!
Me thonj të përgjakur ngrinin gënjeshtrën
dhe ishin “poetë”, “shkrimtarë” të rinj!…

Ishin “kolegë” të Gencit, Vilsonit,
të etur për “poste” e pak “lavdi”.
Kishin mësuar si të përgjonin,
shpirtrat e pastër gjer në magji!

S’ish “ideali” , që rrugën “iu ndriste”
Aty katakombesh ku fshihej ligësia,
ky “zell” i tyre kërkonte dhe vriste
shpirtin e bukur, që shkon tek liria!

O turp i madh, ç’llahtar dhe tmerr!
Pendim nuk shfaqën në asnjë rast,
këta gjarpërinj, që derdhën veç vrrer
ndërrojnë sot maskat nga çasti në çast!…

Por, ja më flasin nga varri poetët,
me duart thyer nëpër zinxhirë:
“Të vdesësh i ri nuk qenka e lehtë
dhe kaq i ndershëm, është e vështirë!”

Ç’u panë sytë e bukur, o djem shpirtkulluar!
Ç’tortura trupi, ç’dhimbje shpirti,
N’ato qeliFerri me ujq të tërbuar,
të kryqëzuar ju ngjanit me Krishtin!

Ju bënë një gjyq, gjyq “shëmbëllor”
Gojëkyçur populli në ankth priste jasht’,
ku nënave tuaja për djemtë therror,
iu dridhej zemra dhe palca në asht.

E morën rrugën drejt në Tiranë,
e thirrën me zë Ajkune at’ ditë,
por vajet e tyre humnerash ranë,
as varr s’do t’u jepnin , të qanin bijtë!

Të gjithë pa gojë nuk thamë një PSE?!”
Përse kjo mynxyrë dhe gjithë kjo hata?!
Si jetën, e deshën çdo gjë mbi kët’ dhé,
veç ishin dy “ndryshe”, e ishin “ata”.
X X X
Si ndaj dot të dy, më vijnë kaq pranë
dhe janë kaq të rinj, me plagë të vjetra!
“Shiko, thotë Genci, ca pika shiu ranë!”
Janë lotë të vonuar, nuk është “Vjeshta”

“U rritën fënijët?” U rritën, o Genc!
Ja lulet mbi ty me lotë I ujitën.
Po nëna e shkretë , rri ty e të pret,
lart tek shtëpia aty, në Bërzhishtë.

Poet rebel shfaqet Vilsoni.
Një brengë në sy , si dallgë i mbeti,
thotë: “Foshnjën, mos ma trazoni!
Ah, nuk e njohëm dot njëri tjetrin!”

I them, ta dish sa është rritur!
E ti e doje siç doje dhe jetën,
lindjen e saj sa shumë e ke pritur,
emrin e bukur, ia thonë , Enrietë!

Njeri i mirë, në ndjen poezinë,
muzikën klasike nëse ti e ndjen,
dikur të dyja kanë bërë herezinë,
që vrau poetët-profetë të mëdhenj!

Vij para tyre dhe bije në gjunjë…
Më falni vëllezër, në derdha ca lot!
Janë të vonuar, e di si unë,
me vargjet si lule , që po ju sjell sot.
Gusht 2005

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *