Home

Lajme

PËRSIATJET PËR LASHTËSINË – PERSIATJE PËR TË SOTMEN

No Comments Argëtim Letersi

NJË ANALIZË NGA REXHEP QOSJA PËR VEPRËN E RESHAT SAHITAJ
Prej se e njoh si shkrimtar dhe publicist nuk më ka shkuar mendja se Reshat Sahitaj shkruan edhe poezi. Se është edhe poet ai, besoj, nuk u ka shkur mendja as lexuesve të tij të tjerë. Por, ja, proza poetike me titullin e jashtëzakonshëm Rojtari i pjesëve të harruara, edhe mua, edhe, besoj, lexuesve të tij të tjerë, na dëshmoi se Reshat Sahitaj është edhe poet, poet, i cili poezinë e shkruan më rrallë, por jo me më pak dhunti krijuese se sa prozën.
Proza Poetike e Reshat Sahitajt, Rojtari i pjesëve të harruara, më ka nxitur që këtë lloj letrar, të quajtur prozë poetike, ta shikoj pak në krahasim me llojet e tjera letrare.
Është mendim i lexuesve dhe është mendim i studiuesve të letërsisë se proza poetike është një lloj letrar, ku më pak e ku më shumë i rrallë, në letërsinë e të gjithë popujve. Për pakësinë e saj në krahasim me llojet e tjera letrare, prandaj, ankohen edhe studiuesit e letërsive të mëdha evropiane: edhe studiuesit e letërsisë franceze, angleze, gjermane, italiane, ruse, spanjolle. E të tjerë.
Proza poetike, të cilën me shumë dije dhe sukses e ka trajtuar studiuesja dhe poetesha jonë e talentuar, Donika Dabishevci, në tezën e saj të doktoratës me titullin Proza e poetizuar, mungon pothuaj plotësisht në letërsinë tonë të vjetër; është e rrallë në letërsinë e Rilindjes Kombëtare; më e dukshme se në letërsinë e Rilindjes Kombëtare është në letërsinë mes dy luftërave botërore, në mënyrë të veçantë në letërsinë e quajtur sociale; jo më e shpeshtë se në letërsinë sociale është në letërsinë tonë bashkëkohore.
Arsyet pse proza poetike në letërsi në përgjithësi është më e rrallë, më e paktë se sa llojet e tjera letrare janë të ndryshme. Dhe ato mund të quhen arsye formale dhe arsye kuptimore gjithnjë të kushtëzuara prej vetë llojit të saj. Për të krijuar prozë poetike më të gjatë a më të shkurtër, qoftë me vlerë më të madhe, qoftë me vlerë më modeste letrare artistike, duhet dhunti e dyfishtë: dhunti për poezi dhe dhunti për prozë. Megjithëse ka prozatorë në krijimtarinë e të cilëve vërehet qartë edhe dhuntia poetike, dhuntia për të krijuar proza poetike nuk është dhuratë shumë e shpeshtë natyrore.
Proza poetike sipas të gjitha gjasave është e rrallë në krahasim me llojet e tjera letrare edhe për arsye se në të kërkohet një dendësi e jashtëzakonshme kuptimore. Ajo është lloj letrar në të cilin me pak fjalë duhet të thuhet shumë, shumë. Dhe më tej, ajo është lloj letrar në të cilin përpos figurshmërisë së pjesëve – fjalive e vargjeve, është e kërkuar edhe figurshmëria e tërësisë.
Proza poetike, proza e parë dhe deri sot e vetme poetike e Reshat Sahitajt,Rojtari i pjesëve të harruara, dëshmon se ai i ka të dy këto dhunti: dhuntinë për të shkruar prozë dhe dhuntinë për të shkruar poezi; dhuntinë për të shkruar me dendësi kuptimore dhe dhuntinë për të shkruar me figurshmëri të pjesëve dhe me figurshmëri të tërësisë. Në qoftë se dhuntinë për të shkruar në prozë e ka dëshmuar me romanet e tij, disa prej të cilëve janë të perkthyer në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhën franceze, dhuntinë për të shkruar poezi po e dëshmon për herë të parë me këtë prozë poetike.
Proza poetike Rojtari i pjesëve të harruara është përsiatje jashtëzakonisht e stisur për historinë shqiptare prej kohës së lashtë ilire e deri sot. Dhe, kjo përsiatje sendërtohet përmes krahasimit të figurshëm kuptimor të të sotmes, shqiptare, me lashtësinë, ilire.
Proza poetike Rojtari i pjesëve të harruara ka një personazh të pa emër e mbiemër, i cili me fatin e vet dhe me mendimet e veta e përmbledh poetikisht atë histori. Ai është i dënuar prej fatit të kobshëm që të jetë rojtar eshtrash! I ulur në kafkën e skeletit, që dikur kishte qenë mbret i paraardhësve të tij të lashtë, ai i kujton fushat, malet, ujërat, në përgjithësi bukuritë natyrore të vendit të vet ku kishin jetuar ata paraardhës; mandej e kujton historinë e tyre ashtu siç e kishte imagjinuar poeti i madh i Greqisë së lashtë, Homeri: mandej si e kishte parë dhe paraqitur Virgjili në Eneidën e tij; mandej si e kishte parë dhe paraqitur historiani romak Kurt Rufi; mandej si e kishte parë dhe paraqitur historiani i madh romak, Tit Livi, i cili tregon se si mbreti i tij, në kafkën e të cilit ishte ulur, e kishte mbytur të vëllanë vetëm e vetëm për t’ia marrë të fejuarën. Dikur rojtari i pjesëve të harruara e hudh veprën e Tit Livit mes eshtrave të cilët dëshiron t’i djegë, por, ato janë eshtra që “nuk i shkatërron kurrfarë zjarri”!
I dëshpëruar pse ishte rojtar eshtrash, ai do t’i lutet Perëndisë, që t’ia marrë jetën. Por, lutja e tij mbetet e kotë dhe mbetet e kotë sepse kërthizën e kishte prej hirit, kurrizin prej zinkut të Dardanisë, kurse frymën prej lagështirës së Dukagjinit! Dhe, do të jetë i dënuar për të ruajtur eshtrat me dorën e tij të cunguar gjithnjë të përgjakur në të cilën do të ushqehen mizat, derisa të mos gjenden copat e flamurit, copat e flamurit që simbolizon copëtimet e trojeve etnike!
Kur i del kllapia dhe vjen në vete ai e fillon vallen e luajtur në dasmën e mbretit Agron dhe e fillon përfundi tavanit ku vareshin gërshetat e pluhurosura të Teutës! Duke mos dashur të vallëzojë i vetëm, e fton rojtarin e thesarit, që kishte vdekur para katër muajsh, që t’i bashkohet në valle. Por…por, i lodhur prej numërimit shekullor të florinjve, ai nuk pranon që t’i bashkohet! I pezmatuar nga sjellja e rojtarit të thesarit, ai ngjesh shpatën, i hip atit dhe i bërtet atij:
-Unë jam paraardhësi yt e ti as emrin s’ma di!
E ngrit shpatën lart!
I djersitur pamatshëm e pret kufomën që nuk e njihte!
Dhe, shkon të bëjë roje në copën më të harruar të Atdheut!
Siç shihet, florinjtë e rojtarit të thesarit e shtojnë kobin e rojtarit të njerëzve të vdekur para mijëra vjetësh!
Florinjtë atëherë – në lashtësinë ilire dhe florinjtë tani në përtashësinë tonë! Mos është ky kobi që e shënon lashtësinë dhe kobi që e shënon përtashësinë e atyre eshtrat e të cilëve i ruan rojtari i prozës poetike të Reshat Sahitajt?
Të ishin vetëm etjet për thesare të rojtarit të tyre shkaku i fatkeqësive historike, iliro-shqiptarët ndoshta do të bëheshin më lehtë e më shpejtë subjekt i historisë së tyre. Por rojtarët e thesarit nuk ishin kryesorët, jo: ata ishin të sunduar e të urdhëruar prej atyre , që atëherë quheshin mbretër, kurse sot rojtarët e thesarit sundohen e urdhërohen prej atyre që nuk quhen mbetër, por sundojnë e urdhërojnë si mbretër! Nën sundime të tilla, pasardhësit e rojtarëve të eshtrave, besnikë të detyruar ndaj rojtarëve të thesarit dhe mbretërve të tyre, detyrohen të shkojnë e të ruajnë pjesë të harruara, prej të tjerëve të pushtuara, të Atdheut.
Rexhep Qosja

Burimi/Facebook/Reshat Sahitaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *