Home

Lajme

Vladimir Duraj – Përparim Kolasi – Doktori duarart i Teknikës

No Comments Argëtim Histori

(Botuar sot në gazetën “Telegraf”.)
Ishte viti 1983! Në Kuçovë vjen Sali Dibra, komisar i Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Teksa dilte nga kafeneja e Shtëpisë së Oficerave, i shoqëruar nga Harrilla Rebi, komandant i Regjimentit të Aviacionit në këtë qytet, Saliu përballet me një surprizë të bukur, por edhe paksa “bezdisëse” për të.

  • Ç’ne ky ”Zuk” i ri këtu ? – pyet Harrillën duke mos e hequr vështrimin nga ”Zuk”-u i parkuar në oborrin e Shtëpisë së Oficerave, pranë të cilit qëndronin komandanti i kompanisë së transportit në regjiment, Përparim Kolasi dhe shoferi i “Zuk”-ut, Fatmir Lace.
  • Ju na e premtuat, shoku Sali, por ne arritëm ta merrnim vetë ”Zuk”-un e ri – i’u përgjigj Harrilla buzagaz.
  • E morët vetë ? Po unë kam luftuar kaq shumë për t’u sjellë një mjet të ri…..ministri tregëtisë së jashtme më ka thënë se për momentin nuk e disponojnë një të tillë…ndërkohë që mjeti paska ardhur këtu….çka, çka, do ketë punë me mua ministri – i thotë më tepër vetes se sa Harrillës, i miri Sali, me pamje paksa jo të zakontë.
  • Jo shoku Sali, nuk e kemi marë në ministri, ky ”Zuk” është si i ri falë duarve të arta të këtij djaloshi – i thotë Harrilla, po buzagaz, duke treguar me dorë nga Papi.
    .
  • Thirreni të vijë këtu që ta njohë edhe unë këtë duarartë – i tha Saliu, Harrillës.
    Harilla nuk u mendua gjatë, ishte rasti më i mirë për ta promovuar beniaminin e tij në majën më të lartë të kupolës në Aviacion.
  • Eja, Papi, eja këtu – i bëri zë Papit që, pas 5-6 sekondash, u ndodh pranë tyre dhe shtërngonte duart me Sali Dibrën.
  • Të përgëzoj, Papi, për punën e shkëlqyer që bën në repart. M’u duk i ri ai “Zuk”, si i ardhur nga fabrika, kur Harrilla më tha se ai është produkt i mendjes dhe duarve të tua. Të lumtë dhe kështu vazhdo…ndërsa ju, Harrilla, shiheni si aset të çmuar këtë djalë, t’i plotësoni çdo kërkesë a nevojë që mund të ketë – përfundoi Saliu duke iu drejtuar të dyve.
    Në fakt Harrilla nuk kishte nevojë për porosinë e Saliut, Papi ishte dobësia e tij, ashtu siç do të ishte më vonë edhe për të tjerë komandantë repartesh ku ky i fundit shërbeu.
    Nuk e di nëse Harrilla, në qasjen e tij ndaj Papit kishte parasysh vendin nga ky vinte, Kolonjën e burrave e grave të penës e pushkës, atdhetar e dijetar të spikatur, njerëz që fisnikërinë e kishin shtrat të ngrohtë mbështetës dhe mirësinë shoqëruese të përherëshme.
    Nuk e di nëse Harrilla e dinte që Papi kishte lindur për t’u bërë dikush, që ishte një nxenës i rralle e që brenda vitit mori dy klasë njëherësh, duke kaluar nga klasa e tretë në të pestën vetëm duke dhënë provimet e klasës së katërt në vjeshtë.
    Nuk e di nëse Harilla e dinte qenien e Papit bir të një familje me tradita, bir të një babai me vlera sa një mal i lartë, bir i Teki Kolasit dhe, thënë këtë, kuptohet lehtësisht madhështia te djaloshi simpatik në pamje e i superbukur në shpirt. Do të isha i padrejtë nëse nuk do të përmendja këtu edhe nënën e Papit, burimin e mirësisë te Ai, si edhe vëllezërit e motrat e tij që, të gjithë bashkë, përbënin atë oaz lumturie të bekuar nga vet perëndia… nuk e di nëse Harrilla i dinte këto.
    Por edhe nëse nuk i dinte, nuk prishte gjë. Harrilla ishte burrë i zgjuar , me intuitë për t’u pasur zili…ishte kjo e fundit që atij i thoshte :
    “- Pap Kolasi është mal i lartë, është si Tekiu, i jati. Papi është djalë me norma, i zgjuar, i ndershëm, puntor, duarartë, i dashur, modest, fisnik mor fisnik që nuk e gjen dot një të dytë.”
    Dhe Harrilla i bindej intuitës për atë ç’kish qënë e nga vinte Papi, por po ashtu i bindej edhe asaj çfarë ai shihte e perceptonte në përditshmëri tek beniamini i tij. Dhe çfarë ishte ajo që dukej nga të gjithë te Papi ? Ç’kishte bërë Papi në Regjiment ? Ja me pak rreshta, me konçizitet maksimal :
    “Papi u identifikua shumë shpejt si mjeshtër në profesion, aq sa vetëm pak kohë pas ardhjes së Tij në regjiment atë e pagëzuan me epitetet “duararti” dhe “doktori i teknikës”. Vepër e mendjes dhe duarve të tij ishin bërja si të reja e mikrobuzit të shtabit dhe autobuzit të pilotëve.
    Kur Harrilla dhe Viktor Vangjeli, komisar i Regjimentit, panë se “Zuk”-u i premtuar nga Kommanda e Aviacionit për ushqimin e pilotëve po vonohej, vendosën t’i drejtoheshin Papit :
  • As ministria dhe as Komanda e Aviacionit nuk po na e dërgojnë mjetin e ri për transportin e ushqimeve të pilotëve, rëndësinë e të cilit ti e di – i thanë Papit në zyrën e tyre. Jemi në dorën tënde, bëj si të bësh dhe na e zgjidh këtë problem – vazhdoi Harrilla që nuk e fshihte simpatinë dhe admirimin për djaloshin simpatik.
    Papi e vlerësoj maksimalisht këtë kërkesë në kufijtë e lutjes dhe pas një kohe jo shumë të gjatë realizoj mrekullinë që Sali Dibra kishte para syve. ”Zuk”-u nuk dallonte nga ata të sapo ardhurit nga jashtë.
    Nuk ishte për t’u habitur dhe as surprizë ajo që Papi bënte në përditshmëri, nëse marrim parasysh arsimimin e tij si ekselent që në nisje. Nuk ishte pa domethënie as përfundimi i dy klasëve (të tretën dhe të katërtën) brenda një viti mësimor, nuk ishte pa domethënie përfundimi shkëlqyeshëm i Politeknikumit “7 Nëntori”, supershkolla që kërkonte veç mendjes brilante edhe duar të arta…ndryshe nuk klasifikoheshe shkëlqyeshëm në këtë legjendë të arsimit profesional shqiptar.
    Me mbarimin e Politeknikumit Papi shkon në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në fakultetin “Tanke – Autotraktor”, të cilin e përfundoi po shkëlqyeshëm në vitin 1976, duke u titulluar “Oficer, specialist për Autotraktorë” dhe emërohet komandant i togës speciale në Regjimentin e Aviacionit në Gjadër.
    Në vitin 1977 Papi vjen në Kuçovë si komandant i Kompanisë së Transportit në Regjimentin e Aviacionit dhe ku shkëlqeu në çdo fjalë që nxirrte nga goja, në çdo hap që hidhte, në çdo gjë që kapte me dorë, në gjithçka…këtu u pagëzua “doktori duarartë i teknikës”, këtu u bë beniamin dhe pikë e dobët e komandantit emërmadh, Harrilla Rebit.
    E meqë jemi këtu, po sjellë të vetmin rast ku Harrilla “anashkaloi” çdo rregull të shkruar e pashkruar për t’i dhënë Papit hyrjen më të mirë të pallatit të ri, të sapondërtuar për strehimin e pilotëve. Dhe kur dikush prej pilotëve u ankua te Harrilla për këtë vendim të tijin, Ai iu përgjigj :
  • Papi është përjashtim, është unik në llojin e tij, është një i vetëm në regjiment përballë një morie pilotësh. Edhe ti e njeh se cili është Papi, ia di dhe vlerëson kontributin në regjiment e si rrjedhojë, a nuk duhej bërë një diferencim i tillë për Të ? Unë them se po dhe mezi prisja një rast sinjifikativ për t’i treguar mirënjohjen tonë, për t’i treguar sa i vlerë është Ai për ne.
    Në vitin 1985 Papi transferohet në Pogradec me detyrën e Shefit të Teknikës në Divizion. Në qytetin e luleve, të gjolit, të Lasgushit dhe të Mitrushit Papi vijoi të bente të njëjtën gjë, të restauronte dhe mbante në gadishmërinë më të lartë teknikën në divizion, të mbante lart e të ngrinte më tej emrine tij të mirë të krijuar në vite. Qendron në Pogradec deri në vitin 1996, për të kaluar prej andej në Batalionin e Sigurimit në Tiranë po si Shef Teknike.
    Në periudhën 1998-2000 Papi kaloi si Shef Teknke në Divizionin e Tiranës dhe pas kësaj, në vitet 2000- 2006 si Shef i Riparimit dhe Mirëmbajtjes në Komandën e Forcave Tokësore të Ushtrisë. Më 12 Prill 2006 Papi doli në pension të parakohshëm. Në vitet 2010-2013 Papi fillon punë në Ofiçinën e Ministrisë së Brendshme si Shef i saj, ndërsa në periudhën 2016-2020 punoi si Pedagog në një Shkollë Profesionale për përgatitjen e mekanikëve të serviseve.
    Më 29 Janar 2020, në moshën 65 vjeçare Papi del në pension pleqërie, por edhe ky pension, ashtu si edhe ai i parakohshëmi janë vetëm evidencë në rrugëtimin e një jete plot lavdi.
    Pap Kolasi vijon ende dhe do të vijojë sa të jetë në këte jetë, të dashurojë profesionin e tij, atë profesion të veçante të kthyer tashmë në kryehobin e tij, atë profesion që ka mbi 30 e ca vjet që e ka bërë sinonim të jetës së tij, restaurimin e mjeteve të vjetra, RETRO. Ai është antar i Komisionit të Vlerësimit të mjeteve RETRO pranë D.P.SH.T.RR.
    E megjithëse sa them më sipër mund të duken “goxha” për Papin, e vërteta tregon se kaq është shumë pak për Të, biles shumë pak do të jetë edhe me çdo shtoj më poshtë. E vërtetë, Papin mund ta përshkruaj afër reales dikush që përdor mjeshtërisht penën dhe unë këtë nuk e pretendoj. Ajo që unë kam me tepri për Papin është nderimi, vlerësimi dhe dashuria për këtë Njeri të Mirë, të përbërë nga cilësi e virtyte sipërore, programuar nga zoti për engjëjt, fisnikët dhe aristokratët në mendje e shpirt.
    Papi u pagëzua këtu e 40 e kusur vjet më parë si “doktor i teknikës”, them në hyrje të këtij shkrimi, por për të qënë realist më duhet të them se Papi është dhe njihet edhe si “doktor i artit, këngës, pikturës dhe dizenjës”.
    Njeri me shpirt të madh, me mendje të kthjellët, qytetar model, bir që të bën krenar dhe prind që të nderon, familjar dhe bashkëshort ideal, modest deri në etalon të kesaj fjale Pap Kolasi do të nderonte çdo penë a gazetë që do shkruante për të. Dhe kjo ngaqë Papi nuk është i vetëm në madhështinë e tij, ai vjen prej madhështisë së prindërve të tij dhe e ka përçuar këtë madhështi të tijën te bijtë, të dy profesora me emër, Besi në mjeshtërinë e të jatit dhe Klevisi në Filozofi.
    Për Papin ka shkruar e folur media, dokumentar ne tv të ndryshme janë prodhuar e shfaqur për Të, nderime e vlerësime të ndryshme e kanë shoqëruar në jetë…ky shkrim është shkrim i radhës në respekt të figurës së Tij.

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *