Home

Lajme

Çun Lajçi – Artist katundar ke qenë gjithmonë m’tha Faruku

No Comments Kulture

T’jeshë gjeth n’degë, apo rrajë n’tokë, s’do t’thotë të jeshë pro shqiptar e anti serb e kurrën e kurrës anti amerikan, fola me fotografinë e Rugovës, që rrinte e para ndër artistë, n’murin e Ministrisë së Kulturës! E para nder t’parët!
Si mund t’jeshë kundër dorës që t’dha liri e bukë?! Kundër ambasadorit amerikan, Hillit, në Beograd, që ishte ma shumë se rrajë e shumë ma shumë se gjeth shqiptar, në kohën kur furtuna serbe po e zhbinte trungun e farës sonë?!
Si mund të jeshë kundër vetvetës, i thashë fotografisë se Ibrahimit, që rrinte n’mur i zverdhuem nga rrezet e diellit!
M’shiko si po të rri cuc përfundi, o Ibro! Kështu i rrishim Klintonit ’98-’99-tën, (kur na frynte zuzbica) e kështu duhet ti rrimë edhe sot Bidenit, kur prap qielli ka nisë mu nxi mbi Kopaonik!
Jo me nxjerrë gjoksin e pulës përpara e krahët me i ngritë si kacagjel!
Ibro! Do duhan e kam pi edhe unë me ty, madje edhe do gota i kemi cakërrua, por, kurrë nuk mësova sa ti e si ti, me matë me pelçik fjalën e me peshua me pëllambë mendimin!
I thash këtij kapsamunit, këtij kopilanit, se je rrajë e këtij trolli, e Hillit i thashë je gjeth që bie nga dega mbas nji mandati, tue dashtë me i dhanë zemër gjyksagjelit tim, por jo që ta fyej Hillin tue krahasua me gjethin. Fjala ishte, se ai shkon mbas katër vitësh, por ty t’prishet trolli e t’kalbët rraja, dhe mu keqkuptua mendimi! Nisen analfabetët me randua ambasadorin, se si ai po e ndihmueka Vuçiqin, jo Albinin!
Ibro, ti shkove por erdhën gjyksagjelat që s’dinë pse flasin e çka flasin!
Ali Hadri s’e priti fjalën e Ibros. Shfletojeni historinë e mos shkrueni histori me kutin e çobanit! Mos pini ujë me shpinën e lugës tue ia thye bishtin goruzhdës! Nji fuqi asht n’tokë e nji mik i shqiptarëve përtej Oqeanit. Nji gurrë lirie që e shuen etjen tonë! Ajo asht Amerika, qoftë e Bidenit qoftë Vashingtonit!
Mos e këputni vegëzen se zhbahet qëndisma e Marigonës n’fushën e kuqe!
Shko tash n’Prekaz, tha Ibrahimi, e mbushe plisin me dhé. Thueju atyne gjyksagjelave se ky dhé nuk shitet e miku që e shpëtoi ket dhé nuk harrohet! Rrnoftë Amerika!
Artist katundar ke qenë gjithmonë m’tha Faruku, por t’falet se lahutën e babës e ke dasht shumë!
26.08.2022

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *