Home

Lajme

Mentor Kikia – T’u lëmë brezave një Shqipëri të shkretë e të pajetueshme!

No Comments Lajme Opinion

Eshtë mesi i verës dhe dy sektorët më jetikë të ekonomisë, turizmi dhe bujqësia, po vuajnë. Po ndalem pak tek kjo e dyta, bujqësia.
Pashë në lajme shqetësimin për shterimin e një prej veprave më të mëdha ujitëse, rezervuarin e Kurjanit në Roskovec, i ndodhur gati në pikën e vdekjes.
Sepse nuk ka rezerva ujore,
Sepse nuk ka patur reshje për ta furnizuar,
Sepse kërkesa e bujqësisë për ujë është rritur,
Sepse ndryshimet e klimës kanë prodhuar një tjetër realitet në raport me mjedisin
Pashë sërish nga media, por edhe nga deputeti Erjon Braçe, shqetësimin për shterimin e rezervës më të madhe artificiale të ujit për vaditje, rezervuarin e Thanës, që mban gjallë tërë Mzyeqenë.
Sepse edhe ai nuk ka rezervë ujore,
Sepse HEC i Banjës në lumin Devoll nuk lëshon ujin e mjaftueshëm për ta furnizuar(ata që e ndërtuan Banjën e parashikuan si vepër energjitike dhe ujitëse).
Sepse lumi vetë ka shteruar.
Shqipëria ka 635 rezervuarë uji për bujqësinë, të ndërtuar të gjithë në kohën e komunizmit. Edhe për shkak të kësaj rezerve, ne sot krenohemi se jemi ndër 5 vendet me pasurinë më të madhe ujore në Europë. Por tashmë këta rezervuarë nuk mbajnë më shumë se 50% të kapacitetit të tyre teorik, sepse janë mbushur me aluvione, po shkojnë drejt vdekjes natyrale. Por edhe sepse nuk janë mirëmbjatur për 35 vjet. Nuk u janë vajisur as sarançineskat e shkarkimit.
Për 30 vjet, ne shkatërruam me një zell kolonizatori të gjithë sistemin e kanaleve ujitëse dhe Shqipëria sot ujit më pak se gjysmën e tokave që ujiste në 1985. Pasi shkatërruam edhe institutet kërkimore në fushën e ujërave e në gjithë fushat e tjera, tani kemi shkatërruar e po lëmë të shkatërrohet edhe vetë rezervën ujore të shfrytëzueshme.
Sot ky vend ka nevojë URGJENTE për të menduar se çfarë do të bëjmë, në kushtet kur kjo rezervë ujore pakësohet nga viti në vit, si pasojë edhe e ndryshimeve të klimës. Duhet menduar, studiuar, projektuar, për rezerva të reja, duhet menduar për teknologji të reja ujitjeje që shpenzojnë më pak ujë… duhet menduar një gjë patjetër.
Lumenjtë janë shndërruar në përrenj dhe përrenjtë janë tharë fare. Situata do të përkeqësohet në të ardhmen dhe ne duhet të mendojmë se si dhe me se do të jetojnë në këtë vend fëmijët tanë.
Por çfarë bëhet në fakt këtu, pikërisht në këtë kohë?
Socialistët në pushtet, kanë një javë që janë angazhuar me kapacitet të plotë për të shpërndarë foto nga koncerti i suksesshëm në sheshin Skëndërbej.
Mesaduket, të bindur se nuk ka asnjë mënyrë tjetër të qëndrojë në pushtet përveçse të vrasin kundërshtarin, socialistët janë angazhuar maksimalisht të nxjerrin jashtë loje Ilir Metën me historira spiunësh. Në mesin e verës e në pikun e problemeve të tjera, ata punojnë “fort” dhe bëjë projektligje si të lënë jashtë fushës së lojës kundërshtarin.
Meta, nga ana e tij, ka vënë të gjithë njerzit në punë të gjejnë letra të vjetra me Sigurim, dhe publikon revista 40 vjecare ku ka firmosur ndonjë karikaturë Edi Rama, për të treguar se edhe ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit.
Berisha vjen vërdallë nëpër Shqipëri dhe përgatit protestat e shtatorit….
Klasa jonë politike përfundimisht nuk jeton në këtë vend. Ajo është në një luftë të ethshme për pushtet, pa asnjë përgjegjësi për atë që po ndodh dhe do të ndodhë në të ardhmen e shpejtë në këtë vend.
Vazhdoni kështu!
Ashtu si zjarri, ju do të lini pas një Shqipëri pa njerëz, pa ujë, pa pyje…
(Nese mundeni, shperndajeni kete shkrim, me shpresen se mund ti ngacmoje ndjenjen e pergjegjesise atyre qe ne votojme)

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *