Home

Lajme

Rudina Muharremi Beja – Drejt tokave te largëta…

No Comments Argëtim Letersi

Turbullimi i asaj kohe të pa kohë shtynte me yshtje të madh e të vogël drejt tokave të largëta ku më pas malli do t’ ua bluante shpirtin për vite.
Postieri i sillte me një buzëqeshje të fshehur lajmin e mirë se kërkesa për bashkim familjar ishte pranuar.
Bashkim familjar…, ç’paradoks…?!
Do të linte rrënjët e brishta, ato pak qartësi që kishte, dashurinë e madhe të nënës, të dheut, detit, hënës e të gjithë familjarëve,
për të vajtur atje…, atje ku përherë i huaj je! Vitet ku ngutshëm arratisen me sakrificat, duke lënë nga pas vetëm trishtimin që thellon brazda e hendekë portretit, e flokët mbulon përditë me brymë…
Rrokullima e lotit që ra atë ditë mbi mermerin e ftohtë të varrit të të atitit kishte mbetur shenjë e bardhë bashkë me dënesën e nënës që nyjë ishte lidhur fytit e sytë e njelmët e të gjithë atyre që e përcollën,
Kjo fotografi do t’ia errte buzëqeshjen për vite me rradhë…
Zemra e saj kishte mbetur atje ndërkohë që karkasa e paatdhe shpërngulej pa rrënjë me parmendën e rëndë të mërgimtarit mbi shpinë.
Thëllimi i ftohtë i maleve që gjeti ia ngriu entuzimin mëngjesit në të gdhirë e trysnia mbytëse ngjyrat kishte kyçur
Premtonte t’ia merrte shpirtin ndonëse ishte Mars.
Rrëzoi vështrimin në një pikë të vdekur e tërë ditën s’bëri asgjë,
as valixhet që udhëtuan nëpër tragetë e trena s’ i zhbëri.
Pati frikë se mos ato pak gjëra që ishin brenda do të kishin mbajtur mend rrugën e kthimit.
U mbështet parvazit të ftohtë të dritares e në murin e akullt përballë vizatonte me sy pranverën e jetës që do të vazhdonte të venitej pa shpresë.
E dinte mirë se s’do mund të kthehej mbrapsh sepse si shumë të tjerë kishte rënë në grackën e jetës…
Ai tren i mallkuar zhurmoi gjatë në mëndjen e saj ndërsa valixhet akoma ishin plot…

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *