Home

Lajme

Flutura Açka – Që Presidenti IM të jetë YNI

No Comments Lajme Opinion

Disa kolegë e miq më telefonuan të dinin arsyen e pjesëmarrjes sime në Inaugurimet e Presidentit të ri të Republikës, z. Bajram Begaj. Ngaqë i kam bërë publike prapësitë e pushtetit dhe pafuqinë e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Edhe ngaqë PD (!) – lexo Foltorja – paskësh vendosur ta bojkotojë.
Edhe pse Presidenti Bajram Begaj u zgjodh si presidenti IM, ai është presidenti YNË.
Dhe është rasti që t’i uroj mbarësi dhe t’i shpreh besimin se personaliteti i tij do ta ndihmojë të jetë president i të gjithë shqiptarëve.
Presidenti Begaj nuk është konsensual, por i ligjshëm.
Si dikush që njeh dhe respekton institucionet, është në nderin tim ta duartrokas inaugurimin e tij.
Do të kisha dashur që ai ta kishte edhe votën time, por çorba politike shqiptare, tash për tash, gatuhet në kazanin e ndotur të Edi Ramës, që nuk lë vend për asnjë proces demokratik.
Dhe që të mos jetë vetëm i Edi Ramës, ndjej nevojë t’i bëj dy vërejtje, që Presidenti YNË të mbetet i tillë deri në fund të detyrës së tij:
Në fjalën e tij të parë në Parlamenti, zoti Begaj iu drejtua mē parë ministrave e më pas deputetëve. Shqipëria është republikë parlamentare dhe ministrat japin llogari në Parlament.
Në fjalën e tij të parë si president në godinën e Presidencës, zoti Begaj iu drejtua Vjosa Osmanit, si zonja Osmani. Do të duhej të thuhej e me gojën plot: E nderuara, zonja Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Unë mendoj se këto janë shkujdesje të patëkeq dhe mund t’i ndodhin kujtdo nën shtypjen emocionale që një ditë si kjo ka, dhe nuk dua ta besoj – siç disa mëtojnë të më bindin – se janë fjalime të prodhuara nga Agjencia e Medias dhe Informimit (qeveritar).
Nga sot, Presidenti YNË duhet të këshillohet për fjalët e tij publike me njerëz që e duan Shqipërinë më shumë se partinë.
Urime të sinqerta, z. Begaj!

Burimi/Facebook/Autorja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *