Home

Lajme

Robert Martiko – SHKRIME PËR TË NDRYSHUAR GJËRAT, JO PËR TESPIJET E PËRJETËSISË TRAGJIKE SË KAFENEVE, SHKRIMEVE TË CEKËTA E ÇMIMEVE TË KOTA, PA VLERË

No Comments Lajme Opinion

Para pak kohësh më ranë në dorë tre libra të autorit Timo Merkuri me temë këngët dhe baladat popullore në Shqipëri dhe u befasova për punën voluminoze që i është dashur të përballojë rreth temave të kësaj natyre. Ideja e parë që më lindi, në sfondin e përgjithshëm të jetës së një shoqërie, është se ky material etnologjik, i përfshirë në këto tre libra, do të ishte i mrekullueshëm për hartimin e një libri në rang akademik, me karakter antropologjik. Në këtë pikë Timua është sikur iu thotë akademikëve e profesorëve të Departamentit të Filozofisë: “Unë e bëra punën time, ju jeni në gjendje të çoni më tej stafetën e këtij studimi!” Dhe kjo për logjikën e thjeshtë se gjithçka vjen nga e kaluara, nuk duhet parë thjesht si material për të zbukuruar pa kuptim raftet e bibliotekave, apo ekspozimet grafike të mureve të një muzeu, por kryesisht për të mundur të rilindë vet shoqëria, sot në nevojë më shumë se kurrë. Në këtë atmosferë moskuptimi universal në Shqipëri, është sikur ulërijnë jo vetëm këngët e baladat e shpjeguara me hollësi, që Timo Mërkuri ofron për lexuesin, por sikur nga thellësitë e shekujve, me zë stentori, buçet vet Skënderbeu, për t’iu bërë të ditur akademikëve e profesorëve të ditëve të sotshme: “Përpiquni të mos më trajtoni me atë anakronizmin tuaj të verbër, klasik, për hir të izolimit tragjik, që pësuat gjysmë shekulli nga Diktatura e një materializmi shterp miliona të vrarësh e gërmadhash pa fund. Mos më lexoni as me sytë e kufizuar të shekullit të XV, kur jetova, duke krijuar historinë time vetjake, në mbrojtje të Evropës, që aq shumë iu bën përshtypje. Mundësisht, më shikoni me vizionin gjigant të një Kulture Evropiane të Rilindur, që me vizionin e saj nuk shkatërroi gjithçka nga themelet, por rilindi shoqërinë. Më nxirrni nga muzetë e vdekjes, duke zbuluar te unë, përmes Njohurive Filozofike Perëndimore, sekretet e thella që ndryshuan fatin e njerëzimit në tokë. Vetëm duke dalë nga përjetësia e mendimit të paralizuar, të vdekur për së gjalli, gjërat ndryshojnë. Unë praktikisht bëhem i vlefshëm, kur NJERIU më fut në shpirt, duke më konsideruar të pranishëm orë e çast, për përballimin e jetës së tij, me energji. Me paqe e harmoni shpirtërore, jo me përçarje e dhunë! Këto gjëra të thjeshta më bëjnë mua të vlefshëm, jo mburrjet prej Narcesi të njeriut mendërisht të kufizuar se GJOJA KY APO AI E NDERON. Nuk ka gjë më qesharake, të kotë e pa vlerë nga kjo. Më brendësoni në shpirt për të ndryshuar. Për të rilindur! Vetëm duke u thelluar Mendimi Akademik Shqiptar do të ketë bërë detyrën. Boll me fishekzjarrë festash jubilare që duke u përsëritur pa kuptim, nuk përjetësojnë përveçse pamundësinë për të ndryshuar gjërat. Iu përngjajnë përshpirtjeve në funerale, vaki. Njeriu mbetet i njëjtë në shekuj. Shoqëria do të ketë marrë fatin e saj në dorë, vetëm kur me dinamizmin e Logjikës së rilindur, do të dijë të futet në zemrën e Kulturës Universale të Qytetërimit Perëndimor, gjigant, të ditëve të sotshme, kur Koha ka shpërthyer Hapësirën. Po ju zbuloj një sekret të vogël që asnjë libër i shkruar për mua deri më sot nuk e ka kapur: “Energjia megatonëshe për të përballuar të ardhmen, është thelbi i shpirtit tim me karakter rilindës”. Vetëm kur ndryshon shpirti ndryshojnë shoqëritë. Dalin nga Mesjeta, nga Ferri i Vetvetes. Akademistë e profesorë filozofie, si do të ndryshoni ju Njeriun, kur nuk keni as sot e kësaj dite idenë e Rilindjes Shpirtërore, të vetë Kohës-Përbindësh të cilën, kur nuk e kupton, ose të lë në periferi të gjërave, ose të zhduk njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Sa e sa qytetërime u zhdukën pa nam e nishan në historinë e njerëzimit, nga moskuptimi tragjik i gjërave, nga paaftësia e Mendimit për tu futur në Kohë e Histori!…”

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *