Home

Lajme

Arben Brace – Turistja franceze me pyeti se ku eshte teatri ?

No Comments Lajme Opinion

Vetëm pak më parë, një turist francez i moshës së tretë i shoqëruar nga bashkëshortja, më preu rrugën dhe më pyeti në formë urdhërore se ku ndodhej Teatri. Nga mënyra se si mu drejtua mendova se do më kërkonte adresën e ndonjë restoranti peshku me emër në Tiranë, apo ndonjë qëndër SPA-je, por ja që moderniteti nuk ka mundur dot kurrë të shuajë popullin e artit dhe të kulturës, megjithëse ka investuar shumë në këtë drejtim.
U mundova t’i shpjegoj thjeshtë drejtimin e vendit ku ishte realizuar arti i fjalës së folur, se teatri vetë tashmë ekziston vetëm në imagjinatë, sepse ngrehina është rrafshuar në emër të ngritjes së një godine të re moderne.
Po pse nuk mund të ngrihej në ndonjë vend tjetër teatri i ri, mu drejtua ai i revoltuar, sikur ta kisha rrafshuar unë me duartë e mia.
Sa kohë keni pa teatër pyeti menjëherë ai dhe pa pritur përgjigjen time mu drejtua përsëri, se si bëjmë gjatë kësaj kohe që nuk kemi një kuvend të artit të fjalës…?!
Më pas, as ai nuk më kërkoi informacion më shumë, por edhe unë vetiu e lashë të ballafaqohej me llamarinat e nxehta nga dielli, që duket sikur edhe ato janë nxehur e revoltuar keqazi duke ruajtur pa dëshirën e tyre mënxyrën që bëjnë njerzit në emër të fitimit.
Nuk e pashë të udhës të ndaja mendimin tim dhe t’i thoja se sëmundja e teknollogjisë së betonizimit na ka përfshirë shumë më rëndë se Covid 19. Se ajo që e zotëron skenën tonë tashmë është hekuri dhe betoni dhe humbësi më i madh në këtë rast padyshim është arti dhe kultura.
Se të gjithë përçudnimet e trashëgimisë kulturore prej betonizimit kanë pushtuar dhe homogjenizuar të gjithë hapësirën e jetës sociale dhe në vend të institucioneve të kulturës së vërtetë monumentet tona sot janë vetëm kafet, pubet, restorantet dhe SPA-të.
Nuk desha t’i them se sundimi i përgjithshëm i zilisë i njerzve të betonit karshi njerzve të kulturës ka shkatërruar botën e kultures dhe elitat tona kulturore nqse nuk duan të shesin banane dhe salçiçe, mund të performojnë dhe shkëlqejnë vetëm jashtë vendit.
Nuk pata mundësinë t’i them se për ne brezin e alienimit, institucionet e kulturës vijnë shumë më pas atyre të partive dhe për mbrojtjen e tyre, një grusht artistësh, ishin shumë të pafuqishëm karshi militantëve dhe patronazhistëve, që kishin dalë ditën e shëmbjes së monumentit dhe idhujve të kulturës dhe se në ndryshim nga mbarë opinioni botëror që kulturën dhe insitucionet e saj i sheh si gurin themeltar të modernitetit, tek ne, ato nuk janë gjë tjetër, veçse themelet nga ku duhet të ngërthejnë ngrehinat e ftohta të betonit që rrafshojnë kulturën dhe mrekullinë e saj.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *