Home

Lajme

Vladimir Duraj – Jam babai i Sinanit

No Comments Argëtim Letersi

Vite më parë! Kthehesha nga Athina me autobuz. Në sedilje me mua ishte ulur një burrë i shkurtër, simpatik dhe siç doli më pas, muhabetçi i kënaqshëm.

  • Nga të kemi – më thotë pasi ishim përshëndetur me njëri – tjetrin kur u ul pranë meje.
  • Nga Kuçova, po ju ? – i them.
  • Nga fshatrat e Tiranës – më përgjigjet.
    Athinë – Tiranë zgjat goxha me autobuz, ndaj, kur gjatë kësaj kohe relativisht të gjatë je nën shoqërinë e një njeriu të mençëm dhe llafollog, mund ta quash veten të privilegjuar nga rastësia.
    Kështu u ndjeva edhe unë në atë rrugëtim, simpatiku i shkurtër ma bëri të shkurtër e të kënaqshëm atë udhëtim të gjatë.
    Biseda hidhej nga njëri breg në tjetrin dhe falë aftësisë së shokut tim të rastësishëm, ajo dukej sikur vallzonte plot kënaqësi. Folëm për tema të ndryshme, nga ato shoqëroret e deri tek politika. Dalngadalë koha po bënte të sajën duke i afruar fundin rrugëtimit tonë aq të këndshëm.
  • Po i afrohemi stacionit tënd, këtu do zbresësh për të shkuar në Kuçovë, apo jo ? – më thotë një moment shoku im i ri.
  • E, pse, arritëm ? – i thashë unë instiktivisht në një mënyrë të atillë ku shprehej dukshëm keqardhja për fundin e asaj rruge.
  • Ishte kënaqësi për mua njohja me ju dhe këto orë që kaluam së bashku…je zotëri burrë – i them simpatikut në fizik e shpirt bashkë.
  • Jam babai i Sinan Hoxhës, këngëtarit – më thotë plot krenari dhe kënaqësi bashkë.
  • Ou, do ti që ngjani shumë ?…po pse s’ma the që në fillim…le që më mirë vonë se kurrë – i thashë i qeshur dhe i kënaqur njëherazi që ai burrë i mirë ishte babai i një emri të madh të muzikës sonë popullore.
  • Nuk do ta thosha as tani, por ti, me shprehjen ”zotëri burrë” në adresën time, ma rrëmbeve pohimin ”jam babai i Sinanit”. Ne baballarët duhet të dimë që jemi pasaporta e fëmijëve tanë, aq më tepër kur këta fëmijë kanë bërë emër në shoqëri. Është detyrë jona një jetë plot vlera, një sjellje dhe prezantim dinjitoz në shoqëri falë së cilës njerëzia të na quaj ”zotëri burrë”…vetëm në një rast të tillë nderojmë të pjellët tanë dhe ndihemi krenar për ta. Që ti vë kokë muhabetit, qënia ime si babai i Sinanit ia shton edhe më vlerat tim biri, ndaj edhe ta thashë pasi ti m’u drejtove me atë ”zotëri burrë”. Babai e nderon fëmijën, fëmija e bën krenar prindin – përfundon babai i Sinanit pikërisht në momentin kur frenoi për të zbritur unë.
    Përshëndetem edhe njëherë me bashkudhëtarin tim të këndshëm e simpatik dhe zbres nga autobuzi për të hipur në një tjetër mjet, benx i kompanisë udhëtuese që do të më çonte në të ëmblën time, Kuçovë.

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *