Home

Lajme

Rezar Dizdari – Brezni msuesish.

No Comments Argëtim Histori

Prind’t e mi ishin msues t’nderuem. Unë po përpiqem shkurt me sjellë disa pak elemente prej jetës së tyne pa dasht me ba biografi komplete edhe pse do të kishte mjaft vend për me shkru.
Emrullah (Col) Dizdari ishte një ndër pinjollët e denjë të familjes së përmendun e aq të pasun me mësuesa të Dizdarve të Shkodrës. Familja jonë ka pasë msuesa qysh n’krye të herës e këtu nuk mund t’la pa përmendë Gani Dizdarin, axhen e babës tem, drejtorin e shkollës së Parrucës.
Emrullah (Col) Dizdari lindi në Shkodër me 21.03.1932, e u diplomue shkëlqyeshëm në Institutin Pedagogjik në qytetin e lindjes. Ai nuk u mjaftue me këto studime universitare por u diplomue edhe në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave Filologjike me rezultate të shkëlqyera.
Vite ma vonë ndërsa do të takojsha profesorin e nderuem Jup Kastratin, një ndër korifejtë e dijes e profesor i tim eti, msova se ai kujtonte nji trimvirat studentash, pra tre studentë të spikatun dallonte ndër vite prof. Kastrati në karrieren e tij të gjatë të mësimdhënies, e nji ndër to ishte edhe Emrullah Dizdari. Vetë ai nuk ma kish thanë kurrë këtë.
I emnuem në Lezhë ai në vitet e para punoi si msues, në fillim në fshat e madej në Gjimnazin e Lezhës, ku edhe falë punës së tij të përkushtueme u formuan shumë breza nxansish si dhe mjaft poetë e shkrimtarë, sot të afirmuem e të përmendun. Ata gjithmon e thirrën profesor, edhe pse ishin me thinja e të famshëm në lamin e letërsisë e në fusha të tjera, ndër deshta me përmendë Shpresa Kapisyzi, Rudolf Markun, Preç Zoganj e sa të tjerë. Sot e kësaj dite ata nuk e harrojnë pasionin për letërsinë e shijet e holla që u mëkoi në rininë e tyne të hershme, mësuesi i letërsisë, prof.Coli.
Mandej ai punoi si drejtues pranë Seksionit të Arsimit në Lezhë, i ngarkuem për disa dekada me kualifikimin e mësuesve. Gjatë këtyre viteve e derisa doli në pension ai ishte konsulent i përhërshëm i Ministrisë së Arsimit në hartimin e programeve të kualifikimit të mësuesve, programeve mësimore dhe në hartimin e metodave pedogjike e psikologjike të mësimdhanies. E këtu vlen të theksohet se Lezha ndër ato vite ishte nji qytet i vogël, por me nji arsim shumë t’mirë e ajo shkollë e ai arsim që mbajti vulën e atyne mësuesave të mrekullueshëm nxorri njrëz e specialistë shumë të zotë, që e nderuen veten e qytetin e tyne, por që edhe nuk i harruen asnjiherë mësuesit e tyne të përkushtuem.
Për punën e tij kambëngulëse e të përkushtueme, Col Dizdari, disa herë asht dekorue me medalje e urdhra nderi për ndihmesë të vyer në përmirsimin e mësimdhanies dhe arritjen e rrezultateve të larta n’sektorët ku ka punuar e drejtuar deri në akordimin e titillit Mësues i Merituar, nderim ky i dekretuar nga presidenti i Republikës me 28.09.1995.
Nderimet për punën e tij kanë vazhdue edhe mbas vdekjes kur Këshilli i Qarkut Lezhë më 10.02.2011, i akordoi titullin “ Mirënjohja e qarkut Lezhë”.
Punët e mira me sa duket nderohen në të gjitha sistemet polituke.
Nuk mund të rri pa permendë, se përgjatë qëndrimit tonë të gjatë në Lezhë, disa herë ai filloi punen në Institutin e Studimeve Historike e Filologjike apo edhe n’Institutin e Gjuhësisë në Tiranë, por menjiherë mbas entuziasmit për fillimin e nji pune të re ma të kualifikueme vinte nji urdhën, prej dreqi i din kah, i cili e ndëprit’te vazhdimin e punës atje e ai kthehej prap në Lezhë. Siç kam mësue shumë vonë, arsyeja për këtë ishte pjesëmarrja e tij aktive, në rininë e hershme, në Grupin Antikomunist të Gjimnazit të Shkodres. Por as në Shkodër, në qytetin tonë, ne nuk mundëm asnjëherë të transferoheshim. Kështu ai e mbylli karrierën e punës në Lezhë e u kthye në qytetin e tij, në Shkodrën e dashtun, vetëm si pensionist.
Kur u kthye në Shkodër filloi të jepte mësim në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, por edhe këtu ajo ‘hija n’biografi’ nuk e la rahat. Sekretari i parë i asaj kohe, “personalisht”, i kujtoi pjesëmarrjen në grupin e gjimnazit e kështu edhe kësaj here nuk e lanë të vazhdonte pasionin e tij, mësimdhanien, as në qytetin e tij edhe pse rregjimi ishte tashma n’grahmat e fundit.
Nuk mund të harroj mirënjohjen vlerësimin e vazhdueshëm që i ka ba qyteti i Lezhës, në t’gjitha instancat, punës së tij e të bashkëshortes së tij. Kujtoj që kur ndërroi jetë, nga Lezha u nis një autobuz i tanë për me e përcjellë për në banesën e fundit.
Krah tij, gjatë gjithë jetës i qëndroi e shoqja, Hyleme Dizdari, mësuese e mirë e përkushtueme , siç thonë kolegët e ish nxanësit saj.
Ajo ishte fillimisht mësuese në shkollen 8-vjeçare Hydajet Lezha e mandej drejtuese në Teknikumin Bujqësor të Lezhës, shkollë kombtare e saj kohe. Kam takue disa herë ish kolegë e ish nxanës të saj që flasin me admirim për punën e përkushtueme të bame ndër ato vite këto brezni musuesish të palodhun e pasionant për profesionin e tyne.
Por ata nuk ishin të vetmit, përkundrazi ishte një brez i tanë mësuesish që e banin shkollën nji vend edukimi e të nxanit të dijeve, të gjithë i kojtojmë me admirim e respekt pa fund mësuesit tanë
E tash, teksa edhe unë përpiqen të jam mësim e kuptoj se sa figura të randësishme ishin ata e bashkëkohësit e tyne n’arsimin shqiptar, ndjej se mesa duket më thërret ‘kushtrimi i parëve’ e due që t’u përngjas prindërve të mi e t’i avitem sa ma shumë përkushtimit e pasionit të tyne për msuesinë por edhe nivelit të tyne kulturor e shkencor.
Kam bindjen se arsimi i asokohshëm shqiptar e meritonte me t’vertetë kuptimin e ksaj fjale.
Rezar Dizdari
Bolonje, 23.08.2022

Burimi/Facebook/Gegnisht

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *