Home

Lajme

Albert Vataj – “Letra” e lajmeve të trishta, e pikëllimta në tablonë e gjermanit Berthold Woltze

No Comments Argëtim Letersi

Duke qëmtuar në botën e papërmasshme të artit, në mesin e gjithë asaj lëndine të stolisur me lule të shumëllojta e larushi ngjyrash e trajtash drituse dhe terratije, syri pikas atë që kërkon prehje në shpirtje. “Letra” është një pikturë zhanri dhe kjo gjini, gjithçfarë rreket të mëtojë është përshkrimi me rigorozitet i një ansambli detajesh, shumësia e të cilave arrijnë të shprehin gjithë mesazhin që në mënyrë konceptuale përmblidhet në tërësinë e tablosë.
“Letra” e Berthold Woltze (1829–1896), vaj në pëlhurë, e përmasave 72,5 x 57,5 cm, është koleksion privat. Në këtë tablo, një nënë e re, e cila sapo ka marrë dhe ka lexuar një letër, ndoshta me lajme aspak të mira. Vështimi i saj i përhumbur është shprehja më e gjallë dhe detaji më cytës i këtij momenti të errët.
Ajo mbështetet pas vatrës masive prej guri, duke u shkrehur pikëllueshëm, ndërsa vajza e saj e vogël, në një përpjekje të dëshpëruar për ta ngushëlluar, i mban krahun dhe e vështron me një fytyrë përgjëruese, e cila don ti thotë, mos u mërzit mami, ja më ke mua.
Nëna në momentin që ka marrë letrën dhe në padurim për ta lexuar, ka qenë duke qëruar patate, të cilat, në momentin dramatik nuk kanë arritur të bien të gjitha nga përparësja e saj. Veshja e gruas, por më shumë se ky fakt, ambienti është relativisht i mjerë dhe patatja besohej se ishte prej të paktave ushqime, me të cilat do të shtyje një vakt të ngrëni nënë e bij.
Letra, se çfarë shkruhet në të, thjeshtë mund të aludohet. Vështirësitë e asaj kohe kishin detyruar shumë kryefamiljarë që të emigronin, kryesisht në SHBA, atje ku çdo e papritur mund të ishte reale, sa dhe lajmi i hidhur që ka kredhur në trishtim gjithë këtë tablo, ku të vetmet gjëra që mund të reflektojnë një lloj hareje, janë veshjet e gruas dhe vajzës së saj, të cilat më shumë se ngjyresë të veshjes janë tregues të pozitës sociale.
Një tjetër detaj është edhe zarfi i letrës, i cili është flakur në një cep të tablosë si një shprehje e papajtueshmërisë me lajmin që ka sjellë. Kjo tablo si dhe disa punë të tjera të këtij piktori, mundësojnë momente të plazmuara të një jete të trazimtë. Piktori dukshëm ka qenë i prekur nga këto episode, aq sa i ka përjetësuar në tablo, të cilat sëmbojnë gjithëpoaq ndjesit tona delikate, duke na rikthyer pas në kohë, ose duke e kthjellur vështrimin tonë.
Piktori u lind në Havelberg, një qytet i ndërtuar në një ishull në lumin Havel, në Gjermani. Ai u bë profesor në Shkollën e Artit të Dukës së Madhe të Weimar Saxon, ndër drejtorët e së cilës kanë qenë Arnold Böcklin, Franz von Lenbach dhe Albin Egger-Lienz. Shumë nga pikturat e tij të skenave të zhanrit u gdhendën dhe u botuan në gazetën javore të ilustruar Gartenlaube (‘Arbor kopshti’), e cila ishte një pararendëse e revistës moderne. Mjeshtri me shumë gjas mund të ketë qenë një eksponent i hershëm i asaj që në Britani njihet si trajtuesi i ‘fotografisë së problemeve’.
Albert Vataj

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *