Home

Lajme

Robert PRENNUSHI – ZEF GRUDA – nji muzikant i shquem, nji njeri i rallë!

No Comments Argëtim Histori

(Me shkurtime nga nji shkrim i disa viteve ma parë)
Në fushën e letersisë dhe arteve ka krijues që ne i kujtojmë sidomos për veprat që na kanë lanë. Kjo sepse, në një farë mënyre, ata përkujtojnë edhe vetveten në përvjetorët e veprave ose të jetës së tyne. Por ka artistë, të po atyne fushave, që veprat e tyne i kanë “shpernda” në brezat që kanë edukue e mësue. Praktikisht veprat e tyne jetojnë ndër njerëz, në shijet, dijet e në qendrimet e tyne dhe, për këte, ata u janë për jetë mirënjohës. Këta artistë janë edhe ma të sakrifikuemit, (të vetsakrifikuemit), mbasi të gjithë kohën ata ja kushtuen të tjerëve. Ndër këta njerëz ka edhe modesti të madhe, ndryshe nga krijuesit, pra nga kategoria “e parë” e artistëve, ku modestia nuk ndodhet “me bollek”. Asnji keqkuptim: Rrofshin krijuesit! Pa ata arti do të ishte nji klishe pa jetë, pa ngjyrë, nji amulli. Ndaj dhe ne, në vlerësimin e tyne, nuk gjykojmë aq shumë për jetën e tyne e cila, ndonjiherë, madje nuk ka qenë krejt shembullore… Por asht gjithashtu e vertetë se shpesh “permendorja” që ne u ngrejmë atyne, na ban të lamë, pa të drejtë, në hije, “kategorinë tjetër” të arstitëve, që krijojnë, por në nji mënyrë tjetër: krijojnë shije, rrisin aftësi, talente. Vepra tyne nuk gjendet në biblioteka, por asht e ngulitun në kujtesë e mbetet e dhurueme ndër breza edhe kur “autori” nuk asht ma në jetë.
Këto reflektime më erdhen kur po mendoja të shkrueja për muzikantin e shquem Zef Gruda, një figurë e mrekullueshme që la gjurmë në zhvillimin e muzikës shqiptare ne vitet 40’ deri 80’ e nga ku të rijtë e kohës sotme mund të mësojnë shumë.
Puna e parë që bana ishte të kërkoja “ndihmë” tek shoku im i mirë i fëminisë, Bep Margjini, (kunati i Zef Grudës) për ndonji të dhanë të veçantë. Por tue i lexue ato, u binda se për këte “kategori” artistësh, si Z. Gruda, mund të shkruhet në çdo kohë, pa marrë shkas pra nga ndonji përvjetor… Dhe në fakt, ke nevojë të shkruesh për Z. Gruden edhe kur sheh nji foto ose kur kalon pranë nji varreze; mendon për te edhe kur takohesh me nji njeri të mirë që të kujton diçka nga jeta e tij, por ndjejmë nevojen ta kujtojmë, bile edhe na mungon nji muzikant si ai, mbasi sot, për fat të keq, shpesh e ndjejmë muzikën shqiptare të çoroditun me lajle e xhufka orientale, edhe këto të nji niveli kafenesh… Mbi të gjitha, mendon të shkruesh për Zef Gruden, si muzikant e si njeri, mbasi çdokush që ka pasë fatin ta njohë e të punojë me te, ndjen një borxh ndaj atij njeriu që mbetet shembulli ma i mirë i muzikatit shqiptar, i muzikantit shumë të talentuem, shembulli i njeriut të ndershëm e të paperkulun.
Por nuk asht e lehtë të shkruesh për Zef Gruden pse, si thamë, vepra e tij ndodhet ma shumë “e shperndame” ndër njerëz të ndryshëm, në ngjarje e veprimtari lokale e kombëtare. Uroj e dësheroj që ky shkrim, që asht ma shumë reflektim, të jetë të pakten një copëz e re mozaiku, për të rindertue në kujtesën e njerëzve figuren shumëplanëshe të këti artististi të shquem.
Nji jetë-histori e gjallë e kohës dhe vendit ku jetoi
Tek jeta e veprimtaria e muzikantit Zef Gruda, Artist i Popullit (mbas vdekjes), ne “lexojmë” edhe historinë e zhvillimit të muzikës shqiptare që nga vitet ‘30-të dhe udhën e mundimshme të saj, sidomos për disa, mbas luftës. Jo vetëm kaq. Historia e jetës së tij përkon edhe me udhën e mundimeve të talenteve që kishin lindë e hedhë shtat, pikrisht atje ku diktatura shihte anmikun e saj më të rrezikshëm – ambjentet e shoqënitë muzikore të drejtueme prej klerit katolik shkodran.
Jetim, (nana e la dy vjeç), u rrit tek gjyshja (familja Kçira) me dashuninë e kujdesin e madh për edukimin e shkollimin e tij. Fati i tij mund të ishte si i shumë moshatarëve të tij, por Zefi, që fëmijë pati fatin të ndjekë shkollën françeskane të qytetit të Shkodres në gjimnazin Illirycum, institut që nxori breza të shquem në fushën e artit dhe kulturës.
Sidomos me ardhjen, në vitin 1912, të françeskanit të ri, At Martin Gjoka, nga studimet e nalta në Salisburg të Austrisë, (ku kishte ndjekë edhe një akademi të famshme muzikore), veprimtaria muzikore në Shkodër, që kishte nisë fill mbas Lidhjes së Prizerendit, u fut në udhën ma profesionale, posaçrisht në Shoqninë ‘Antoniane’ të françeskanëve. Shkodra, por edhe qytete të tjera shqiptare panë nji lulëzim të papamë të talenteve, që dukej sikur mezi kishin pritë e donin të shperthenin, edhe në emnin e sa e sa brezave që ishin shue të ndrydhuna ndër shekujt e robnisë otomane. Nuk asht e rastit që vetëm në Shkodër, Prenkë Jakova, Çesk e Tonin Zadeja, Tish e Tonin Daija, Simon Gjoni, Pjetër Dungu, Abdullah e Muhamet Grimci, Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tonin Rrota, Zef Gruda, Ndoc Shllaku, Gjon Kapidani e sa e sa të tjerë dolën nga Akademia e pa shpallun e At Martin Gjokës.
Por Zef Gruda bën nji farë përjashtimi nga shokët e vet. Nësa mjaft prej emrave të mësipërm, patën fatin, mbas lufte, të shkollohen edhe më tej, jashtë o mbrenda vendit, Zef Grudës “i mjaftoi” ajo që i dha At Martini e më vonë P. Jakova (në bandën muzikore të shoqërisë “Antoniane”, ku mori pjesë që fëmijë), për të ecë pastaj vetë si profesionist i vertetë, me nji vullnet të jashtzakonshëm, por padyshim i ndihmuem nga vullneti e talenti tij i rallë.
Edhe pse mjeshtri Gruda kompozoi pak (shkroi vetëm disa këngë e disa punime orkestrale, ndër ta dhe ndonji suitë), ai la gjurmë të pashlyeshme, mbasi hapi rrugë të reja për zhvillimin e muzikës sonë kombëtare. Figura e vepra e tij merr edhe ma shumë vlerë në ditët e soçme, ku, për fat të keq, kemi sheja e shfaqje të një çoroditje të muzikës e shijes sonë kombëtare muzikore. E gjithë kjo, mjerisht, ndodhë “në emën” të lirisë së shprehjes artistike (!).
Punoi fare i ri në Radio Tirana në vitet e luftës, sëbashku me grupin e muzikantëve popullorë me R. Gurashi etj. Por Zefi i ri ishte shqiptar i mirë dhe nuk e joshi as edhe propozimi për një bursë studimi në konservatorin e Vjenës. Përkundrazi, ai mendoi si patriot se duhej të kontribonte për luftën. Në mënyren e vet. Dhora Leka kishte talent, por nuk dinte të shkruante muzikë e aq më pak të orkestronte këngë e marshe. Ishte Zefi që i bante këto.
Po ku mund ta dinte Zefi se çfarë do të sillte mbaslufta… Dhe në fakt ai nuk pretendoi asnji post edhe pse “biografia” tij ja lejonte. Ai vazhdoi të ishte njilloj: burrë “një cope”. Një ashkël nuk mund t’ja hiqje. Serjoz e korrekt, po atë gja kerkonte edhe nga të tjerët. Talenti tij i rallë e bani t’i shpetojë nji kurthi të rrezikshem të kurdisur në premjeren e baletit “Shatervani i Bahçesarajt”, në vitin 1952, kur pak minuta para shfaqjes u muer vesht se partitura e oboes së parë, pra ajo e Zefit, mungonte. Dirigjenti Mustafa Krantja do ta kujtonte shpesh atë episod që e kishte ba të kishte frikë për nji deshtim (me emnin “sabotim”), përballë delegacionit sovjetik! Çdo instrumentisti ky “incident” do t’ja dridhte duert (dhe buzët në këte rast), por jo Zefit. Për lexuesit jo muzikantë, asht e novojshme të sqarohet pak ky fakt ishte “jo i zakonshëm”, për të përdorë nji eufemizëm. Kur ndigjojmë nji vepër sinfonike, na krijohet përshtypja e nji persosmenie që rrjedh natyrshëm, ndërsa, në fakt, linjat e çdo instrumentisti janë krejt të veçanta e, veç e veç, “thurin”, gjatë egzekutimit, atë qendisje që ndigjuesi “e sheh” si përsosmeni, por që instrumentisti e ekzekuton në fakt si “pjesën e mbrapme të qendisjes”. Pra vetem publiku “sheh” qendisjen nga e mbara. Po kush ia mësoi oboen Zefit? Ai ishte klarinetist! Por Z. Gruda ishte personifikimi i autodidaktit, i ndihmuem nga talenti i rallë. Ai ishte oboisti i parë profesionist shqiptar dhe mbas tij do të vinte virtuozi Viktor Shiroka, i papërsëritshmi.
Z. Gruda nuk kërkoi bursë për studime. Punoi në orkestren frymore të ushtrisë, në okestren sinfonike, bile edhe si profesionist i lirë në orkestrinën e njohun të Hotel “Dajtit”. Dhe atje “nji kurthë” tjetër. Tue qenë i drejtë, shumë i ndershëm, Zefi ishte dhe naiv i madh dhe kështu pësoi edhe zhgenjimin e tij të parë të madh e purgatorin e mundimshëm të pasluftës (që për te u ba ferr vetëm për nji pyetje që bani). I vëllai ishte arratisë në Jugosllavi dhe Zefi donte të dinte me çdo kusht nëse ishte gjallë. Ke do të pyeste ma mirë se funskionarët e ambasadës jugosllave që vinin shpesh në barin e Hotel Dajtit? Dhe këte pyetje Zefi ja bani haptas, pa u fshehë. Ishte viti 1956 dhe vetëm kjo mjaftoi për të vuejtë hetusinë e burgun. (U denue 5 vjet, por bani “vetëm” tre prej tyne). Edhe këtu ai “e shfrytëzoi” këte kohë për t’u formue edhe ma shumë si karakter e kulturë. Fiziku i tij prej atleti e lejoi “të thente normat e nalta” të punës së detyrueshme të burgut, tue shkurtue, në tre, vitet e denimit. (Në Shkodër, nga të rijtë e atëhershëm, Zefi ishte i përmendun “ma shumë” për aftësinë e guximin që kishte të hidhej nga Ura e Mesit në lumin e Kirit që, gjatë verës, nuk kishte veç dy metra thellësi në atë pikë). Doli nga burgu me vertetimin se nuk ka qenë ndonjiherë i denuem(?!). Ishte nji tragjikomedi mbasi, edhe pse zyrtarisht ishte i padenuem, nuk ju dha e drejta të rrijë në Tiranë. (Pasaportizimi i famshëm!)
“Shkodra ka mjaft muzikantë”, thanë autoritet, ndaj Zefit i dhanë vetëm nji mundësi: të shkonte në Kukës, si përgjegjës muzike. Asht viti 1961! Në vitin 1962 martohet me Antonieta Margjini, vajzen e Kolë Margjinit, pishtar i gjuhës shqipe në Shqipni e veçanarisht në Kosovë, (që “për shperblim” vdiq në burgjet e Titos, pa muejtë me pa as fëmijët e vet që jetonin në Shkodër). Neta (kështu e quenim ne Antonjeten), nuk mendoj dy herë, por la Shkodren dhe e ndoqi Zefin për të gjithë jetën, tue nda sëbashku shumë halle e telashe.
Çdo gja nga e para
Çfarë ban një njeri që bie nga nji naltësi? (Fatmirësisht gjallë, edhe pse me dangë që nuk do t’i hiqej gjithë jetën). “Mbledh” mendt mos me ra ma poshtë. Kishte ra, jo për faj të tij, por të sinqeritetit të tij… Ndaj, në nji ambjent krejt të ri per te, siç ishte Kuksi, zgjodhi peshkimin për të mbushë kohen e tij të lirë (tue evitue kështu kafet, vendin e takimeve dhe bisedave që, për qytetet e vogla, ishte “passatempo”-ja e preferueme, por edhe vendi i grackave të mundëshme), ndersa në punën e tij si muzikant zgjodhi nji rrugë krejt origjinale, që rridhte nga formimi tij si muzikant që e donte dhe e çmonte shumë muzikën e popullit të vet.
Nji fakt ishte i padiskutueshem: Zefi, si muzikant, meritonte shume ma teper, se te punonte në nji qytet kaq të vogël, ku vetëm nji fizarmonisçist (edhe pse i talentuem) njihte notat… Amatorët e Kuksit nuk mund të konkuronin me qytetet e tjerë as në zhanrin e muzikës së lehtë, e aq ma pak në ate klasike. “Nomenklatura” i njihte aftësitë e Grudës, këte e tregon edhe fakti se ai ishte nji nga katër antarët e krijimit të platformës për ngritjen e Ansamblit të Kangëve e Valleve së bashku me R. Sokolin, G. Avrazi e K. Uçi.Këte e mësojmë këto ditë tue lexue vepren e studjuesit prof. V. S. Tole “Çesk Zadeja më muzikën shqiptare”.
Ideja për të ndjekë nji rrugë krejt të re nuk i erdhi rastësisht. Zefi, fare i ri, në vitet ’40-të, kishte fillue të shkruente me nota, pra të traskiptonte kangë popullore (kryesisht shkodrane), që deri atëhëre shpesh egzekutoheshin “me vesh”. Deri në fillim të viteve ’50-të ai kishte shkrue 200 të tilla dhe 12 pesherife.
Po le ta lamë të flasë Zefin përmes shenimeve të tij për këte “gjetje” që e bani të njohun në të gjithë Shqipninë. Citojmë shenimet e lana nga vetë Zefi: “Që në vitin 1952 më kishte lindë ideja për të krijuar një orkestër me veglat që i përdorë populli, (ndonji prej tyre është biles në zhdukje e sipër)… Për fat të keq, gjatë këtyre viteve nuk pata mundësinë për të siguruar nji leteraturë muzikore të duhur… Ma në fund, vendosa t’i vihem punës dhe të bëja atë që ishte e mundur në fazen e parë, sipas një projektit të cilin ma pranuan organet kompetente të Kuksit në vitin 1963”. Dhe vazhdon (duhet të jetë një relacion i kërkuar “nga lart”, sepse Zefi nuk e kishte zakon të shkruente… e aq ma shumë në gjuhen “standart”, pikrisht ai që fliste me një frazeologji të pasun të Veriut): “Duke marrë për bazë çiftelinë, plotësova të gjithë regjistrat e zërit (si në familjen e harqeve të orkestres klasike); nxora çiftelinë e vogël në regjistër të sopranos, çiftelinë e madhe në regjistër të tenor-baritonit, një tjetër tip çiftelie në funksion të shoqërimit dhe çiftelinë bas. Sipas mendimit tim, krijimi, stilizimi dhe akordimi i tyre, sipas familjes, u plotësua. Tashti më mbeteshin dy instrumente aerofonë karakteristikë për t’i stilizuar; pra fyelli dhe curlja. Kjo e dyta, më mundoi për së tepermi, kryesisht për mungesë të mjeteve të punimit, si: sharrë hekuri, punta, turjela etj.; kështu që na u desh që krejt punën ta kryenim me hekura të skuqur, tela, gozhda e gastare… Duke shtuar edhe veglat e perkusionit (dajren dhe lodren), kjo orkestër përbehej tashmë prej 9 intrumentësh të ndryshëm për nga timbri dhe regjistri…”. Në këte “rrëfim” të Zefit të ban përshtypje nevoja për të perdorë edhe gastaret… në vend të mjeteve të preçizionit, siç kërkon, ndarja preçize e “perdeve” të çiftelisë në një shkallë tashma të temperueme, siç vendosi ta bante Zefi.
Por nuk ishin “gastaret” halli ma i madh i Zefit: Problemi më i vështirë për mua qe përgatitja dhe gjetja e kuadrit-adapt për t’i mësuar këta instrumentistë me nota, megjithëse, për të pasur një raport të barabartë tingllimi, disa instrumente duheshin dubluar ose trefishuar. Krahas rritjes teknike në ekzekutimin e këtyre intsrumentistëve u shtua edhe repertori i saj, që përmblodhi gjini të ndryshme këngësh, që, të marrura sëbashku, arrinin në 22. Sigurisht kjo shifër do të kishte qenë ma e madhe sikur orkestra të kishte vazhdue funksionimin e saj dhe më vonë. (Zefi i ban këto shenime me 10.12.1965). Por, shton Zefi, “projekti im nuk ka përfunduar me kaq” . Dhe spjegon qartë idenë e tij për nji orkestër sinfonike me vegla popullore, tue përdorë stilizimin e veglave të tjerë popullorë si kavallat, zumaret, fejt e Kosovës (me sqep), lahutat në familje, gjethin dhe bishnicen. Pra ideja e Zefit ishte për nji orkestër me tingllim mbarë kombëtar, ndaj shton: Duke fituar eksperjencen gjatë punimit të këtyre veglave që rreshtova, mendoj që me lehtësinë më të madhe do të punoja për instrumentët e Jugut, të cilët, jo vetëm si numër janë më të paktë, por edhe si ndertim, disa prej tyre, janë të ngjashëm me ata të Veriut. Por Zefi, para se të merrte angazhime, kerkonte kushte: Jam shumë optimist se do t’ia dilja në krye formimit të nji okrestre e cila të përfshinte të gjithë këto intrumenta që rreshtova, plus ata të Jugut, në qoftë se do të kisha të pakten edhe 15 vetë të tjerë të cilët të mësonin t’i binin veglave jo në dublim, por secili në funksion të veçantë. Në konditat e tanishme, për të cilat jeni në dijeni, nuk mund të marr guximin për ndonjë angazhim ose të baj ndonjë sugjerim, pasi përspektiven e shoh mjaft të errët, përfundon shenimet (“Relacion mbi gjendjen e orkestres popullore”, Kukës, 10.12.1965).
Në vitin 1978 Zef Gruda del në pension. Nuk kërkon pianoforte, por kërkoi të pakten nji tastjerë të thjeshtë për të punue (“e marr me proçes verbal dhe jua kthej ‘shendosh’”, u tha Zefi). Vertetë “gjynah” që nuk ia dhanë, sepse Kuksi “e humbi” Zefin, mbasi ai u trasferue menjëherë në Shkodër. Gjynah, sepse Zefi në pension, si duket kishte projekte të mëdha. Ai kishte një vesh absolut dhe traskriptonte me lehtësi melodi, pra vinte në notë me lehtësi ate që dëgjonte. Kishte në dorë një vëllim me kangë e valle nga krahina e Kuksit, me titull “Ushton Gjallica”, që, me sa dijmë, ende nuk ka pa driten e botimit e, kush e di, këto e materjale të tjera të mbledhuna prej tij, do t’i sherbenin për të kompozue. Ndaj dhe një tastierë ishte e domosdoshme për te…
Në Shkodër…përsëri nga e para?
Nuk ishte Zefi që kërkoi Shkodrën, por ishte Shkodra që e gjeti Zefin. E kjo ndodhi edhe me “aparatçiket” që për fat të mirë, në atë kohë, nuk na nxirnin telashe. Zefi nuk mund t’i thonte jo Tonin Daisë, Gjon Kapidanit, Tonin Zadejës, për të dhanë mendimin e vet për festivale e veprimtari të ndryshme, sepse ishte rritë me to. Por mund të më thonte jo mue, që isha ma i ri dhe që praktikisht nuk e kisha njohtë personalisht. Ishte shoku im i fëminisë, Bep Margjini, kunati i tij, që “u ba fjalë mirë” për ta vue “në punë” edhe nji herë Zefin… nga e para. Dhe jo pak: gati nji dhjetëvjeçar! Në atë kohë isha emnue “përgjegjës muzike” në Shtëpinë e Pionierit” dhe njikohësisht, (mbas punës që kisha ba me krijimin e orkestres së Dukagjinit në vitin 1967), isha dhe udhëheqës artistik i festivaleve folklorike për rrethin e Shkodres.
Me Bepin, shokun tim, i bana nji vizitë Zefit në shtëpinë që sapo kishin ble. Me Neten, të shoqen, njiheshim prej kohësh. Mbasi u përshendetem dhe folëm për gjana të ndryshme, mbaj mend që e bana Zefin me qeshë (e kjo nuk ndodhte shpesh me te). I thashë: “Mue më ka ardhë nafaka te dera”… Dhe në fakt, për koencidencë, shtëpia që ata kishin ble ishte ngjitë me deren e Shtepisë së Pionierit.
Nuk qe e lehtë me e bindë, por tue pa se unë “nuk do t’ja lëshoja në dorë” të gjithë punën pa e ndihmue, filluem sëbashku udhën e mundimeve të “ndamjes së perdeve” për tipat e çiftelisë deri tek basi,sipas principit të orkestres se tij të Kuksit, tue shkue e ardhë njiqind herë në Ndermarjen Artistike, ku i bamë veglat popullore edhe tue përfitue nga ndihma e mikut tim muzikant, Henrik Darragjati, që për vite na ndihmoi në bamjen e bilbilave. Nësa në Kukës Zefi përdorte sheja e germa për instrumentistët e vet, mbasi nji pjesë e tyne nuk njihnin notat, këtu unë pata mundësi t’i afroja Zefit, për orkestren e vet, fëmijë violinistë e kitarristë, që luenin me nota në instrumentët që Zefi u jepte. Kjo punë më bani ta njoh edhe ma mirë Zef Gruden si njeri.
Asht zakon mos u kursye në fjalët e mira për nji njeri që nuk jeton ma, por për Zefin asht i vështirë perkufizimi me fjalë. Ai fliste pak, shumë pak, por gjithmonë “ngjiste”.
Në komisionet “zyrtare” Zefi nuk fliste, kur ishte fjala për të heqë ndonji gja, por aprovonte kur i pelqente. Edhe “autoritetet” e pranuen këte “oportunizëm” të Zefit… Këto shenime (që në fakt po më duken të vorfna), do të ishin edhe ma të mangta, nëse nuk do të shtoja ndonji përshtypje personale për Zef Gruden, që, sa ma shumë kohë që kalon, aq ma e pastër dhe e madhe duket figura e tij.
Ai, që kishte fillue që në moshën 17 vjeç të orkestronte për bandë e të mblidhte kangë popullore, ai që të gjitha orkestracionet i bante pa pianoforte, ai që kishte dhuntinë e veshit absolut e që kishte kompozue kangë dhe shkrue suita e pjesë orkestrale, sillej me nji modesti kaq të natyrshme, që veç e ngrinte ate edhe ma nalt. Por ishte dhe bujar. Më kujtohet që kisha ba një kangë për fëmijë që pati sukses, kangë që kishte elemente të nji marshi të gëzuem. Nji mik i Shtëpisë së Krijimtarisë Popullore, që botonte krijimtari, më tha se ajo kangë do të tingllonte mirë për orkester frymore, mbasi edhe kishin nevojë për nji leteraturë të tillë. Nuk kisha punue kurrë për bandë… Zefi, si Zefi, i tha Raqit, “ku ka kohë Roberti me u marrë me këto punë” dhe mbas disa ditësh më solli të orkestrueme pjesen. Kështu më ndodhi dhe me një suitë që kisha përgatitë për festivalin e Gjirokastrës: Ishte koha kur Ndue Shyti e Gjin Shkoza, patën fansat e tyne në të rijtë e Malsisë së Shkodrës, që kishin vetëm pak vite që kishin njohtë çiftelinë, megjithë ate Gjekë Toma, Rrok Gjelaj, Fran Vukaj, vëllaznit Nikò e Fran Kodra të Pultit, nuk lonin, por lëshonin rrëke të verteta ylberesh e burimesh krejt të pastra që më kishin lanë pa mend kur i kisha ndigjue për herë të parë. Ndaj dhe suitat që Shkodra çonte në Gjirokastër ishin të veçanta. “Gjynah që gjithë kjo punë të shkon huq”, më tha Zefi, kur po shetisnim në Sarandë, mbasi kishim ba konkurimin. (Unë e mora këte në kuptimin që këto shfaqje asht zor të përsëriten, mbasi pjestarët ishin nga zona të ndryshme të rrethit). Në fakt unë zakonisht shkrueja temat, por jo variacionet, sepse asnji prej instrumentistëve popullorë nuk njihte notat.
Zefi kishte mendue tjetër gja. Mbas disa ditësh, në Shkodër, më dha suitën që kisha ba (që në fakt ishte nji perzgjedhje e melodive dhe e variacioneve të atyne artisteve të rijë). Një punë e madhe: ishte e gjithë suita e shkrueme me të gjithë orkestracionin, me variacionet, ritmin, shoqnimin, perkursionin. Komplet! “Ti nuk ke kohë”, më tha, kur e falënderova sinqerisht. E verteta ishte ndryshe: unë do të kisha ba disa ditë me e shkrue dhe, ndoshta, edhe do ta kisha thjeshtësue. Ky ishte Zefi!
Jam i bindun se Zef Gruda “krijoi” pak (flas per kompozimet), sepse dashtë pa dashtë do t’i duhej t’ja paguente “haraçin” rregjimit, ashtu si u detyruen ta paguejnë edhe korifeit e muzikës sonë, të cilët populli sot i ka kuptue dhe i ka “falë” për ate.
….Njeriu ndjen nevojën të shkruesh për Z. Gruden edhe kur sheh nji foto të tij, bile edhe kur kalon pranë nji varreze; mendon për te edhe kur ndodhesh para nji njeriu të mirë që të kujton diçka nga jeta tij; ke nevojë të shkruesh për ‘te sepse ndjen se sot na duhen ma shumë njerëz të tillë sepse, për fat të keq, jo rallë ndjejmë muzikën shqiptare të çoroditun me lajle e xhufka orientale, edhe këto të nji niveli kafenesh…

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *