Home

Lajme

Dashnor Sula – Koha për të mos bashkëjetuar me të keqen

No Comments Lajme Opinion

Ky 24 orësh që lamë pas është ndoshta nga më dramatikët që kanë përjetuar shqiptarët në vitet e fundit. Atentate,vrasje mafioze, përplasje të armatosura dhe 5 viktima në qytete të ndryshme të vendit. Nuk jemi në Ukrainë! Nuk jemi në luftë! Jemi në Shqipërinë e vitit 2022! Jemi në gusht! Jemi në kulmin e sezonit turistik! Jemi në një vend anëtar të NATO-s! Por jeta këtu vlen më lirë se kudo tjetër! Vlen aq lirë sa në mënyrë ironike kuotohet si shaka e hidhur në formë bastesh në rrjetet sociale.
Ka një mpirje të shoqërisë për atë që ndodh, ndërsa shteti dhe strukturat përgjegjëse heshtin. Minimalisht përballë kësaj emergjence kombëtare ku siguria publike ka rënë, do të duhej që kryeministri, ministri i Brendshëm, zinxhiri i Policë së Shtetit të mblidhen dhe t’i bëjnë një pyetje të sinqertë dhe të vërtetë njëri-tjetrit: Çfarë po ndodh? Dhe kjo duhet të ndodh sot, pa asnjë vonesë! Pa u tharë gjaku i viktimave, pasi heshtja e shtetit mund të ndjell viktima të tjera.
Si ish-prokuror jam ndeshur me situata dhe ngjarje të rënda gjatë punës sime, por fatkeqësisht nuk jam hasur asnjëherë me këtë gjendje shoku dhe tronditjeje që qytetarët po përballen sot. Si është e mundur që një prej qyteteve më me tradita të Shqipërisë si Elbasani të mos gjejë qetësi nga vrasjet dhe ekzekutimet mafioze? Si mundet që Fushë-Kruja që është vetëm 20 kilometra larg nga qendra e kryeqyteti është kthyer në një fushë-betejë mes grupeve kriminale ku kryhen krimet, prodhohen ngjarje nga më të rëndat që ky vend është përballur? Si është e mundur që në harkun kohor të 8 muajve në Shqipërinë e vogël që ka mbetur pas largimeve masive janë kryer 40 vrasje dhe atentate, shumë prej të cilave kanë mbetur të pazbardhura?
Unë kam vlerësim maksimal për çdo efektiv të Policisë së Shtetit! Jam i bindur se vullneti i tyre nuk mungon që situata të normalizohet dhe qytetarët të gjejnë qetësinë! Por fatkeqësisht për shqiptarët, vullneti i Policisë së Shtetit për të vendosur ekuilibrat e sigurisë publike nuk mjafton! Krimi në rrugët e qyteteve tona është pasqyrë e kriminalizimit të shtetit. Është pikërisht ky krimalizim në krye të shtetit që kontaminon dhe helmon çdo ditë shoqërinë shqiptare dhe shfaqet në forma dhe mënyra të ndryshme përmes ngjarjeve kriminale.
Sot si prind dhe ligjvënës e ndjej të jem në lartësinë e reagimit tim si qytetar dhe politikan, për t’i bërë thirrje shoqërisë shqiptare të mos hesht dhe të mos pranojë të bashkëjetojë me të keqen. Të çmojmë jetën e çdo shqiptari, duke i dhënë vlerë bashkëjetesës së lirë dhe demokratike në një hapësirë që nuk është pronë e askujt, sado i pushtetshëm qoftë ai. Është koha që çdo qelizë e kësaj shoqërie të reagojë si një akt atdhedashurie por edhe si një detyrim për fëmijët që po rriten në këtë vend! E keqja i ka ngulur rrënjet prej një dekade në krye të vendit. Kjo e keqe duhet larguar një orë e më pare sa seshte vonë për të gjithë shqiptaret.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *