Home

Lajme

Rudina Muharremi Beja – Më lër siç jam!

No Comments Argëtim Letersi

Mëngjesi kishte zbritur i hirtë mbi qytetin me ndërtesa hijerënda që shtrihej krejtësisht i pambrojtur nën atë qiell fillimshtatori që retë shtrëngonte për shi. Koha ishte krejt e turbullt e megjithatë, amvisat kishin dalë që herët nga shtëpitë për të blerë të nevojshmet. Në fakt vendi ku banonte i kishte afër të gjitha shërbimet; farmaci, supermerkatë, mëngjezore, bar, restorante, biblioteka, kopësht, bankë, postë, shkolla dhe një park të madh ku qëndronte shpesh mbrëmjeve të gjata të verës bashkë me familjen.
Gjithçka vetëm disa hapa larg shtëpisë, ndaj udhët gumëzhinin gjithnjë.
Zërat e zonjave dhe të qeshurat e tyre që hynin nga dritarja gjysëm e hapur e kishin zgjuar herët atë mëngjes teksa me bisht të syrit vështronte në fund të korridorit lëvizjet e të shoqit i cili po largohej për në punë.
Kur e pa të kthehej sërish në dhomë pothuaj në majë të gishtave, për një çast mendoi se do ta puthte…apo do ti thoshte “të dua”…
Eh,-u ç’kurajua shpejt, -s’e ka bërë ndonjëherë zakon, do t’ia fillojë sot?!
Ai mbylli ngadalë dritaren nga ku hynin zhurmat, i mbuloi shpatullat me çarçafin e verdhë dhe u largua përsëri pa bërë zhurmë. Ajo u ndie mirë ndonëse as s’e puthi e as s’i tha se e donte shumë siç bënin bashkëshortët e shoqeve të veta, të paktën kështu thonin ato.
Kishin plot 24 vite të martuar, tashmë ishin plakur bashkë por ai gjithmonë i kishte thënë se ka njëmijë mënyra të tjera për t’i thënë një gruaje “Të dua”
S’bëri zë. E la të largohej duke menduar të flinte edhe ca pasi atë ditë e kishte pushim
Zërat e grave që tashmë vinin gjithnjë e më të mbytur, fenerët e zbehtë që qëndronin vetmitarë ngulitur nëpër ato mure të larta dhe kulmorja e trishtë e orës së madhe të qytetit dukej sikur dëbonin përfundimisht errësirën, ndonëse qielli ishte qepur me re.

  • Duhet të gjej forcën të dal nga shtrati,-mërmëriti me vete, -kam njëmijë punë për të bërë kurse kuisja vajtuese e një porte që hapej e mbyllej dhe parfumi i kafesë që vinte nga guzhina e zgjuan përfundimisht
    -Mama,-do të më ndihmosh ?
    Më duhet të zgjedh disa veshje sot meqë je pushim, – kishte folur e bija që nga dhoma tjetër,- të lutem, së shpejti fillon shkolla dhe më duhen!
    Rrufiti gllënjkën e fundit të kafesë që i shoqi ia kishte lënë gati mbi tavolinë dhe me një biskotë në dorë mbërriti në dhomën e saj. I tha të përgatitej shpejt e shpejt pasi kishte edhe shumë e shumë punë të tjera për të bërë.
    Pasditja kishte mbërritur sa hap e mbyll sytë . Drekuan sëbashku dhe mendoi të telefononte të shoqin për ta pyetur se çfarë dëshironte që t’i gatuante për darkë, por ai, çuditërisht kishte brofur në portë.
    -Po ti?! S’je në punë sot?- pyeti ajo
    -Erdha shpejt,-mërmëriti ai duke shpëlarë duart aty në lavamanin e guzhinës me këpucët e punës ende veshur.
    -Duhet të më ndihmosh zonjëz, – i foli ai me sytë krejt jetë, -ke harruar se duhet të zgjedhim pllakat për apartamentin? Meqë je në shtëpi mendova të vemi bashkë, madje secili me makinën e tij pasi njëra nuk i nxë materialet që na nevojiten.
    -Mirë, mirë, -ia priti ajo por duhet më parë ta furnizoj me karburant makinën se është bosh pasi vajta me vajzën për të bëra disa blerje në qytet
    -Edhe e imja,- iu përgjigj ai ndërkohë që merrte nga makineta kafenë e pasdrekës, -dhe e imja ka fare pak.
    -Ja të bëhem gati,-tha ajo tek largohej duke folur me vete,
    -Iku dhe dita e pushimit, përtypte ca copëza fjalësh korridorit të gjatë e kërkonte veshje të rehatshme
    Zuri vend përbri tij në karburantin më të afërt ndërsa ai zbriti shpejt e shpejt duke bërë furnizimin për të dyja.
    -Rrugë të mbarë, i foli nga xhami gjysëm i hapur dhe një buzëqeshje iu çel mbi fytyrë si një flakëz lodruese.
    Udha ishte e largët, pothuaj dy orë autostradë.
    Më në fund u nisën. Ai i parapriu duke i lënë gati biletën por vetëm pak metra më tutje u fut në një xhep të autostradës ku kishte ndaluar mjetin dhe priste.
    -Po ky?!-u shqetësua me të drejtë ajo
    E telefonoi me ngut për të ditur ç’i kishte ngjarë me një lloj llahtarie vizatuar mbi fytyrë.
    -Asgjë, asgjë,-foli ai me një të qeshur të bukur, dua të të kem përpara, e të të shoh gjatë gjithë rrugës.
    Ajo qeshi gjatë me vete. Ngriti disi zërin e radios. Adele ndërkohë këndonte këngën e saj të preferuar. Nuk ngurroi të këndojë me të.
    Pas disa minutash vu re se ishte larguar goxha pasi s’e shihte akund nga pasqyrat teksa ekrani i telefonit u skuq.
    Natyrisht ishte me kufje pasi s’e përdorte kurrë telefonin kur ishte në timon, e konsideronte një gjest me rrezikshmëri të lartë për jetën, të sajën por edhe të të tjerëve.
    -Hej , Shumaker, po vrapon ca si shumë,- i foli ai nga ana tjetër ai me një zë të ëmbël dhe plot përkujdesje..
    Në fakt, shigjeta shënonte jo pak kilometra mbi limitin e shpejtësisë dhe ky detaj i kishte shkarë.
    Kur mbërritën në pikën e shitjes, kërkuan dikë të kualifikuar prej personelit në mënyrë që të mund t’i ndihmonte dhe të kursenin disi kohën
    Më në fund dukej se kishin mbërritur në një akord të përbashkët dhe teksa vijonin të plotësonin kërkesën ndjenin rrebeshin e beftë që shembej mbi dhé e që dukej sikur do të shembte tavanët e asaj ndërtese gjigande.
    Ajo kishte zënë vend përpara një ekspozimi që të mahniste vërtet
    -Sa të bukura këto, -kishte folur me një zë të mbytur duke vështruar pothuaj me keqardhje atë kompozim pasi tashmë kërkesa ishte mbyllur.
    -U bë, -foli ai duke kërkuar vëmendjen e zotërisë që i shoqëronte, le të jetë kjo zgjedhja dhe me një shkëndijë qesëndie mbi fytyrë i kërkoi atij me mirësjellje të ndryshojë tërësisht përzgjedhjen e bërë vetëm pak çaste më parë…
    As që e vështroi çmimin. Vetëm dëshironte që ajo të ishte vërtetë e kënaqur. U kthyen bosh pasi materiali ishte delikat dhe duhet ta sillnin mjete të autorizuara për atë lloj trasporti.
    Gjatë kthimit “garuan” sëbashku si të qenë fëmijë të vegjël dhe disa herë ai e kishte lënë “të fitojë” aq sa mendoi se tashmë e kishte lënë fare larg.
    Në dalje të autostradës, ai e priste aty, me një buzëqeshje të stamposur në fytyrë dhe me vështrimin që bëhej më i ëmbël sa më shumë avitej.
    Mendja tërthorazi i vajti tek gratë që në mëngjes ishin kaq të qeshura. Dukeshin kaq të lumtura tek llafoseshin së bashku…
    Telefoni u skuq sërish…
    Ishte e bija që nga krahu tjetër pyeste se çfarë dëshironin t’ u gatuante për darkë dhe nëse mund të vazhdonte ta përgatiste apo kishin të vonuar.
    Ajo ngriti kokën lart dhe me sytë pothuaj në lot pa qiellin që tashmë ishte tërësisht i kulluar duke pëshpëritur ngadalë:
    Zot, më lër kështu siç jam!

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *