Home

Lajme

Leter drejtuar z. Ilir Meta, nga Elona Agolli , vajza e te madhit , Dritero Agollit

No Comments Argëtim Letersi

Elona Agolli
I dashur President, mik i çmuar Ilir Meta,
Të dashur miq të Dritëroit,
Të nderuar bashkëpjesëmarrës në këtë ceremoni,
Ndjehem e lumtur që Institucioni më i lartë i Shtetit, organizon Ceremoninë e Vlerësimit me dekoratën Urdhri i Flamurit Kombëtar një ndër vlerësimet më të larta për personalitetet me kontribut të shquar në lartësimin e kombit dhe identitetit kombëtar.
Kontributi i Dritëroit, veçantësohet përmes artit dhe veprës së tij letrare, por edhe jetës së tij si veprimtar i shquar në të mirë të përparimit dhe evropianizimit, të emancipimit dhe dritësimit të kombit tonë, të mbarë shqiptarëve anekënd trojeve të tyre.
Si atdhetar e mëmëdhedashës, zëri i tij, në jo pak momente kyçe të historisë ka dëshmuar pjekuri, idealizëm, drejtësi dhe largpamësi.
Përherë edhe për ne pasardhësit e tij, Dritëroi ka qenë udhërrëfyes për Atdhedashurinë, përuljen ndaj Flamurit dhe Atdheut të të Parëve. Kur Himni Kombëtar këndohej në Ceremoni zyrtare, dora e Dritëroit mbështetej në kraharor, afër zemrës, fare pranë saj, aq natyrshëm por aq edhe me përulje e dhimbje.
Dhe ndodhte që e pyesja për këtë gjestin e tij shumë domethënës, e ai me përgjigjej me vargjet e rilindësve të shquar, Naimit e Ndre Mjedës.
Ja disa vargje të mrekullueshme për Atdheun, në poezinë me të njëjtin titull “Atdheu”, i vitit 1983.
Atdhe,
të ndiej në hatullat e zemrës dhe shpirtit,
Të ndiej në zulmën pa cak të rinisë,
Të ndiej në qëndresën e plakjes sime si plakja e Krishtit,
Të ndiej në gjëmimin e madh të historisë.
Atdhe,
ku të të ndiej nëse një ndjenjë qënia ime do të ketë,
Të them të të ndiej edhe në lëngun e hirit
Atje ku s’ka lëng e s’ka jetë?
Të them se të ndiej edhe në botën reale krejt të vërtetë,
Edhe në botën e hiçit…
Falenderoj edhe njëherë me këtë rast të veçantë nderimin që i bëhet Dritëroit, veprës së Tij, si pishtar i shqiptarizmit.

Burimi/Facebook/Dritero Agolli – Faqja zyrtare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *