Home

Lajme

Zjarri i hënës time…

No Comments Argëtim Letersi

Sot çdo gjë kish marrë një dritë, një flakë, një vetëtimë, ndërsa hëna heshturazi qeshte me dhëmbët e diellit të zjarrtë.

Vendosa ti mbyll sytë, ashtu një me qiellin të shkrihesha dhe t’i jepesha ëndërrave pambarimisht. E çvesha çdo cipë të lëkurës time, e çorra me ankth çdo dhimbje, me forcë zura të qaj përçmimet dhe përçudnimet e mia të grumbulluara thellë në oazin e shpirtit.

Çuditërisht nuk ndjeva dhimbje, nuk po ndjeja as kërshëritë femërore të më gremisnin në humnerën e turpit psiqik opinionist të kohërave. Hëna ndiqte nga larg fatin qiellor, dhe me shëmbëlltyra të akullta dritëhijesh ndiqnin pasazhin e ëndrrës time si paradë kriptogramesh të koduar.

Retë morrën zjarrin e hënës time pa flamur të bardhë dhe pa kushte dorrëzimi. Zjarrmia e reve m’i piqte buzët e etura për dashuri, për ndjesi prekjesh, për kërshëri zemrash të zhuritura, për ulërrima lotësh nga lindja dhe ikja pa dëshmi.

Sot ngulimet më rrëmbyen tejposht nga dritarja ime e koshiencës, me buzëqeshje të zvarritura vraponte me ngutjet e trazuara lajkatare. Duart më përvëlonin nga pena e zemërimit të zjarrtë, e cila e rënduar mbushte egërsisht faqet historike që digjnin mallin e largët.

Ulur në rrugën e përtejme përmes resh numëroja biblikën e kohës dhe mirrazhet intriguese deri në thellësi. Ditët me shi lotësh shpesh më tronditnin emocionet, fëmijërinë e dikurshme me psikozat e pa imagjinueshme sociale.

Me ëndërrën butaforike fillova të numëroj ditarët e shqyer nga mankthi bulist, nga hetimi anatomik i detajuar mbase deri në vetëflijim. Hiri i reve m’u bë një me bulëzat ujore, një me zjarrin që zgjonte mall, një me tokën e pudrosur dhe të zhubrosur nga ngërdheshjet traumatike.

Unë e zgjova ëndrrën platonike, ndërgjegjshëm zura të valvit pemët e lirisë time, pasi vetëm aty shpirti gjente paqen solemne. Teksa rrija e ulur në dheun tokë, po shqyeja rrobën e hedhur të viktimës patologjike, të shpirtit jetim. Zura të notoja me forcë në lumenjtë e lumturisë, desha të shmang dhe harroj përgjithmonë dhimbjet sarkastike të botës injorante, të pakuptimtë.

Sot u betova në Zot dhe fuqitë madhore tokësore që:
-Unë, kurrë nuk do të jem më jetime e vetvetes, por edhe e askujt.
-Unë ndjeshëm do të trokas në portën e shpirtit tim, do të zgjohem duke i buzëqeshur mëgjesit tim të ri, dashurinë e përshëndes me zjarrin e hënës time përbri.

Sot unë jam mjaft… Po, po…, jam mjaft tani…

Ardiana Dhimitër Mitrushi 05/08/2022…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *