Home

Lajme

Luan Rama – “Kalorësit shqiptarë të perandorit”

No Comments Argëtim Histori

Botuar në nr.38 të revistës “ILLZ”.

Tregim mbi një fakt të panjohur historik
Qyteza e Mery-se digjej ende dhe tymi që ngrihej në qiell e bëri dhe më të shpejtë ardhjen e natës. Shpërthime topash, pushkësh, vringëllima shpatash e thirrje të plagosurish, përzier me hingëllimat e kuajve që binin të plagosur, gjithçka i jepte asaj qyteze imazhin e një vendi martir dhe pamjen e një masakre të kobshme. “Shqiptarët! Shqiptarët” – thirri një nga ata të regjimentit të Dragonëve kur pa tri kalorësit shqiptarë me fustanellat e tyre të bardha që shkonin me vërtik drejt kalorëve të tjerë prusianë që tërhiqeshin tashmë mes panikut midis tymit e flakëve.
Gjermanët e gjeneralit Bücher po tërhiqeshin. Pas një beteje të humbur gjatë gati dy ditëve, pas pak, ra çuditërisht një qetësi e madhe, në filllim e frikshme, pastaj e paqtë dhe memece siç ndodh në prag të tragjedive të mëdha. Tek-tuk ende shkrepej ndonjë pushkë e fundme. Si duket francezët vrisnin prusianët e plagosur që ende merrnin frymë. Dhe qetësia vazhdoi gjer në mëngjes në rrugët e asaj qyteze mbushur me qindra kufoma, midis asaj reje të madhe tymi dhe arome shkrumbi që të hidhëronte gojën. Ç’kërkonin shqiptarët në këtë skenë beteje në Francën e largët? Ç’donin aty në rradhët e ushtrisë napoleoniane që luftonin kundër gjermanëve dhe rusëve dhe cilët ishin këta luftëtarë?


Gati një vit më parë, nga fundi i verës së vitit 1813, pesë kalorës kapërcenin lumin e Senës dhe po i afroheshin atij qyteti gjigand. Ata mbanin uniformat e ushtrisë napleoniane ndërkohë që tri kalorësit e tjerë ishin veshur me rroba të çuditëshme që nuk njiheshin në këto anë. Dy francezët që i shoqëronin u thanë se ishte Parisi. Po ecnin anash Senës kur ndërkohë filluan të shquheshin kambanoret e kishave të shumta, Luvri, me harqet prej guri dhe portat e mëdha, kupola gjigande e Panteonit, urat e mëdha dhe ndërtesat e gurta të cilat kurrë këta luftëtarë të huaj nuk i kishin parë në jetën e tyre. Grupi i kalorësve ecte ngadalë dhe kuajt shfrynin nga lodhja. Banorët e parë të qytetit që kryqëzuan në udhën buzë Senës i shikonin të habitur duke pyetur në vetvete se nga ç’botë e huaj vinin këta tre kalorës dhe me ç’mision po hynin në Parisin që kërcënohej nga lufta. Shikonin fustanellat e tyre të bardha, shpatat e pisqollat e ngjeshura në brez e po ashtu dhe flokët e tyre të gjatë që u binin mbi supe. Padyshim pyesnin veten se nga vinin dhe ku shkonin kështu me ato fustanella të hapura pale-palë. Nuk e dinin se vinin nga brigjet e largëta të Jonit. Ishin Jani Foka, nga Parga, shtatlartë e thatim, lindur më 1791, me matrikull lufte 440 ; Kosta Jani, me mustaqet e tij të mëdha nga Suli, lindur në vitin e Revolucionit francez më 1789 dhe me matrikull lufte 441. Pas tyre ishte Lolio Nako, një djalosh trupshkurtër por i lidhur, nga Gjirokastra, lindur në vitin 1791, edhe ai pas revolucionit, me matrikull 442. Kishin tri javë që ishin nisur me anije nga Korfuzi. Në fillim kishin shkuar gjer në Mesina në jug të Italisë dhe që andej, me një anije të ushtrisë franceze, kishin marrë rrugën detare drejt Korsikës për tu ndalur më pas në jug të Francës. Gjatë rrugës, hipur në bordin e anijes ushtarake të shumtë ishin ata që habiteshin me këta kalorës të çuditshëm, me një ndjesi tepër krenare, çka dukej në çdo shprehje të fytyrës dhe qëndrimit të tyre. Një muaj më parë, në Korfuz, ku gjendej « Regiment des Albanais, « Regjimenti i Shqiptarëve » i krijuar që në vitin 1807 nën komandën franceze të kapitenit Jean-Louis Minot që shumë shpejt u grumbulluan 3254 luftëtarë. Më 5 mars të vitit 1813, krerët e shqiptarëve ishin mbledhur dhe kishin nënshkruar një letër për perandorin Napoléon në të cilin ndër të tjera i shkruanin: « Madhëri, ne ju ofrojmë për Gardën tuaj tre nga bashkëpatriotët tanë nga më trimat. Shqiptarët ju lutën që të mos i konsideroni ata si të huaj, por si më besnikët, më të devotshmit dhe mirënjohës » Kur e lexoi dhe pikasi firmat dhe emrat e trimave shqiptarë si Boçari, Xavella, Fotomaro, major Zani, major Gjika, etj, guvernatori ushtarak francez, gjenerali Donzelot, e pranoi këtë kërkesë të shqiptarëve, dhe menjëherë njoftoi Francën për ardhjen e shpejtë të tyre.
Mbi kuaj arabë, kalorësit ecën kështu rreth gjysmë ore, duke vështruar njerëzit dhe urat, anijet që shkonin e vinin mbi lumë. Njëri prej kalorësve francezë, i cili dinte gjuhën greke, u tregonte shqiptarëve për qytetin e vjetër, ngritur në të dy anët e lumit. Pamja për shqiptarët ishte e madhërishme. Vështronin dhe tërhiqnin vëmendjen e njeri-tjetrit për ato ndërtesa gjigande, kupola dhe kambanore të larta. Më së fundi ata i lanë ndërtesat e fundit të qytetit për t’iu drejtuar qytezës së vogël të Saint-Cloud, asaj kodrine të gjelbëruar e me një pallat madhështor që dukej së largu. Por ata e anashkaluan atë për të marrë rrugën në të majtë, drejt Versajës. Ndërkohë, nga pas, papritur u dëgjua jehona e kambanave të meshës që mbahej jo larg prej tyre. Më së fundi kambanat pushuan dhe kalorësit u futën në një pyll të dendur duke ndjekur monopatin që do ti çonte për shkurt drejt Versajës, pallatit të dikurshëm mbretëror. Bënte ftohtë dhe një ngjyrë e errët gri nisi të pushtonte qiellin. Shqiptarët vazhdonin të ndiqnin dy kalorësit francezë, me kostumet e tyre blu po në të kuqe dhe kapelen e madhe të kuqe që mbanin në kokë nga ku u varej një bisht flokësh.

  • Përse në Versajë ? – kishte pyetur Kosta Jani.
  • Sepse atje është ministri i Luftës, konti De Faltre, i cili na pret bashkë me presidentin e senatit të Shtatë ishujve jonianë, baronin Theotocki.
    Pas kaq vitesh luftë, pas thyerrjes në Borodino jo larg Moskës dhe tërheqjes fatkeqe, tashmë ushtria napoleoniane po mbronte me ngulm trojet e Francës kundër ushtrive të koalicionit të madh të Anglisë, Rusisë, Gjermanisë dhe të Austro-Hungarisë, që në aleancë mes tyre i ishin sulur Francës ta pushtonin duke tentuar të hynin deri në Paris dhe ta gjunjëzonin atë. Tashmë kalorësit po i afroheshin ndërtesave të para të Versajës dhe ja ku më së fundi, në mbarim të një rruge të gjatë, ata dalluan konturet e pallatit mbretëror të Luigjit XV dhe Luigjit XVI të cilit ia kishin prerë kokën në gijotinë pothuaj një dekadë më parë. Në portat printe një skulpturë e madhe me një kalorës mbi kalë me një pamje triumfatore. Ishte në fakt vetë Luigji i XIV të cilin bota e kishte cilësuar « Mbreti Diell ». Një e çarë në qiell, bëri të shkëlqejë papritur skulptura e kalorësit, e lyer në një ngjyrë ari. Pamja ishte e mrekullueshme. Shqiptarëve gjithçka u dukej e pabesueshme me Versajën që u shfaqej përpara. Ndërkohë dy francezët morën majtas pa hyrë në oborrin mbretëror. Shkonin drejt një godine tjetër hijerëndë, me një portë të madhe dhe disa emblema të gdhendura e të mëdha që bënin ballë anash portës me imazhe të luftrave mesjetare plot kaska, shpata e pazmore hekuri. Ishte ndërtesa e ministrisë së Luftës. Ndërkohë që kishin zbritur kuajt, roja njoftoi menjëherë dhe ja ku u shfaq tek shkallët figura e baronit Theotocki, një grek nga Korfuzi që ishte si të thuash presidenti i asaj republike të re të krjuar nga francezët, ku me të njëjtin flamur ishin bashkuar banorët e Korfuzit, Saint Maur, Zantes etj… Me një pamje të gëzuar e të habitur njëkohësisht baroni nxitoi t’i takojë. I njihte mirë të tre shqiptarët që prej kaq vitesh ishin vendosur në Korfuz dhe ishin nga luftëtarët më trima. Më së fundi dikush u shfaq dhe i njoftoi se ministri De Faltre i priste. Menjëherë ngjitën shkallët duke ndjekur pas baronin grek. Kaluan një korridor të lartë e të gjatë ku më së fundi, në një nga sallat ndaluan para ministrit të Luftës të cilit i shndriste një medalje e madhe ngjeshur mbi gjoks.
  • Ja më së fundi dhe shqiptarët! – tha me zë të lartë ministri duke qeshur me baronin dhe u afrua për të takuar shqiptarët njërin pas tjetrit.
    Menjëherë i ra në sy ai kostum i habitshëm e mjaft burrëror i shqiptarëve, fustanellat e tyre të bardha palë-palë që i kishte parë në një nga tablotë e një piktori francez që sapo ishte kthyer nga Ballkani. Kjo i kujtoi Irlandën, vendlindjen e tij pasi De Faltre ne të vërtetë ishte nga familja Clark, por historia e solli që ai të vihej në shërbim të Francës së pa Revolucionit. I shikonte me admirim ata kalorës të fuqishëm kur baroni u afrua duke i thënë:
  • Zoti ministër! Shqiptarët kanë dëshirë ta mbajnë uniformën e tyre dhe në luftë.
    Ministri u mendua një çast dhe pastaj tundi kokën.
  • Pse jo… ne kemi dhe kalorësinë mamluke. Tashmë le të kemi në gardën tonë edhe luftëtarë shqiptarë me veshjen e tyre tradicionale!
    Takimi me ministrin ishte i shkurtër. Telegrami i gjeneralit Donzelot që ai i kishte dërguar nga Korfuzi e kishte bërë kureshtar për këtë kërkesë të shqiptarëve që mezi prisnin të hynin në lufë nën flamurin e Napoleonit që të mund të luftonin pastaj kundër Turqisë dhe çlironin vendin e tyre të robëruar gjatë kaq shume shekujve.
    Tek zbrisnin shkallët, parganjoti Jani ndaloi një çast dhe pyeti baronin:
  • Po Napoleonin nuk do ta shohim?
    Baroni ktheu kokën dhe e vështroi me një të qeshur të lehtë:
  • Me siguri një ditë, por jo këtu në Versajë por në betejë!
    Kur u ndanë nga baroni Theotocki, një kaporal dhe dy ushtarët francezë i shoqëruan drejt bujtinave të kalorësisë imperiale që gjendeshin dy kilometra më tutje. Për shqiptarët, nata e asaj dite ishte një surprizë më vete. Në bujtinat e mëdha, me tavolinat e rënda prej dërrase ku hanin ushtarët, vera i solli në qef të gjithë. Qeshnin, këndonin, nduknin ato pak gra që u shërbenin duke u sjellë për të pirë dhe bujtina zhurmonte në mënyrë të parreshtur. Ato femra të shëndetëshme me fustanet e gjata dhe gjokset e hapura nga ku pikasnin gjinjtë e tyre të fryra, i jepnin tjetër pamje dhe tjetër hare asaj bujtine. “Ata që luftojnë duhet dhe të dëfrejnë”, kishte thënë Perandori i cili gjithnjë mendonte për ushtarët e tij.
    Kampi ushtarak i Versajës në të vërtetë i magjepsi shqiptarët. Kujtonin tashmë ato tenda të varfëra e melankolike ku shqiptarët mezi prisnin të niseshin në luftë. Kurrë nuk e kishin menduar se një ditë rasti do ta sillte që ata të vinin dhe të luftonin në krah të Perandorit. Atë kohë në Shqipëri, pas këngës për revolucionin francez, populli i kishte ngritur një këngë dhe Napoleonit ku i këndonte lavdisë dhe forcës së tij:
    “Populli frëng ngriti kokën dhe mbretërit i vrau / murgjit dhe priftërinjtë nuk i pëlqenin / ai i tregoi vendin Rusisë…”
    Që nga ajo ditë shqiptarët do ta mbanin kostumin e tyre. Netëve, shqiptarët kujtonin ditët e gjata nën diellin e Korfuzit, kompanitë e tyre të vendosura në ishujt e Qefallonisë, në Fano, Zantes, Itakë, vallen e tyre pirike ku francezët shikonin me aq simpati kostumet e tyre me këmishat e bardha, jelekët e zinj, dhe ato fytyra të prera, plot energji, të cilat do ti pikturonte dhe piktori Louis Dupré kur do ti takonte ata në Korfuz. Portrete të gjalla që hynë në histori. Në mbrëmje, suljoti këndonte këngën e maleve të Sulit : ”Djem të maleve, duhet të zgjedhim / o turpin o nderin në betejë / Foto raja kurrë nuk u dorëzua / shpatën kishte si pasha dhe pushkën si vezir…”
    Bashkimi me ushtarët e tjerë të Gardës perandorake ishte i menjëhershëm. Fjalët e para frëngjisht që kishin mësuar në frëngjisht në kampin e regjimentit në Korfuz, nën komandën e kapitenit Minot, tashmë nisën të shtoheshin në kontaktin e përditshëm me francezët. Ditët kalonin dhe shpejt erdhi çasti kur dy muaj më vonë ata duhej të niseshin në luftë edhe pse deri atë çast asnjëherë nuk kishin mundur ta shihnin perandorin. Situata e Francës po bëhej gjithnjë e më vështirë. Anglezët po zbarkonin në Belgjikë, gjermanët e gjeneralit Bücher ishin dyndur drejt Strasburgut, e po kështu rusët dhe regjimentet austriake. Pasi kishte kapërcyer lumin Rhin, Blücher me dekoratat që i shkëlqenin në gjoks u printe 25 mijë ushtarëve ndërsa gjenerali tjetër Schwaezenberg përparonte në krye të 30 mijë të tjerëve. Dukej se Europa luftonte tashmë kundër perandorit francez, i cili në janar të vitit 1814 kishte nisur Fushatën e Francës. Por kësaj rradhe humbjet ishin të mëdha.
    Ishte fillimi i shkurtit të vitit 1814. Pas betejave në Briene, La Rothiere etj, armiqtë e Francës napoleoniane po marshonin tashmë drejt Champagne-s dhe Marne-s. Më 7 shkurt, prusianët e gjeneralit Blücher hynë më së fundi në Mery-sur-Seine. Luftimet me francezët ishin të ashpra. Dy javë më vonë Napoleoni dha urdhër ti sprapsnin gjermanët dhe rusët dhe për këtë qëllim nisi përpara gjeneralin Antoine Gruyère me Regjimentin e Dragonëve, të cilët arritën ti zmbrapsnin prusianët nga një fshat në tjetrin, siç ndodhi në Pont Mery. Gjeneralët e tjerë francezë, Victor, Marmont dhe Ney arritën të bashkoheshin me forcat e Napoleonit i cili u printe 15 mijë ushtarëve. Ishte data 22 shkurtit. Më së fundi ata mbërritën në afërsi të Mery-së, ku tashmë Gruyère po bënte përpjekjet e fundit. Ura e madhe prej druri që lidhte dy brigjet e Senës, po digjej nga flakët. Të vrarët mbushnin rrugët. Megjithatë francezët përparonin e bashkë me ta dhe tre shqiptarët, si gjithnjë të pandarë. Topat gjëmonin. Tutje shtëpitë shëmbeshin mes flakëve… “Shqiptarët! Shqiptarët! – u dëgjua një klithmë në drejtim të shqiptarëve që ishin vërtitur përpara si furtunë. Kapiteni u bëri shenjë të tjerëve të hidheshin përpara duke humbur mes atij tymi të dendur dhe flakëve të shtëpive që vazhdonin të digjeshin.
    Mery-sur-Seine ishte kthyer në gërmadhë dhe furia e francezëve më së fundi i shpartalloi skalionet e rusëve dhe gjermanëve që po tërhiqeshin me shpejtësi. Në buzëmbrëmje Bonaparti hyri në Mery dhe gjeneralin Gruyère e gjeti shtrirë, të plagosur por jo të vrarë. Perandori i shtrëngoi krahun, u përkul mbi të dhe e vështroi një çast të gjatë plot dashuri Trupat e tij, ku ishin dhe shqiptarët kishin ndjekur armikun gjer tutje kodrinave që rrethonin qytezën. Ndërkohë dielli tutje përhumbej në atë qiell që kishte veç tymrat e zjarreve dhe ngjyrën e zisë së madhe.
    Pamja ishte e trishtë në sytë e perandorit që shkonte ngadalë mbi kalin e tij të bardhë, duke parë ushtarët që mblidhnin të vrarët. Ishte një qetësi e habitshme ku vetëm trarët që binin dëgjoheshin mes tymit që ngrihej në qiell. Me pezëm në zemër, Perandori ndaloi një çast dhe në prani të oficerëve tha ngadalë: « Shumë shpejt Mery-në do ta ndërtojmë sërish ».
    Më së fundi nata ra. Ushtarët vazhdonin të varrosnin shokët e tyre të armëve. Dhe ata ishin me qindra. Çuditërisht ishte një natë e qetë, gati memece, me një hënë që humbte lart në tymrat e pakët që ngriheshin ende.
    Atë aq, më së fundi tymrat ishin larguar. Por buzë Senës një mjegull e dëndur po ngrihej ngadalë nga lumi duke rënë mbi qytezë. Në gardën perandorake më kot prisnin të ktheheshin tre shqiptarët. Ata nuk do të ktheheshin më. Kur mjegulla u shpërnda dhe në dritën e bardhë të mëgjesit u pa ai imazh apokalipsi, një oficer i Regjimentit të Dragonëve solli lajmin se tre kalorësit shqiptarë i kishin varrosur pranë njëri-tjetri në fushat në krah të qytezës bashkë me matrukullat e tyre: 440, 441 dhe 442 të Regiment des Albanais. Në arat e mbjella, plot pirgje dheu, flinin tashmë trimat e asaj beteje të madhe. Me siguri i kishin varrosur ashtu, me fustanellat e tyre, me brezat plot ngjyra dhe thikat që u zbukuronin belin. Kështu hynin ata në botën e legjendës.
    Muajt kalonin dhe Franca e Napoleonit po mundej. Në shtator të atij viti perandori abdikoi dhe i shoqëruar nga disa prej oficerëve të tij u detyrua të shkojë në mërgim, në ishullin e Elbës. Në fron hipi mbreti Louis XVIII. Por lufta do të fillonte shumë shpejt. Më 13 prill, fshehurazi, Napoleoni me besnikët e tij, të armatosur, zbarkuan me anije në jug të Francës dhe Napoleoni nisi marshin drejt Parisit Shumë gjeneralë u bashkuan me të. Shqetësimi i strategut të madh ishte që ti bënte luftë koalicionit armik dhe ti largonte ushtritë e huaja nga territoret e Francës. Kur në Korfuz erdhi lajmi i humbjes së betejës së francezëve në Waterloo, më 12 qershor 1815, shqiptarët mësuan se më së fundi Napoleoni abdikoi sërish dhe në 14 tetor. Një anije angleze e mori dhe e nisi të burgosur në ishullin e Shën Helenës në mes të oqeanit Atlantik. Më kot luftëtarët e Regjimentit të Shqiptarëve pritën ardhjen e tre luftëtarëve të tyre me shpresë se ata i kishin mbijetuar luftës. Por me kohën që kalonte, një këngë që populli ngriti, i këndonte tre shqiptarëve që shkuan në Francë dhe nuk u kthyen më. Ndryshe nga ç’kishte ndodhur në Mery-sur-Seine, kënga i mbante ata gjallë.

Burimi/Facebook/Autori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *