Home

Lajme

Aleksandër Çipa – Konispoli i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori baladash

No Comments Kulture

Nëpër ujëra dhe nëpër plantacione me agrume duhet të shkosh që të mbërish në Konispol. Është qyteza më e skajshme jugore e Republikës, e njohur ndryshe si ” kryeqyteti” i Çamërisë sonë.
I skajuar gjeografikisht, por i përveçueshëm për nga brendia e jetës së vet njerëzore.
Si vizitor të ftojnë e të përshëndesin me natyrshmërinë dhe afërinë më njerëzore. Qytetarët e rastësishëm që përshëndet, lehtësisht të bëhen guidë për çdo skaj dhe godinë të lagjeve që zgjaten përbri një rruge që mund të jetë projektuar si bulevard për të ardhmen.
Ndanë varrezave të dëshmorëve, të cilat janë në qetësinë e pishave që shpesh fërfërijnë prej erërave që vijnë nga jugu apo nga kanali i Korfuzit, janë pesë fëmijë që lozin. Një lojë e pazëshme, por me një heshtje inteligjente, që mbetet në fuqi edhe kur shfaqemi tre të huaj. Gati 50 metra përbri tyre, një vilë e vogël, e rikonstruktuar por e mbushur me vetmi, që na tregojnë se pas asaj shtëpie dikur ishte kloni. Matanë të cilit vetëm zogjtë shkonin dhe ndonjë i rrallë që shkelte vdekjen…
Mjafton një fjalë e tillë, të fitosh të plotë dhe dramatikisht në kujtesë, imazhin e një kohe me ndarje dhe tension të pashterur.
Në kthim, nga skaji jug-perëndimor i qytetit, do të kalosh përbri disa shtëpive të vjetra, në rënim, të braktisura dhe të lëna në fatin e krejt shembjes prej të zotëve. Braktisje dhe pritmëni shembjeje, për arsye që janë të shumta.
Qoshet dhe gurët e skalitur me aq fisnikëri mjeshtrish të lënë të mendosh natyrshëm se u përkisnin familjeve të mëdha, Dinot, Takët, etj. etj. Pak më sipër, një fushë që besoj se është stadiumi i vetëm, i qytetit barthatë. Ndanë saj, një kullë shtëpie e vjetër, e vetmja e mbetur si e tillë që siç na thonë, është e të famshmit të valles aq unike, e Osman Takës. Kaq detaj, do të mjaftonte të shndërrohej në një projekt unik kombëtar si Muze i Valles Shqiptare.
Në qendër ka pak njerëz, por ata të paktë janë më të mençur e më të lexuar se shumë prej njerëzve që hyjnë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Qyteza është e rrethuar nga male të zhveshur. Një kurorë zhveshjeje që e bën edhe më të theksuar vetminë gjeografike. Matanë kësaj kurore është e padukshme hapësira e alternativave arratisëse për punë, migrim dhe emigrim të banorëve. Por statistikat e tyre na dëshmojnë se ikjet janë të përkohshme. Shtëpitë e reja numerikisht janë shtuar. Modestia është natyralitet që trishton. Peizazhet rrethuese nuk kënaqin vetëm vizitorët. Çmuesit më të rëndësishëm të tyre janë banorët. Ata prej kohësh banimi, kanë projektuar se si dhe ku mund të përdoren asetet për investim dhe turizëm. Tej, në thellinat nën qytet, shtohen plantacionet e agrumeve që kanë për protagoniste prej vitesh, shembulloren Mursi, por që pasohen me aq pasion edhe nga vetë konispolatët.
Në Konispol të mjafton dhe një orë qëndrim për t’u mbarsur me aromën dhe ndiesinë e të qenit jo vetëm në skajin më fundor të vendit, por në atë hise ku tipologjitë dhe fati dramatik i entitetit Çamëri të bëhet frymë e të shtohet në ajër.
Për të shkuar dhe për t’u kthyer nga Konispoli, më e vlefshme është të bësh rrugët rrethore. Nëse shkon nga Livadhjaja, kthehu nga Butrinti. Mjaftojnë këto dy pika për të dëshmuar se sa në territor të pasur ke hyrë si vizitor. Për të depërtuar në thellitë e mëdha të shpirtit të këtushëm njerëzor, duhet kohë e gjatë dhe bashkëbisedim i shumtë. Aty çdo grimcë ajri dhe çdo peshë fjale vlen sa një baladë e pafundme të cilën e muzikon shpirti dhe viset e heshtura të kësaj ane.
Ky cikël fotografish që po bashkëpërcjell me këtë tekst, i mbart gjithë shprehitë dhe kumtet mundshme të të ndodhurave dhe të historive që mbulohen me heshtje dhe vishen me kohë, por pa u bërë harresë dhe pa u ndërprerë, ndër breznitë njerëzore të këtushme. Konispoli, i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori të le si vizitor në asosacionin e një balade vijuese.
Konispol, 25 Gusht 2022

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *